Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme që janë përhapur përmes mediave, portaleve të dyshimta dhe llogarive në mediat sociale kanë qenë në krye të keqinformatave të trajtuara nga hibrid.info gjatë javës së kaluar.
Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale dhe platforma të ndryshme, duke përfshirë Facebook, TikTok dhe Telegram. Disa nga temat që janë trajtuar përmes këtyre lajmeve të rreme përfshijnë pretendime të pabazuara, si ai se ministri i jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, e ka uruar Albin Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të 9 shkurtit, që është i pasaktë. Një tjetër pretendim tërheq vëmendjen në Facebook, ku është shpërndarë një imazh me mbishkrimin që thuhet se Vuçiqi ka deklaruar se qeverinë e formon Lista Serbe me opozitën, një informacion që është gjithashtu i pasaktë. Po ashtu, është publikuar një përmbajtje në gjuhën serbe në Telegram që pretendon se forcat policore të Kosovës janë duke montuar armatim në Jarinjë, ndërsa nuk ka asnjë informacion të besueshëm për këtë. Një tjetër përmbajtje e pasaktë është shpërndarë në TikTok, ku thuhet se PDK-ja ka marrë 93.82% të votave nga mërgata, ndërkohë që numërimi i këtyre votave ende nuk ka filluar. Po ashtu, është shpërndarë një imazh që pretendon se Kadri Veseli është shpallur i pafajshëm nga Gjykata në Hagë dhe do të lirohet, ndërsa ky informacion është i pavërtetë, pasi Gjykata Speciale ende nuk ka marrë një vendim për të.
Clickbait është vlerësuar publikimi nga Faqja “Agjencia e Lajmeve Sot News” në Facebook i një artikulli me një titull çorientus që pretendon se një ish-kandidat për deputet ka vrarë dy persona. Titulli i përgjithësuar lë vend për keqinformim, duke sugjeruar se ngjarja ka ndodhur në hapësira shqipfolëse. Megjithatë, pas klikimit në artikull, bëhet e qartë se ngjarja ka ndodhur në Greqi. Ky lloj artikulli është një shembull tipik i përhapjes së keqinformimit përmes titujve tërheqës që nuk pasqyrojnë saktësisht përmbajtjen e plotë.
Përmbajtjet mashtruese janë publikuar kryesisht në Facebook dhe përfshijnë tema që përpiqen të mashtrojnë përdoruesit përmes informacioneve të pasakta. Një shembull është një postim sponsorizuar nga faqja “WellCare Hub”, ku pretendohet se kapsulat kundër prostatës do të jepen pa pagesë. Pas verifikimit, është zbuluar se kjo përmbajtje përdor fotografi të vjetra dhe të dyshimta, dhe medikamenti i përmendur, “Prostafix”, nuk është i autorizuar për marketing në Kosovë. Një tjetër përmbajtje mashtruese përfshin një imazh që tregon Albin Kurtin dhe Rexhep Qosjen, me një portret të Enver Hoxhës në prapavijë. Ky imazh është manipuluar për të krijuar një lidhje të pasaktë mes figurave politike të Kosovës dhe diktatorit komunist të Shqipërisë.
Përmbajtja e pa verifikuar është publikuar më 10 shkurt në një artikull që pretendon se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u takua me krerët e partive politike (LDK, AAK dhe PDK) për të diskutuar formimin e koalicionit qeverisës në Kosovë. Artikulli përdor një titull që sugjeron se Ahmeti po thur koalicionin qeverisës, por pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se fotografitë e përdorura janë të vjetra dhe datojnë nga 17 dhjetori 2024, duke e bërë përmbajtjen të pavërtetë dhe të pa verifikuar.
Dezinformatat janë përhapur përmes disa postimeve në rrjetet sociale dhe reagimeve publike. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar se po tentohet të ndryshohet vullneti qytetar i serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga KQZ, të cilat kishin mospërputhje. Mirëpo, KQZ ka sqaruar situatën përmes një konference për media, duke hedhur poshtë pretendimet. Po ashtu, në një postim të shpërndarë në Facebook më 12 shkurt nga llogaria “Fitim ÇeKu”, është pretenduar se votat e diasporës janë numëruar dhe se LVV ka marrë 40% të tyre. Ky pretendim është verifikuar nga hibrid.info dhe është zbuluar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit do të marrë rreth 10 ditë, dhe nuk janë bërë ende përllogaritje të votave. Për më tepër, është deklaruar se certifikimi i zgjedhjeve dhe rezultatet përfundimtare do të bëhen brenda dy ditëve nga 17 shkurti, gjë që është gjithashtu e pavërtetë.
Përmes një fotografie është manipuluar informacioni duke pretenduar se Albin Kurti shkoi në zyrat e Listës Serbe për t’u koordinuar me këtë subjekt politik për formimin e qeverisë. Pas verifikimit të fakteve, është zbuluar se ky pretendim është i pavërtetë. Imazhi i përdorur është marrë nga një video e vjetër e realizuar më 16 janar, kur Kurti kishte vizituar marketin Interex në Leposaviç. Në videon autentike, Kurti shihet duke kaluar pranë zyrave të Listës Serbe, por vizita nuk kishte të bënte me koordinimin për formimin e qeverisë.
