Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar
[ ARTIKULLI ]

Faqja jokredibile e paraqet si të kryer kandidaturën e Blerim Shalës për president

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një përmbajtje me mbishkrimin që pretendon se emri i publicistit Blerim Shalës, po diskutohet në qarqet ndërkombëtare dhe në disa parti parlamentare të Kosovës, si kandidat konsensual për president të Kosovës.

Ky pretendim është paraqitur me anë të një postimi të publikuar të dielën (29 mars) në Facebook, nga një faqe me emrin “ABC News Kosova”. Ajo përmban një imazh me mbishkrimin “EKSKLUZIVE Blerim Shala kandidat për president konsensual”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Mbishkrimi në imazh e paraqet si punë të kryer çështjen e emrit të Shalës si kandidat për president. Ndërkaq në shkrimin shoqëruar imazhit, për këtë pretendim, publikuesi është bazuar në burime anonime. Megjithatë, autori i këtij publikimi nuk është burim kredibil informimi, prandaj edhe pretendimi nga kjo përmbajtje nuk mund të vlerësohet si i besueshëm.

Mbishkrimi i postimi:

“EKSKLUZIVE: Blerim Shala drejt kandidaturës konsensuale për President të Kosovës

Burime të mirëinformuara diplomatike dhe politike bëjnë të ditur se në qarqet ndërkombëtare dhe në disa parti parlamentare të Kosovës po diskutohet seriozisht emri i Blerim Shalës si kandidat konsensual për President të Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, Shala konsiderohet figurë që mund të pranohet nga një spektër i gjerë politik, për shkak të përvojës së tij shumëvjeçare në proceset politike dhe shtetformuese të Kosovës. Ai ka qenë i përfshirë në zhvillimet kyçe politike para dhe pas luftës, si dhe njihet si njohës i mirë i politikës ndërkombëtare dhe i raporteve rajonale.

Në qarqet politike vlerësohet se profili i tij karakterizohet nga kulturë politike, integritet personal dhe përgatitje institucionale, elemente që konsiderohen të rëndësishme për një figurë që do të përfaqësonte unitetin e shtetit. Nëse këto zhvillime marrin formë konkrete, emri i Blerim Shalës mund të shndërrohet në një nga opsionet kryesore për një president konsensual të Republikës së Kosovës.”

Deri në momentin e trajtimit, ky postim ka mbi 270 pëlqime dhe mbi 100 komente. Nga përmbajtja e komenteve vërehet se përdoruesit kanë shprehur qëndrime nëse Shala është apo nuk është i përshtatshëm për postin e presidentit. Kjo tregon se publikimi ka nxitur diskutim dhe reagime nga përdoruesit.

Praktikat ndërkombëtare dhe ligji në Kosovë mundësojnë përdorimin e burimeve anonime nga gazetarët dhe profesionistët e medias, në rastet kur informacioni është kritik, i besueshëm dhe i pamundur për t’u marrë ndryshe (shih këtu). Për këtë arsye, hibrid.info ka kontrolluar për besueshmërinë e kësaj faqeje.

Faqja që e ka publikuar përmbajtjen numëron mbi 30 mijë ndjekës. Sipas përshkrimit në profilin e saj në Facebook, “ABC News Kosova” paraqitet si një faqe informative që ofron lajme, analiza dhe trajtim të temave kryesore nga Kosova, rajoni dhe bota (shih këtu).

Përveç një adrese elektronike, në profil nuk janë të paraqitura informacione të tjera, si vendndodhja apo adresa fizike.

Hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) si një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Kjo faqe nuk figuron në mesin e anëtarëve të këtij organi (shih këtu).

Për më shumë, hibrid.info ka trajtuar më herët përmbajtje të kësaj faqeje (shih këtu, këtu dhe këtu).

Për shkak se hulumtimi për këtë faqe tregoi se ajo nuk mund të merret si burim kredibil informacioni, hibrid.info ka hulumtuar me anë të “Google”, motorit të kërkimit, me fjalët “blerim shala kandidat”, duke e përcaktuar 30 ditët e fundit, si periudhë të shfaqjeve të rezultateve nga kërkimi (shih këtu).

Kërkimi shfaqi një artikull të datës 28 shkurt, të publikuar nga mediumi “Nacionale.com”, ku ishte raportuar përgjigja e Shalës rreth pretendimeve për kandidaturën e tij si president. Në bazë të këtij artikulli qartësohet se Shala i kishte mohuar këto raportime, duke thënë se ai nuk është kandidat për president (shih këtu).

Përmbajtja e artikullit të “Nacionale.com”:

“Në kërkim të një kandidati konsensual për president është përmendur edhe emri i publicistit dhe gazetarit Blerim Shala.

Megjithatë, ai e ka refuzuar një gjë të tillë.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se nuk është kandidat për president.

“Jo, more. Jo, absolutisht. Dikush mund të përmend, por nuk jam”, ka thënë Shala.”

Pak kontekst

Në seancën e 5 marsit në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes kryeministrit Albin Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për një emër të pranueshëm, nuk patën sukses.

Seanca u ndërpre në mungesë kuorumi, pas mungesës së partive opozitare. Një ditë pas ndërprerjes së seancës, përkatësisht më 6 mars, presidentja Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim me partitë politike për të folur për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare. Por, partia në pushtet nguli këmbë se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, me pretendimin se procedurat për zgjedhjen e presidentit ishin nisur më 5 mars dhe se kishte afat prej 60 ditësh për ta përfunduar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, të mërkurën (25 mars), i dha Kuvendit të Kosovës më shumë se një muaj afat për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi vlerësoi se dekreti i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në seancën e 5 marsit, nuk ka bazë juridike (shih këtu).

Kryeministri Kurti, ka paralajmëruar sot (30 mars) se do të ftojë në takime liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Lideri i LVV-së nuk ka përmendur emra për kandidatë të mundshëm (shih këtu). Kjo tregon se nuk ka një emër “konsensual”, të paktën deri në momentin e trajtimit të përmbajtjes.

Për të qenë i nominuar si kandidat për president, duhet të merren të paktën 30 nënshkrime nga deputetët në Kuvend. Deputetët kanë drejtë të nënshkruajnë për vetëm një kandidaturë (shih Nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës).

Hibrid.info ka paralajmëruar për mundësinë e publikimit të keqinformatave që lidhen me çështjen e zgjedhjes së presidentit (shih këtu).

Analiza:

Postimi i faqes “ABC News Kosova” në Facebook me imazhin në të cilin shkruan “EKSKLUZIVE Blerim Shala kandidat për president konsensual”, e paraqet këtë pretendim si çështje të kryer. Ndërsa përmbajtja që shoqëron imazhin bazohet në burime të faqes.

Por, pretendimi i mbështetur në burime anonime – nga një faqe që nuk është kredibile – nuk ofron prova konkrete apo konfirmime nga burime zyrtare dhe kredibile që do ta mbështesnin këtë pohim.

Deri më tani, nuk ka raportime të verifikuara që konfirmojnë se Blerim Shala është duke u shqyrtuar si kandidat konsensual për president, ndërsa vetë ai më herët ka mohuar një gjë të tillë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere