Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull (21 korrik) lidhur me shpërthimin në liqenin e Ujmanit duke pretenduar në titull se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon të shkaktojë incidente dhe të akuzojë serbët.
Shpërthimin në rrugën afër Ujmanit, mediumi serb e interpreton si një nga një sërë incidentesh të ndodhura muajt e mëparshëm gjatë fushatës agresive të Vetëvendosjes për të “pushtuar” veriun.
Mirëpo, mediumi në fjalë nuk ofron fakte për këtë pretendim.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer.rs”:
https://informer.rs/vesti/politika/927357/gazivode-kim-eksplozija-srbi-na-kim
Çka dihet për shpërthimin në Ujman:
Një shpërthim raportohet të ketë ndodhur rreth orës 14:30 të së dielës (21 korrik) në afërsi të Ujmanit, derisa u dëmtuan të paktën tri vetura, por që nuk pati të lënduar.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, një ditë më pas ka bërë të ditur për mediat se në vazhdën e hetimeve në lidhje me rastin e shpërthimit, Policia rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut. (këtu)
Në vazhdën e hetimeve në lidhje me rastin shpërthimit të sotëm në afërsi të Ujmanit, Policia rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut. Gjatë bastisjes, policia ka has dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe 3 radiolidhje dhe një veturë. Nuk kemi persona të arrestuar, ndërsa policia ka identifiku një person i cili për neve është me interes për intervistim.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke vlerësuar se Serbisë nuk i leverdisë normaliteti në atë pjesë të vendit. (këtu)
Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme.
Analiza:
Mediumi serb “Informer.rs” nëpërmjet një artikulli të publikuar pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon të shkaktojë incidente dhe të akuzojë serbët për shpërthimin në liqenin e Ujmanit.
Megjithatë, mediumi nuk ofron fakte për pretendimin e tij dhe e interpreton shpërthimin si pjesë e një sërë incidentesh, siç thotë, gjatë fushatës së Vetëvendosjes për të “pushtuar” veriun.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.