[email protected]
Pretendohet pa fakte se serbët e Kosovës do të sanksionohen për shkak të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Nëpërmjet një artikulli të publikuar sot (24 korrik), mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar më dënime të pamëshirshme të gjithë serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë.

Duke iu referuar deklaratave të Avni Kastratit, u.d të drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), i cili flet për numrin e serbëve të regjistruar, ngrihet pretendimi se Kurti po i kërcënon serbët me dënim.

Mirëpo, Kastrati nuk i ka përmendur serbët dhe dënimin e tyre në deklaratën e dhënë, dhe as Kurti nuk është shprehur lidhur me mundësitë e dënimit.


Vegëza e artikullit të publikuar në informer.rs:

https://informer.rs/vesti/politika/928190/pristina-bi-da-sankcionise-gradane-koji-su-bojkotovali-popis-na-kim-vujicic-ovo-je-jos-jedna-montirana-igra-u-kojoj-kurti-zeli-da-pokaze-snagu-i-moc


Pjesë të artikullit të publikuar të përkthyer në gjuhën shqipe:

I ashtuquajturi kryeministër i shtetit të rremë ‘Kosovë’, Albin Kurti, kërcënoi me dënime drakoniane të gjithë serbët që bojkotuan regjistrimin e çuditshëm me të cilin Prishtina u përpoq të listonte ‘dëmshpërblimet e luftës’ që do t’i kërkonte Beogradit!

“Serbët ishin nën presion për të bojkotuar procesin. Pjesa më e madhe e komunitetit serb në veri nuk mori pjesë në regjistrim përkundër përpjekjeve tona. Tre herë zgjodhëm regjistruesit, zgjodhëm ekipin, dolëm në terren… Gjoba për ata që refuzuan të regjistrohen” – tha Kastrati, duke shtuar se parashikohen ‘penalitete’ prej 2000 euro për këdo që nuk është regjistruar, që do të thotë se një familje me dy fëmijë mund të gjobitet deri në 8000 euro?!


Çka tha Kastrati e çka mediumi serb:

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës Avni Kastrati, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se numri i serbëve të regjistruar në procesin e regjistrimit të popullatës, i cili ka përfunduar në muajin maj të këtij viti, është rreth 36 mijë sish, por thotë se një pjesë e këtij komuniteti në veri e ka bojkotuar procesin. (këtu)

Numri i serbëve që kemi arritur t’i regjistrojmë është rreth 35-36 mijë përafërsisht, të dhëna që nuk i kemi publikuar ende. Po flasim për numrin e serbëve në jug, por edhe një pjesë është regjistruar në veri në këtë numër. Një pjesë e komunitetit serb në veri, pjesa dërmuese nuk mori pjesë përkundër tentativës tonë, tri herë kemi përzgjedhur regjistrues, zgjedh një ekip, dil në terren. (Serbët) kanë pasur trysni, ata nuk morën pjesë, një pjesë e tyre. Edhe statistikat do të bëjnë një vlerësim sipas kritereve, standardeve ndërkombëtare, dhe të dhënat finale që do të dalin në dhjetor do të jetë e përfshirë edhe ajo pjesë me indikatorë tjerë”.

Në një intervistë për KosovaPress, Kastrati paralajmëron gjoba për të gjithë ata që kanë refuzuar të jenë pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë. Ai thotë se janë dy përfaqësues juridikë të institucioneve që kanë dalë me qëndrime kundër regjistrimit, ndërsa nuk dihet ende numri i personave fizikë.

Ndërsa, mediumi në gjuhën serbe pretendon se arsyeja e bojkotimit të regjistrimit nga ana e serbëve është bërë për arsyen se anketa përmbante pyetje për ‘viktimat dhe dëmshpërblimet e luftës’ me të cilin Prishtina u përpoq të listonte ‘dëmshpërblimet e luftës’ që do t’i kërkonte Beogradit!

Ndërlidhur me këtë, mediumi në fjalë ngrit pretendimin se kryeministri Kurti kërcënoi me dënime drakoniane (të pamëshirshme) të gjithë serbët që bojkotuan regjistrimin, përkundër faktit se Kurti nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me dënimet.


Çështja e dënimeve

Kastrati ka bërë të ditur edhe përqindjen e popullsisë që ka mbetur pa u regjistruar sipas të dhënave preliminare dhe zbatimin e dënimeve ndaj tyre.

Të dhënat preliminare ne që kemi marrë janë rreth 0.02 për qind e popullsisë që ka mbet pa u regjistruar. Ne vlerësojmë se janë regjistruar 99.8 për qind. Kjo është një e mirë, sepse shumë pak shtete arrijnë në botë ta kalojnë 98 për qind. Nëse në fund kur e bëjmë raportin e kualitetit dhe gjithëpërfshirjes, vërtetohet që Kosova arrin të regjistrojë mbi 99.8 për qind që supozojmë ne, do të jetë ndër vendet top me gjithëpërfshirje. Ata që kanë mbetur pa u regjistruar, do të shikojmë të zbatojmë ligjin dhe besojmë se vetëm ata që kanë refuzuar do të kenë dënime sipas ligjit, por ata që nuk kanë pasur mundësi për arsye të ndryshme, nuk kanë qenë mirë me shëndet apo diçka tjetër, nuk do të merren masa”.

Kastrati nga ASK nuk ka përfshirë serbët për çështjen e dënimit, kur flet për gjobitjen sipas ligjit të personave fizikë, pasiqë ata përbëjnë çështje tjetër. (këtu)

Kosova do të ketë pak mbi 1.6 milion banorë rezidentë, krejtësisht pak. Ata do të gjobiten në muajt dhe vitet në vijim kur kanë nevojë për mbështetje nga institucionet, për dokumentacione e çështje tjera…Nëse nuk ka marrë pjesë në regjistrim, keni rast të fitoni një grant, nëse nuk je i regjistruar nuk llogaritësh që mund ta fitosh atë grant, përndryshe si rrugë e parë duhesh të shkosh të paguash dënimin që nuk ka marrë pjesë në regjistrim. Juridik – janë dy përfaqësues të institucioneve që kanë dalë me qëndrime kundër regjistrimit. Ata do të gjobiten sipas ligjit. Ndërsa persona fizikë, nuk po flas për komunitetin serb në veri, ata që nuk morën pjesë, sepse është çështje tjetër, por pjesa tjetër e komuniteteve në jug, vlerësojmë se maksimum janë rreth 2000 apo 2500 që nuk morën pjesë në regjistrim, por një pjesë e madhe e tyre për arsye të ndryshme të punës, studimeve, aspekteve shëndetësore, nuk kanë qenë rezident gjatë kohës së regjistrimit. Në shtator e kemi një analizë më detale, as ne nuk i kemi të dhënat sa ka qenë refuzimi”.


Analiza:

Mediumi serb “Informer.rs” pretendoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar serbët që bojkotuan regjistrimin e popullsisë me dënime të pamëshirshme.

Megjithatë, Avni Kastrati, drejtori i Agjencisë së Statistikave, nuk i ka përmendur serbët apo ndonjë kërcënim me dënim në deklaratën e tij, dhe as Kurti nuk ka bërë deklarata të tilla.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »