info@hibrid.info
Çështja e zgjedhjes së presidentit, në epiqendër të keqinformatave
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit ishin ngjarja e fundit që përmbylli zhvillimet dhe lajmet për vitin 2025. Rezultati nga këto zgjedhje dukej se po i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, pas bllokadës gati njëvjeçare pas zgjedhjeve të rregullta që ishin mbajtur më 9 shkurt të 2025. Kështu edhe ndodhi. Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit u konstituua më 11 shkurt (këtu), ndërsa po në të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria (shih këtu).

Viti 2026, përveç që e bëri Kosovën me institucione të reja, është edhe viti në të cilin parashihet përfundimi i mandatit të Vjosa Osmanit, presidentes aktuale të vendit. Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021 (këtu), ndërsa sipas Kushtetutës mandati i të parit të shtetit është pesë vjet. Zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, i cili përfundon më 4 prill të këtij viti (këtu).

Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe afrimi i përfundimit të mandatit të presidentes Osmani u hapën rrugë raportimeve, publikimeve dhe pretendimeve të ndryshme që lidhen me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Vetë Vjosa Osmani, në një intervistë të publikuar më 29 dhjetor në mediumin “Radio Evropa e Lirë”, deklaroi se pas përfundimit të këtij mandati synon të kandidojë sërish për postin e presidentes (shih këtu).

Deklarimi i saj për një kandidaturë të mundshme për një mandat të dytë e vendosi çështjen e zgjedhjes së presidentit në qendër të diskutimeve politike dhe mediatike. Në këtë kontekst, tema e Presidencës filloi të diskutohej jo vetëm në nivel institucional, por edhe në hapësirën publike përmes raportimeve, analizave dhe interpretimeve të ndryshme. Krahas diskutimeve legjitime, në hapësirën digjitale, nisën të shfaqen edhe keqinformata. Pikërisht disa nga këto raste u bënë objekt trajtimi nga Hibrid.info.


Dominanca e çështjes së presidentit konfirmohet në raportin monitorues të keqinformimit për muajin janar, 2026. Pozita e presidentit ishte tema më e përdorur për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve keqinformuese në muajin janar (shih këtu).

Nga trajtimet e publikuara rezulton se, që nga fillimi i këtij viti, Hibrid.info ka trajtuar të paktën 20 artikuj që lidhen direkt me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe me figurën e presidentes Vjosa Osmani. Secili prej këtyre artikujve u kategorizua sipas metodologjisë së vlerësimit të Hibrid.info. Tetë nga këto përmbajtje u vlerësuan si “Lajm i rremë”, ndërsa kategoritë “Dezinformatë” (këtu, këtu dhe këtu) dhe “Manipulim i Fakteve” kishin nga tre raste secila (këtu, këtu dhe këtu).

Përveç kësaj, dy përmbajtje u klasifikuan si “Clickbait” (shih këtu dhe këtu), ndërsa dy të tjera morën vlerësim të kombinuar si “Lajm i rremë/Mashtrim” (shih këtu dhe këtu).

Vlerësim kombinuar u dha edhe në dy përmbajtje tjera, të cilat u vlerësuan si “Manipulim i fakteve/Dezinformatë” dhe “Dezinformatë/Clickbait” (shih këtu dhe këtu).

Përveç presidentes Osmani, në përmbajtjet e trajtuara përmenden shpesh figura të tjera politike si, kryeministri Albin Kurti (këtu dhe këtu), kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku (këtu, këtu dhe këtu), kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj (këtu dhe këtu), kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku (këtu), zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa (këtu) dhe zyrtari i LDK-së Lutfi Haziri (këtu).

Në disa raste përfshihen edhe figura ndërkombëtare si presidenti i Shteteve të Bashkuara (ShBA), Donald Trump. Po ashtu është përmendur Elon Musk në kontekst të një imazhi të gjeneruar me inteligjencë artificiale që pretendonte një takim të paqenë (shih këtu dhe këtu).


Sa i përket tematikave, analiza e përmbajtjes nxjerr në pah disa tema, duke veçuar kandidaturat e mundshme për president, ku ofrohen pretendime për ambicie apo propozime pa bazë faktike; deklarata të shtrembëruara, ku ndryshohet kuptimi përmes titujve apo nxjerrjes jashtë kontekstit dhe takime e mbështetje ndërkombëtare të paqena, veçanërisht përmes përmbajtjes vizuale të manipuluar.


Të drejtën e nominimit si kandidat për president e ka secili shtetas që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president. Zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Nëse në dy votimet e para asnjë kandidat nuk i merr 2/3 e votave, organizohet votimi i tretë dhe në mes të dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 vota). Zgjedhja e presidentit në Kuvend bëhet me votim të fshehtë (shih këtu).

Deri në përfundimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit kanë mbetur vetëm katër ditë, dhe deri tani nuk është shpallur asnjë kandidaturë zyrtare. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi përballet me rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme.

Ditët intensive

Bazuar në përvojën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku intensifikoheshin përmbajtjet keqinformuese në përfundim të fushatës, ekziston mundësia që edhe në ditët e fundit para zgjedhjes së presidentit të vazhdojnë të shfaqen raste të ngjashme.

Prandaj, përveç paralajmërimit për kujdes ndaj titujve të nxjerrë jashtë kontekstit, pretendimeve të pabazuara dhe përmbajtjes vizuale të manipuluar, lexuesve u rekomandohet të konsultojnë burime të verifikuara lajmesh dhe platforma për verifikim të fakteve, si Hibrid.info; të kontrollojnë informacionin përmes raportimeve të institucioneve zyrtare të Kosovës, si Kuvendi i Kosovës dhe Zyra e Presidentit; të mos e shpërndajnë lajmin pa e verifikuar burimin dhe përmbajtjen, sidomos në rrjetet sociale si dhe të përmbahen nga spekulimet dhe komente që nuk bazohen në dokumente apo deklarata të verifikuara.

Ky paralajmërim synon të ndihmojë lexuesit të ndjekin procesin e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të informuar, duke minimizuar ndikimin e keqinformimit në perceptimin publik.

Share With Others

Leave a Reply