Clickbait
Faqja “Agjencia e Lajmeve Sot News” në Facebook ka publikuar një artikull që në titull pretendon se një ish-kandidat për deputet ka vrarë dy persona. Për shkak se faqja publikon artikuj në gjuhën shqipe, titulli përgjithësues lë vend për keqinformim se ngjarja ka ndodhur në hapësira shqipfolëse. Por pas klikimit në artikull, brenda tekstit mësohet se bëhet fjalë për raportim për Greqi. Duke pas parasysh se ky portal publikon artikuj në gjuhën shqipe, titulli përgjithësues lë vend për keqinformim se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqipfolëse. (këtu)
Mashtrim
Publikohet një imazh që pretendon se është marrë vendimi që të jepen praktikisht pa pagesë, kapsula kundër prostatës. Kjo përmbajtje është publikuar si e sponsorizuar (6 shkurt) në formë të një imazhi të klikueshëm në Facebook, nga një faqe me emrin “WellCare Hub”. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se postimi përdor fotografi të vjetër e nga një vend i huaj; klikimi në artikull çon në faqe të dyshimtë; si dhe se medikamenti në fjalë “Prostafix” nuk është në listën e produkteve me autorizim për marketing në Republikën e Kosovës. (këtu)
Publikohet një imazh ku shihen Albin Kurti, kryeministri i Kosovës dhe Rexhep Qosja, akademik. Në prapavijën e kësaj fotografie shihet portreti i varur në mur i Enver Hoxhës, diktatorit që udhëhoqi Shqipërinë në periudhën komuniste. Hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi është e manipuluar. (këtu)
Lajm i rremë
Në mediat sociale është shpërndarë një pretendim sipas të cilit, ministri i jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, e ka uruar kandidatit të LVV-së për kryeministër Albin Kurti për fitore të zgjedhjeve të 9 shkurtit, përmes një bisede telefonike. Megjithatë, përpos këtij pretendimi të pabazuar, nuk ka asnjë informacion që mbështet pretendimin për një urim të fitores nga ana e ministrit të jashtëm turk ndaj kandidatit të LVV-së për kryeministër, Kurti. (këtu)
Në median sociale Facebook u shpërnda një postim në formë imazhi me mbishkrimin “Vuçiq: Qeverinë e formon Lista Srpska bashkë me opozitën”. Pretendimi se Vuçiqi është shprehur se qeverinë në Kosovë e formon Lista Serbe me opozitën, është i rremë. Sa i përket kësaj çështje, Vuçiqi ka thënë se kushdo që do ta formonte një qeveri me Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”. (këtu)
Një llogari në gjuhën serbe në Telegram ka pretenduar pa fakte se në Jarinjë forcat policore të Kosovës FIT po montojnë armatim dhe po ngritin dronë në prezencë të KFOR-it. Një informacion i tillë nuk është gjetur i publikuar nga burime zyrtare apo media kredibile. (këtu)
Publikohet një video-material me mbishkrimin që pretendon se portalet kanë raportuar se nga votat e mërgatës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 93.82% të votave. Kjo përmbajtje është publikuar (11 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “hipphop.al”. Tutje në mbishkrim pretendohet se me këtë rezultat, PDK do të dalë e para në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve parlamentare. Sipas njoftimeve, numërimi i votave nga mërgata ende nuk ka filluar. (këtu)
Publikohet një imazh ku shihet Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, me një mbishkrim që pretendon se ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata në Hagë, ku po mbahet si i akuzuar për krime lufte, dhe se do të lirohet më 16 shkurt. Kjo përmbajtje është publikuar (14 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “republikaekosoves1”. Hibrid.info ka gjetur se Gjykata Speciale ende nuk ka marrë asnjë vendim për ish-kryeparlamentarin Veseli. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Përmes një artikulli të publikuar më 10 shkurt, u pretendua se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në po atë datë, u takua me krerët e partive politike (LDK, AAK dhe PDK). Në këtë artikull thuhet, “a po e thurë Ali Ahmeti koalicionin qeverisës në Kosovë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se fotografitë e përdorura në artikull janë të vjetra (17 dhjetor 2024). (këtu)
Dezinformatë
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një reagimi në rrjetin social X, ka pretenduar se po tentohet të ndryshohet vullneti qytetar i serbëve të Kosovës, i shprehur me votë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë pretendim ai e ka bazuar në të dhënat e publikuara deri më tani në ueb-faqen e KQZ-së, të cilat kanë mospërputhje. Mirëpo, vetë institucioni qendror i organizimit të zgjedhjeve në vend, KQZ, përmes një konference për media, ka sqaruar. (këtu)
Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se votat e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë numëruar dhe se me to Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 40 për qind. Pretendimi u publikua nga llogaria “Fitim ÇeKu” në Facebook më 12 shkurt. Hibrid.info u ka bërë verifikim fakteve për këtë çështje. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 shkurt kanë bërë të ditur se do të duhen rreth 10 ditë për t’i vlerësuar pakot me fletëvotime nga diaspora. Po ashtu llogaria ka pretenduar se zgjedhjet pritet të certifikohen të hënën tjetër (17 shkurt) e se rezultatet përfundimtare do të dihen brenda dy ditësh nga publikimi i tij. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Përmes një fotografie u pretendua se Kurti shkoi në zyrat e Listës Serbe për t’u koordinuar me këtë subjekt politik për të formuar qeverinë. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se pretendimi është i rremë. Imazhi është shkëputur nga videoja e vjetër e realizuar më 16 janar kur Kurti kishte vizituar pikën e hapur vitin e kaluar, të marketit Interex në Leposaviç. Kurti në videon autentike teksa shkon në marketin Interex, shihet duke kaluar pranë zyrave të Listës Serbe. (këtu)