[email protected]
5 konceptet kyçe të edukimit medial
shape
shape
shape

Mediet nuk e pasqyrojnë realitetin, në vend të kësaj, ato e ndërtojnë atë në bashkëveprim me audiencën. Për të qenë qytetarë të mirëinformuar dhe të përgjegjshëm, duhet të jemi edhe të edukuar mbi median. Më poshtë janë listuar konceptet dhe pyetjet kyçe të edukimit medial të cilat na ndihmojnë në këtë proces.

  • Të gjitha mesazhet janë të ndërtuara

Produktet mediatike, lajmet, video-storiet, reportazhet, reklamat, billboardat, nuk e reflektojnë realitetin. Ato ndërtohen nga individë, të cilët në mesin e shumë opsioneve, zgjedhin disa prej tyre t’i përfshijnë, ndërkaq t’i lënë jashtë të tjerat. Zgjedhjet që autorët e mesazheve i bëjnë varen nga mendimet, supozimet dhe paragjykimet e tyre – por edhe nga media ku janë. Pavarëisht se sa të natyrshme na duken ato që i lexojme, shikojmë apo dëgjojmë, ato janë rezultat zgjedhjesh. Edhe autorët e dokmentarëve me objektivë zgjedhin se cilën pamjë duhet ta përdorin, cilën duhet mos ta përfshijnë, nga cili kënd të marrin pamje apo cilën pjesë të rrëfimit të mos e përfshijnë. Ndonëse instiktivisht ne i shohim produktet mediatike si përfaqësime të drejtpërdrejta të realitetit, gjithnjë duhet ta kemi parasysh se ajo që e konsumojmë s’është reflektim i saktë i realitetit, të përpiqemi t’i identifikojmë zgjedhjet e krijuesit dhe të pyesim si do ta përceptonim ngjarjen nëse do të na ofrohej nga ndonjë kënd tjeter.

  • Çdo medium ka gjuhën, stilin, formën, teknikat, konventat dhe estetikën e vet

Të gjitha mediet i kanë teknikat e tyre se si e marrin vëmendjen tonë. Prej përzgjedhjes së fjalëve, ndriçimit, muzikës, këndit të kamerës apo prej mënyrës se si e nisin rrëfimin e një storieje (P.sh. kujtojeni se si Klan Kosova dhe RTK nisin kronikat në edicionet qëndrore të lajmeve.), mediet e kanë gjuhën e tyre përmes së cilës komunikojnë me audiencën. Është e rëndësishme të dimë se si elementet e përzgjedhura nga mediet e ndikojnë përceptimin tonë mbi ngjarjen dhe ta pyesim veten pse janë zgjedhur pikërisht ato elemente.

  • Njerëz të ndryshëm e kuptojnë të njëjtin mesazh mediatik ndryshe

Dikur është menduar se audienca është konsumues pasiv dhe e merr secilin mesazh që i servohet në po të njëjtën mënyrë që është synuar. Andaj, edhe është menduar se njerëzit i kuptojnë njëjtë mesazhet e produkteve mediale. Por, me kohën është hedhur poshtë kjo teori pasi secili individ i jep ndryshe kuptim çkadoje që konsumon. Kur individët marrin një mesazh, në procesin e të kuptuarit të tij ata sjellin me vete të gjitha përvojat, besimet, vlerat dhe paragjykimet që tashmë i kanë. Kështu, vet kuptimi i mesazhit negociohet dhe nuk është i njëjtë me atë fillestar të krijuesit. P.sh. një veteran i luftës e përjeton dhe i jep kuptim ndryshe një dokumentari mbi luftën në Kosovë nga një i ri i cili ka lindur pas luftës.

  • Mesazhet mediatike përmbajnë mesazhe besimesh dhe vlerash

Asnjë medium nuk është i lirë nga vlerat vetanake – mbi atë që është e mirë apo e keqe – dhe s’ka për të qenë ndonjëherë. Siç e përmendëm, të gjitha mesazhet janë të ndërtuara prej autorëve të cilët janë qenie njerëzore si ne dhe bartin me vete përvoja, besime, vlera dhe paragjykime, të cilat vetëdijshëm apo pavetëdijshëm ndikojnë punën e tyre. Mbi këto ndërtohen edhe mendimet dhe besimet tona rreth fenomeneve të caktuara pasi informohemi nga to. Në edukimin medial është më e rëndësishme se kush apo çka mungon nga një artikull, rrëfim, video-storieje, se sa kush apo çka është e pranishme. Produktet mediale kanë fuqi të jashtëzakonshme t’i forcojnë besimet ekzistuese në shoqëri, kështu duke përforcuar edhe diskriminimin ndaj grupeve të margjinalizuara duke u dhënë pak hapësirë apo duke i trajtuar në bazë të anshmërive të (pa) vetëdijshme.

  • Mesazhet mediatike u shërbejnë interesave komerciale, shoqërore dhe/ose politike

Të gjitha mediet janë biznese që operojnë me qëllim të fitimit përtej qëllimit të informimit, edukimit dhe argëtimit të audiencës. Përmes programeve dhe emisioneve, mediet e krijojnë audiencën të cilën më pas e shesin si hapësirë reklamuese për biznese të ndryshme apo hapësirë elektorale për politikanë të ndryshëm. Madhësia e audiencës së tyre tregon për influencën e tyre tek audienca dhe kështu për atraktivitetin që e kanë për bizneset, politikanët dhe grupet e tjera të interesit. Andaj, duhet ta dimë mbi burimet e financimit të një mediumi dhe se si ato burime financimi ndikojnë në përmbajtjen e këtyre medieve.

Të gjitha këto koncepte mund të identifikohen në bazë të pyetjeve kyçe të edukimit medial

5 pyetjet kyçe të edukimit medial

  • Kush e krijoi këtë mesazh?
  • Çfarë teknika kreative janë përdorur për ta tërhequr vëmendjen time?
  • Si mund ta kuptojnë njerëzit e ndryshëm këtë mesazh ndryshe nga une?
  • Cilat vlera, mënyra jetese dhe pikëpamjesh përfaqësohen, ose lihen jashtë nga ky mesazh?
  • Kush e krijoi këtë mesazh dhe pse?



Lexo më shumë

The core concepts: Fundamental to Media Literacy Yesterday, Today or Tomorrow https://digitalcommons.uri.edu/cgi/viewcontent.cgi?article=1156&context=jmle

Share With Others