Përgatiti: Etrit Rexhepi
Gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në vitin 2025, ishin hasur shpesh përmbajtje në të cilat personaliteteve të ndryshme nga politika, u atribuoheshin deklarata të ndryshme të pa thëna për politikanët në Kosovë. Hibrid.info kishte vërejtur këtë dukuri dhe me anë të një artikulli e këshillonte audiencën për kujdes dhe verifikim të fakteve përpara se të besohen përmbajtje të tilla (shih këtu).
Që prej publikimit të artikullit, hibrid.info ka trajtuar disa publikime tjera të ngjashme, ku është pretenduar për deklarime nga personalitete të ndryshme në favor të politikanë në Kosovë. Gazetari britanik, Richard Quest, që komenton rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, një tjetër që pretendon se kryeministri britanik, Keir Starmer ka uruar dhe ka cilësuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si “lider të nivelit botëror”, Ambasada Amerikane që ka vlerësuar Qeverinë Kurti për situatën në veri dhe ish-presidenti George Bush që deklarohet për Hashim Thaçin dhe procesin e tij gjyqësor në Hagë. Këto janë disa nga përmbajtjet e trajtuara dhe të vlerësuara si “Lajme të rreme”, në bazë të metodologjisë që ka në përdorim hibrid.info (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Edhe pas këtyre trajtimeve, përmbajtje të tilla po vazhdojnë të publikohen në mediat sociale (Facebook dhe TikTok). Hibrid.info ka hasur disa prej tyre (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Çka janë lajmet e rreme?
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësisht të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.
Pse na duken lajmet e rreme të vërteta?
Në librin “Psikologjia e lajmeve të rreme” botuar nga Rainer Greifeneder, Mariela Jaffe, Eryn Newman dhe Norbert Schwarz, shkruan se lajmet e rreme na duken të vërteta. Aty shpjegohen edhe arsyet pse ndodh një gjë e tillë.
Libri tregon se kur konsumohen përmbajtje të rreme, intuita qëndron mbi faktet. Sipas këtij libri, ne rrallë e analizojmë informacionin me vërtetësi shkencore. Në vend të kësaj, ne përdorim “rrjedhshmërinë konjitive”, që do të thotë se nëse mesazhi përpunohet lehtë nga truri, ai “ndjehet” i saktë.
Në libër renditen edhe pesë kriteret e “saktësisë” intuitive:
- Përputhshmëria: A përshtatet me besimet që kam?
- Koherenca: A tingëllon si histori logjike?
- Besueshmëria: A duket burimi i njohur (edhe nëse është thjesht emër i lehtë)?
- Konsensusi: A e pëlqejnë dhe shpërndajnë të tjerët?
- Evidenca: A më vjen lehtë ndërmend një shembull për këtë?
Arsye tjeter përmendet fuqia e përsëritjes. Një lajm i rremë i përsëritur bëhet “familjar”. Truri e ngatërron familjaritetin me të vërtetën. Kjo ndodh edhe kur e dimë që informacioni është i rremë, por thjesht “ndjehemi” sikur ka diçka të vërtetë aty.
Gjithashtu brenda këtij botimi theksohet se mediat sociale janë të dizajnuara për të rritur ndjenjën e vërtetësisë pasi mesazhet janë të shkurtra, vijnë nga miqtë dhe përsëriten pafundësisht.
Si përfundim, përmendet edhe rreziku që kur korrigjojmë një lajm të rremë, duke e përsëritur atë, ne pa dashje e bëjmë më familjar. Me kalimin e kohës, njerëzit harrojnë korrigjimin dhe mbajnë mend vetëm gënjeshtrën që tani u duket “e dëgjuar”.
Karakteristikat e këtyre përmbajtjeve
Në këto përmbajtja jepen deklarata shumë vlerësuese (për Kurtin, Osmanin dhe Thaçin) por pa vegëz, datë të saktë, kontekst apo referencë zyrtare të kontrollueshme.
Imazhet kanë emra institucionesh, mediash ose personalitete të njohura që përdoren si autoritet, për të krijuar besueshmëri, pa prova që deklaratat janë reale.
Fotot mund të jenë reale ose arkivore, por teksti u shtohet më vonë, gjë që mund ta bëjë përmbajtjen më bindëse vizualisht, edhe kur mesazhi është i pavërtetë.
Gjithashtu, nuk sqarohet kur, ku dhe në çfarë rrethane është bërë takimi apo deklarata, çka mundëson që një foto e vjetër ose neutrale të përdoret për narrativa aktuale.
Zakonisht këto përmbajte publikohen nga llogari dhe faqe në media sociale (jo media). Postimet e tilla gjenerojnë numër të madh pëlqimesh dhe komente, në përmbajtjet e cilëve vërehet se ato mund të përceptohen si të vërteta nga audienca.



Çka do të thotë se, këtu mund të konkludohet se publikimi i këtyre përmbajtjeve nuk është i rastësishëm. Ato janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të përputhen me bindjet ekzistuese të audiencës, duke shfrytëzuar autoritetin e figurave apo institucioneve të njohura, për të aktivizuar kështu mekanizmat intuitivë të besueshmërisë.
Mungesa e burimeve të verifikueshme, kontekstit kohor dhe referencave zyrtare, e kombinuar me përdorimin e imazheve dhe teksteve, e bën këtë lloj përmbajtjeje të lehtë për t’u përpunuar dhe për t’u perceptuar si e vërtetë. Për më tepër, publikimi i tyre në media sociale, ku mesazhet përsëriten dhe shpërndahen nga llogari jo-mediatike, rrit ndjesinë e familjaritetit dhe konsensusit, duke e forcuar edhe më shumë perceptimin e saktësisë.
Si rezultat, këto përmbajtje mund të publikohen me qëllim që të ndikojnë në perceptimin e publikut, të krijojnë narrativa të favorshme për figura të caktuara politike dhe të shfrytëzojnë mënyrën se si funksionon përpunimi intuitiv i informacionit në mjedisin digjital, veçanërisht gjatë periudhave të ndjeshme politike.
Përballë përhapjes së vazhdueshme të këtyre përmbajtjeve, bëhet e domosdoshme që audienca të tregojë kujdes të shtuar gjatë konsumimit të informacionit në media sociale dhe të mos i pranojë si fakte deklaratat që mungojnë burime të verifikueshme dhe që nuk kanë kontekst të qartë. Vetëm përmes verifikimit të informatave dhe zhvillimit të mendimit kritik mund të reduktohet ndikimi i këtyre narrativave të rreme në opinionin publik.