Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Të tjera sondazhe të rreme – tani pre Prizreni, Suhareka, Obiliqi e Lipjani

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Gjashtë sondazhe të reja janë publikuar në Facebook nën pretendimin se paraqesin matje për garën për kryetarë të komunës së Prizrenit, Suharekës, Obiliqit e Lipjanit.

Këto sondazhe janë publikuar nga faqe të ndryshme nga 8 tetori deri më 11 tetor, vetëm një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Obiliqi

Faqja “ABC News Kosova” në Facebook më 8 tetor ka publikuar tri fotografi nëpërmjet të cilave ka pretenduar se bëhet fjalë për një sondazh në garën për kryetar të Obiliqit. Në përshkrim të publikimit është thënë se rezultatet janë publikuar nga “Instituti për Hulumtime Sociale dhe Politike (IHSP)”. Aty është theksuar se matja është bërë me 1000 të anketuar në periudhën 1 deri 5 tetor.  

“Sipas të dhënave të mbledhura, gara për Kryetar të Komunës së Obiliqit kryesohet nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Gashi, me 51.12% të mbështetjes së të anketuarve. Pas tij renditet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Halil Thaçi, me 37.85%, ndërsa pjesa tjetër ndahet ndër kandidatët tjerë”, thuhet në përshkrim të publikimit në Facebook.

Ndërkaq në dizajnin që pretendohet se paraqet matjet shfaqen edhe tri ndarje të tjera: Nystret Kelmendi (PDK) që figuron me 3.2%, Shefki Salihu (NISMA) me 1.5% dhe Të tjerë me 6.2%.

Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët “Sondazh për kryetar të Obiliqit”. Nuk është gjetur asnjë publikim kredibil që mund të lidhet me sondazh të tillë në muajin e fundit. Po ashtu, nuk u gjetën informata as për “Institutin për Hulumtime Sociale dhe Politike (IHSP)”. Pos që nuk pati informata në Google a në rrjete sociale, me këtë emër nuk pati as biznese të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës e as organizatë joqeveritare në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare.

Se përmbajtja është jokredibile e bëri edhe fakti që në nënkategorinë “të tjerë” me 6.2% mund të hyjnë vetëm dy subjekte të mbetura (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK dhe Lista Serbe). Po të ishte e saktë kjo matje, ajo nënkuptonte se të paktën njëra prej këtyre dy subjekteve do të kishte më shumë përqindje se Nisma dhe si e tillë në një sondazh kredibil do të duhej të paraqitej si e ndarë dhe jo në nënkategorinë “të tjerë”.

Suhareka

Më 9 tetor faqja “Theranda Qyteti Im” publikoi një fotografi që pretendon se bëhet fjalë për sondazh për zgjedhjet për kryetarin e Suharekës. Aty pretendohej se sondazhi është bazuar në intervistimin e 2124 qytetarëve në qytet dhe fshatra të kësaj komune. Sipas rezultatit të shfaqur në fotografi, Bali Muharremaj i AAK-së do të fitojë 53.2 për qind dhe do të sigurojë triumfin pa balotazh. I dyti në renditjen e këtij pretendimi është Ardian Shala i LDK-së me 24.9%, i treti Hamdi Bytyçi i VV-së me 12% dhe i katërti Dardan Berisha i PDK-së me 9.9%.

Ndërkaq më 10 tetor, faqja “Suhareka News” publikoi po asht një fotografi që pretendon se paraqet sondazhin e fundit për këto zgjedhje sa i përket garës për kryetar të Suharekës. Kjo faqe në tabelën e paraqitur shkroi se sondazhi është kryer nga “Instituti për Demokraci dhe Edukim (IDE)”. Edhe aty renditja ishte e njëjtë, por me rritje të përqindjes te të dy kandidatët e parë e rënie te dy të fundit. Si në rastin e parë të trajtuar në këtë artikull, as për “Instituti për Demokraci dhe Edukim (IDE)” nuk pati të dhëna publike në Google, Facebook apo edhe faqe zyrtare për regjistrim biznesesh ose organizatash joqeveritare.

Për të dyja, hibrid.info ka verifikuar në Google me fjalët “Sondazh për kryetar të Suharekës”. Nuk është gjetur asnjë burim kredibil që ka publikuar sondazh për zgjedhjet e kësaj komune.

