[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformata lidhur me rastin e Faton Hajrizit, teori konspirative nga media në serbisht lidhur me zhvillimet në Ujman dhe veri
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, dominojnë dezinformatat, clickbait artikujt, përmbajtjet mashtruese dhe teoritë konspirative.

Dezinformatat u publikuan në media sociale në shqip dhe media në serbisht. Në media sociale në shqip u publikua një video-material me pretendimin se shfaq momentin e vrasjes së Faton Hajrizit nga forcat serbe, si dhe në TikTok është pretenduar për publikimin e momenteve “kur u ndjek dhe u vra Faton Hajrizi”. Ndërsa në media në serbisht, u publikua krahasimi i pabazë i ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, për aneksimin e dhunshëm nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Artikujt me tituj clickbait janë publikuar në media shqipe. Në titullin e një artikulli u pretendua se zëvendës-presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris ka folur për Kosovën. Ndërsa, artikujt që flasin për vrasjen e pesë personave në një shtëpi të pleqve, si dhe për alarm për bombë në aeroport, në titull nuk e tregon vendndodhjen e ngjarjes duke lënë hapësirë që të mendohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë hapësirë shqipfolëse.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), edicioni online, ka publikuar një artikull (22 korrik) të paverifikuar, duke iu referuar mediumit nga Bosnja e Hercegovina, “Slobodna-Bosna.ba”, se dy portale (mediume) informative të regjistruara në Kosovë, saktësisht “Periskopi.com” dhe “Nacionale.com”, janë të financuara nga struktura të Serbisë.

Në media sociale janë publikuar përmbajtje mashtruese për mundësi pune, transferim parash dhe kurse online falas.

Manipulim i faktit është vlerësuar një fotografi që shfaq viktimat e Masakrës së Reçakut në janarin e vitit 1999, e që e njëjta po paraqitet rrejshëm si ngjarje e ndodhur në Azerbajxhan nga forcat armene.

Teoritë konspirative janë publikuar nga media në serbisht lidhur me disa pretendimet të pabazuara; se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar më dënime të pamëshirshme të gjithë serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë; lidhur me shpërthimin në liqenin e Ujmanit duke pretenduar në titull se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon të shkaktojë incidente dhe të akuzojë serbët; se autoritetet në Kosovë po tentojnë t’ua grabisin serbëve pronat e tyre në Ujman.

Dezinformatë

Publikohet video-material që pretendon se shfaq momentin e vrasjes së Faton Hajrizit nga forcat serbe, i dyshuar për vrasjen e një polici serb në Serbi. Kjo përmbajtje, ku shihen makina ushtarake dhe dëgjohen të shtëna është publikuar (21 korrik) nga një kanal në Youtube, me emrin “editslandi”. Hibrid.info i ka gjetur të publikuara këto pamje, para 19 korrikut, datë kur edhe u vra Faton Hajrizit. (këtu)

Nëpërmjet një videoje të postuar në rrjetin social TikTok është pretenduar për publikimin e momenteve “kur u ndjek dhe u vra Faton Hajrizi”. Publikimi u bë nga llogaria me emrin “massoni_dt” më 20 korrik. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se videoja nuk ka të bëjë me pretendimin. Materiali del të jetë marrë nga një video e mëhershme e një aksioni të xhandarmërisë rumune. (këtu)

Mediat ruse në shërbimet në gjuhën serbe, Sputnik dhe Russia Today (RT) dhe disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një deklaratë të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili e akuzoi Perëndimin dhe OKB-në për “standarde të dyfishta” në rastin e Krimesë dhe Kosovës. Lavrov në deklaratën e tij, u përpoq të barazojë aneksimin e dhunshëm nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Edhe pse faktet tregojnë se krahasimi i Krimesë me Kosovën është i pabazë, zyrtarët e lartë të Rusisë vazhdojnë ta përdorin këtë si një justifikim. (këtu)

Clickbait

Publikohet një artikull që informon për vrasjen e pesë personave në një shtëpi të pleqve. Teksti është publikuar (22 korrik) nga një faqe në Facebook me emrin “Gazeta Prishtina”. Hibrid.info ka gjetur se vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në përmbajtje të lajmit, më saktësisht në hyrje. Në faqen ku është publikuar teksti tregohet se portali gjendet në Kosovë dhe është në gjuhën shqipe (këtu). Mos qartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja, mund të bëjë që audienca të mendojë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Publikohet një përmbajtje që pretendon se zëvendespresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris ka folur për Kosovën. Pretendimi është publikuar në Facebook nga faqja e mediumit “NTV Televizion”, me anë të një imazhi në mbishkrimin e të cilit shkruan “Kamala Harris ne SHBA bertet Kosova, nuk pranon dialogun dhe asociacionin ne veri”. Në vegëzën bashkangjitur këtij imazhi shfaqet artikulli për këtë lajm, ku nga përmbajtja bëhet e qartë se kemi të bëjmë me opinione të profesorit amerikan Daniel Serwer, i cili ka dhënë qëndrimin e tij për pozicionin e mundshëm të Kamala Harris karshi Kosovës, si kandidate e mundshme për postin e presidentes në zgjedhjet në SHBA. (këtu)

“Çfarë po ndodh? ALARM për bombë, evakuohet aeroporti…” mban titullin një artikull i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “liberale.al”. Artikulli u publikua të premten (26 korrik) dhe u shpërnda në disa faqe në Facebook. Nëpërmjet titullit nuk është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në Basel të Zvicrës, në Aeroportin Basel Mulhouse. Portali që e ka publikuar artikullin është në gjuhën shqipe. Mosqartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja, lë hapësirë që audienca të mendojë se ajo ka ndodhur brenda territorit shqipfolës. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), edicioni online, ka publikuar një artikull (22 korrik), duke iu referuar mediumit nga Bosnja e Hercegovina, “Slobodna-Bosna.ba”, me pretendimin e pa verifikuar se dy portale (mediume) informative të regjistruara në Kosovë, saktësisht “Periskopi.com” dhe “Nacionale.com”, janë të financuara nga struktura të Serbisë. RTK ka publikuar dhe transmetuar informacion me përmbajtje e cila është e pavërtetuar dhe e paverifikuar. Pretendimi i bërë në përmbajtje i referohet një mediumi nga Bosnja e Hercegovina, që nuk e ka të verifikuar informacionin që pretendon se e ka nga disa burime anonime. (këtu)

Mashtrim

Pretendohet për një mundësi pune me kohë të pjesshme nga 1-2 orë me pagë ditore prej 100 – 1000 euro, nga projekti Berkshire Hathaway XU Group. Kjo është përmbajtja në gjuhën shqipe, që u është dërguar qytetarëve me anë të një mesazhi në aplikacionin “Whatsapp”. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se mundësia e pretenduar nuk ekziston. (këtu)

Ndjekës të platformës hibrid.info kanë dërguar një email për verifikim, të cilin e kanë pranuar  (25 korrik). Në këtë email pretendohet se i njëjti është dërguar nga institucioni financiar për transferim parash “Western Union” dhe se pranuesi i mesazhit, përmes këtij institucioni ka fituar shumën prej 8.5 milionë dollarëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se ky email nuk është dërguar nga Western Union dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk autorizon, verifikon, monitoron ose asiston në kontratat ose pagesat e trashëgimisë ndërmjet palëve të treta dhe/ose qeverive, e as nuk miraton aktivitetet e ndonjë banke, institucioni financiar ose agjencie tjetër publike ose private. (këtu)

Publikohet një përmbajtje që pretendon se ofrohet kurs online falas për Asistent të Kontabilitetit. Mbishkrimi me anë të një vegëze në formë imazhi, e publikuar (24 korrik) nga një faqe me emrin “Kg service” në Facebook, pretendon se ky kurs është i hapur për të gjithë personat mbi moshën 18 vjeçare dhe se do të pajisen me certifikatë profesionale. Hibrid.info ka gjetur se një kurs i tillë i paraqitur në këtë përmbajtje, nuk ofrohet nga faqja në fjalë. (këtu)

Manipulim i fakteve

Një fotografi që shfaq viktimat e Masakrës së Reçakut janarin e vitit 1999, po paraqitet rrejshëm si ngjarje e ndodhur në Azerbajxhan nga forcat armene. Hibrid.info ka arritur të gjejë se e njëjta fotografi është e publikuar në disa ueb-faqe në gjuhën turke, azere, ruse e angleze. Këto ueb-faqe në artikujt e publikuar kanë paraqitur fotografinë e Masakrës së Reçakut, si ngjarje të ndodhur në Azerbajxhan më 1992. (këtu)

Teori konspirative

Nëpërmjet një artikulli të publikuar (24 korrik), mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar më dënime të pamëshirshme të gjithë serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë. Duke iu referuar deklaratave të Avni Kastratit, u.d të drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), i cili flet për numrin e serbëve të regjistruar, ngrihet pretendimi se Kurti po i kërcënon serbët me dënim. Mirëpo, Kastrati nuk i ka përmendur serbët dhe dënimin e tyre në deklaratën e dhënë, dhe as Kurti nuk është shprehur lidhur me mundësitë e dënimit. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull (21 korrik) lidhur me shpërthimin në liqenin e Ujmanit duke pretenduar në titull se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon të shkaktojë incidente dhe të akuzojë serbët. Shpërthimin në rrugën afër Ujmanit, mediumi serb e interpreton si një nga një sërë incidentesh të ndodhura muajt e mëparshëm gjatë fushatës agresive të Vetëvendosjes për të “pushtuar” veriun. Mirëpo, mediumi në fjalë nuk ofron fakte për këtë pretendim. (këtu)

Nëpërmjet termeve fyese u pretendua se autoritetet në Kosovë po tentojnë t’ua grabisin serbëve pronat e tyre në Ujman. Ky pretendim u publikua (25 korrik) në median sociale Telegram nga kanali në gjuhën serbe “BUNKER”. Në këtë postim është publikuar si fotografi një letër nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i bërë nga llogaria “BUNKER”, është i pasaktë. Letra nga MPB iu la 8 pronarëve të vilave në Ujman përmes së cilës bëhet thirrje për t’u paraqitur në stacion policor dhe për të dërguar dëshminë e pronësisë mbi pronën dhe sipërfaqen që përdorin, pasi dyshohet se ato janë ndërtuar në tokë publike. (këtu)

Share With Others

Translate »
1406