Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në diasporë

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh që shfaq rezultate të pretenduara të matjes së opinionit publik, sa i përket mbështetjes që kanë subjektet politike nga Kosova në diasporë.

Kjo përmbajtje është publikuar të martën (22 dhjetor) në Facebook nga një faqe me emrin “Shadervani” dhe të mërkurën (24 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “imp3rial.aura”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Duke qenë se vendi gjendet në periudhë zgjedhore dhe bazuar në praktikat e së kaluarës, sondazhe të tilla kanë qenë të shpeshta, e të cilat kanë rezultuar të pavërteta.

Nisur nga ky fakt, ekipi i Hibrid.info bëri verifikimin e këtij sondazhi, i cili po ashtu rezultoi të mos jetë i vërtetë.

Sipas grafikut të këtij sondazhi të pretenduar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) prin me 33.1 për qind. Pas saj në renditjen e pretenduar të përqindjeve është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 26.9%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 25.2%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 8%, Nisma me 2.5% dhe Të tjerët me 4.3%.

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja në Facebook ka marrë mbi 950 pëlqime dhe mbi 530 komente, ndërsa ajo në TikTok ka afër 15 mijë shikime dhe afër 90 komente. Në komente vërehet se kjo përmbajtje ka nxitur debat mes përdoruesve që kanë dhënë parashikimet e tyre për rezultate.

Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 

A i plotëson ky publikim këto kritere?

Përmbajtjes së trajtuar i mungojnë të gjitha informatat e nevojshme, që të konsiderohet sondazh i besueshëm.

Përveç kësaj, hibrid.info kontrolloi me anë të makinës së kërkimit “Google” me fjalët “sondazh vota e diaspores 28 dhjetor”. Rezultatet nuk shfaqën asnjë burim kredibil të informacionit që ka publikuar një matje të tillë (shih këtu).

Ndërsa një tjetër fakt që e bën të dyshimtë përmbajtjen, është edhe mundësia që ajo të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). Rezultatet pas verifikimit në platformat përkatëse si “Hivemoderation.com” dhe “Wasitai.com”, tregojnë gjasa të mëdha që përmbajtja në fjalë të jetë gjeneruar nga IA.


Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese. Ritmi i publikimit të sondazheve të rreme u vazhdua edhe për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor dhe 9 nëntor. (shih këtu)


Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Fushata për këto zgjedhje ka filluar më 17 dhjetor dhe përfundon më 28 dhjetor (06:59, këtu).

Analiza:

Është publikuar një sondazh që pretendon se paraqet mbështetjen e subjekteve politike nga Kosova në diasporë.

Mirëpo, në bazë të trajtimit nga hibrid.info, del që ai nuk është i besueshëm, pasi të njëjtit i mungojnë informata si burimi dhe metodologjia e realizimit, gjë që e bën atë të dyshimtë.

Hibrid.info gjitashtu nuk gjeti asnjë burim kredibil që do të konfirmonte matjen e pretenduar, dhe ekziston mundësia që imazhi të jetë gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.

Sondazhe si këto kanë janë publikuar shpesh gjatë fushatave zgjedhore.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere