Shkroi: Fatbardh Dema
“Ali Ahmeti i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i BDI-së Faton Ahmeti takime në Prishtinë”, mban titullin artikulli i publikuar dje (10 shkurt) nga portali në gjuhën shqipe “Mak.info”.
Në mbishkrimin e fotografisë ngrihet pretendimi nëse dyshja nga Maqedonia e Veriut po e ndërtojnë koalicionin qeverisës në Kosovë (zgjedhjet në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt), me pyetjen: “APO E THURË ALI AHMETI KOALICIONIN QEVERISËS NË KOSOVË!?”.
Brenda artikullit gjenden fotografi të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti nga takimet me partitë politike në Kosovë si AAK, PDK dhe LDK.

Pjesë nga artikulli
“Apo e thurë Ali Ahmeti koalicionin e ri qeverisës në Kosovë.
Sot si duket Lideri i Bashkimit Demokratik per Integrim Ali Ahmeti, bashke me sekretarin gjeneral të BDI-se Faton Ahmetin kane pasur disa takime ne Prishtine me lideret e partive opozitare, ate te PDK-se, LDK-se dhe AAK-se, mendimi juaj a po e thure Ali Ahmeti koalicionin e ri te qeverise ne Kosoves”.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pamjet nga takimet e Ahmetit me partitë opozitare në Kosovë nuk janë aktuale.
Fotografitë e paraqitura në këtë artikull janë shkrepur gjatë takimeve që Ahmeti kishte zhvilluar me partitë opozitare në Kosovë me 17 dhjetor, 2024.
Me datë 17 dhjetor, kryetari i BDI-së është takuar me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin e PDK-së. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Gjatë kësaj vizite në Kosovë, atë ditë, Ahmeti u nderua me çmimin prestigjioz “Çelësi i Prishtinës”, dorëzuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. (shih këtu)
Se Ahmeti nuk pati takime më 10 shkurt në Prishtinë me partitë e lartcekura, e dëshmon edhe fakti se nuk ka asnjë publikim në faqet zyrtare të këtyre subjekteve politike në Facebook, e as të Ahmetit. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Analiza:
Përmes një artikulli të publikuar më 10 shkurt, u pretendua se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në po atë datë, u takua me krerët e partive politike (LDK, AAK dhe PDK). Në këtë artikull thuhet, “a po e thurë Ali Ahmeti koalicionin qeverisës në Kosovë”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se fotografitë e përdorura në artikull janë të vjetra (17 dhjetor 2024).
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.