Lipjani

Edhe për komunën e Lipjanit ka pasur pretendim për publikimin e një sondazhi për zgjedhjet për kryetar. Faqja “Lipjani360” ka publikuar më 10 tetor një fotografi nëpërmjet të cilës pretendon sipas një sondazhi të fundit për kryetar të Lipjanit garës i prinë Ilir Qeriqi, kandidat i VV-së. Sipas tabelës, Imri Ahmeti i  LDK-së është i dyti me 32.4%, ndërsa Shukri Buja i PDK-së i treti me 29.5%.

Këtij publikimi i kanë munguar të dhënat se kush e ka realizuar sondazhin, kur janë bërë matjet apo edhe të dhëna të tjera për ta bërë një sondazh më kredibil. Po ashtu, me një kërkim në Google me “sondazh për kryetar të Lipjanit” nuk del se është kryer ndonjë sondazh i cili shfaq të dhëna të tilla.

Prizreni

“Sondazhi i tetorit dhe i fundit para zgjedhjeve te neserme! Sic duket balotazhi do te jete ne mes te Shaqir Totajt dhe Driton Selmanajt” është pretendimi i publikuar më 11 tetor nga faqja “Shadervani” për kryetar të komunës së Prizrenit. Tabela e paraqet Shaqir Totajn e PDK-së si kandidatin e parë me 31%, ndërsa Driton Selmanaj i LDK-së si i dyti me 27.8%. Artan Abrashi i VV-së u paraqit si i treti me 18.2%.

E një ditë më herët (10 tetor), faqja “Prizren News” publikoi një grafikon me të dhëna krejt tjera, siç ka pretenduar, bazuar në matjet e “Institutit për Demokraci dhe Edukim (IDE)” për të cilin pas verifikimit të hibrid.info doli se nuk pati të dhëna publike në Google, Facebook apo edhe faqe zyrtare për regjistrim biznesesh ose organizatash joqeveritare. Dizajni dhe ngjyrat duken të ngjashme me ato në rastin e “Suhareka News”. Në këtë pretendim, Shaqir Totaj i PDK-së prin me mbi 50 për qind, i ndjekur nga Artan Abrashi i VV-së me rreth 30 për qind. Lista përfshin vetëm katër kandidatë që përthekojnë 100 përqindëshin, e edhe pse në garë janë tetë kandidatë për kryetar.

As këto dy publikime nuk i kanë treguar të dhënat që do të duhej të shfaqeshin për ta bërë kredibil sondazhin. Madje hibrid.info pati trajtuar edhe një publikim tjetër të faqes “Shadervani” të 30 shtatorit, nëpërmjet të cilit pretendohej po ashtu për sondazh për kryetar të kësaj komune. Pas verifikimit, pretendimi doli të ketë qenë i rremë.

Për të dyja, hibrid.info ka verifikuar në Google me fjalët “Sondazh për kryetar të Prizrenit”. Nuk është gjetur asnjë burim kredibil që ka publikuar sondazh për zgjedhjet e kësaj komune.

Çka janë sondazhet

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Fenomeni i publikimit të sondazheve të rreme po vazhdon të shfaqet në media sociale, ku përmbajtje të këtij lloji publikohen pothuajse çdo ditë.

Të gjitha këto pretendime, bashkërisht kanë marrë qindra reagime në media sociale.

Që nga 13 shtatori kur nisi fushata zgjedhore, përfshirë 6 në këtë artikull, hibrid.info ka trajtuar 22 sondazhe të rreme mbi kandidatët për kryetar të komunave, të publikuara nga llogari e faqe në media sociale (shih këtukëtukëtukëtukëtukëtukëtukëtukëtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Gjashtë publikime, nga 8 tetori e deri më 11 tetor, nga faqe të ndryshme pretendojnë të paraqesin sondazhe për garën e kryetarit në zgjedhjet lokale në Prizren, Suharekë, Obiliq e Lipjan.

Pas verifikimit nga hibrid.info del se ato nuk janë bazuar në burime kredibile. Disa prej tyre kanë përmendur edhe se kinse janë realizuar nga organizata a institute të ndryshme që pas kërkimit del se nuk janë zyrtarisht të regjistruara si biznese apo organizata joqeveritare në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Lajme të rreme”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere