Portali i dyshimtë “gjithckafresh.info” ka publikuar një artikull me titull ‘Arben Gashi: Në fillim të muajit janar populli do të lëvizë pa viza’.
Pas verifikimit dhe hulumtimit të bërë përmes makinave të kërkimit dhe rrjeteve sociale, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë një deklaratë të tillë të bërë nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Në bazë të procedurës së verifikimit të fakteve, rezulton se ky artikull përmban titull dhe përmbajtje të sajuar. Në tekst mund të vërehet jo-serioziteti i këtij portali, pasi diku thuhet se bëhet fjalë për muajin janar, e diku tjetër për nëntor. Megjithatë, lajmi është i rremë ndërsa në publikimin e tij nga faqja “Gazeta Aktive” ka arritur të marrë mbi 80 komente.
Teksti origjinal i publikuar nga ‘Gazeta Aktive’:
Arben Gashi: “Në fillim të muajit Janar populli do të levizë pa viza.”
Arben Gashi: “Në fillim të muajit Janar populli do të levizë pa viza.” (VIDEO)
Shefi i grupit parlamentar të LDK, Arben Gashi gjate konferences se sotme ka berë me dije se qytetaret e Kosoves je fillim te muajit Janar do të levizin drejt Europës pa viza.
Gashi tha: “Unë jam i bindur për këto fjalë, kemi mbeshtetjen e gjitha shteteve si Amerika, Gjermania e Franca, ne fillim te nentor levizim pa viza.” Happeni happsiren e më p00shtme.ndiqnii pamjeet
Vegëza e artikullit të publikuar nga “gjithckafresh.info” i shpërndarë në faqen “Gazeta Aktive” në Facebook:
https://www.facebook.com/GazetaAktive/posts/3575828502494002
Analiza:
Ky artikull përmban titull dhe përmbajtje të rreme. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, dhe analizës së tyre, ky shkrim përmban lëshime dhe indikator jo-profesional që mund ta kategorizojnë atë si ‘lajm i rremë’, ‘dezinformatë’ dhe ‘clickbait’.
Arsyetimi:
Lajm i rremë – Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.
Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.
Clickbait – “Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.