Shkroi: Fatbardh Dema
Të martën dhe të mërkurën (10, 11 shkurt) është publikuar një postim në Facebook nga faqet “Gjilani POST” dhe “Departamenti.com” (vegëzat e arkivuara këtu dhe këtu).
Në këto postime shfaqet një imazh i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i është vënë një mbishkrim me pretendimin se paraqet një deklaratë të dhënë nga ai.
Mbishkrimi origjinal i postimit:
“”Nuk ka prokuror të shitur që mundet me më shantazhu, sha e fy në luftën time të drejtë kundër Serbisë. Edhe 200 vite dënim të më jepni, deklaroj që gjithmonë do t’ia kthejë pushkën e lapsin Serbisë agresore” – I juaji, Hashim Thaçi”.

Çka nuk shkon me këtë postim?
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një deklaratë e tillë nga Thaçi nuk ekziston e publikuar në asnjë media apo burim kredibil.
Hibrid.info ka kërkuar përmes Google lidhur me këtë deklaratë, por rezultatet nuk shfaqin asnjë artikull të publikuar që do ta mbështeste atë. (shih këtu)
Pse trajtohen këto përmbajtje?
Postimet e publikuara, deri në shkrimin e këtij artikulli, kanë arritur të grumbullojnë mijëra reagime e qindra komente. (shih këtu dhe këtu)
Duke u bazuar në komentet e bëra në këto dy postime, vërehet se shumica e audiencës e kanë marrë këtë pretendim si të vërtetë.
Procesi gjyqësor në Hagë
Në Gjykatën Speciale, të hënën (9 shkurt, 2026) ka nisur paraqitja e deklaratave përmbyllëse të Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Prokurorja e specializuar Kimberly Ëest ka kërkuar që katërshja të dënohen me nga 45 vjet burgim, apo 180 vjet në total. (Shih këtu artikullin e publikuar nga REL)
Më 10 shkurt, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj. (Shih këtu artikullin e publikuar nga REL)
Ndërkaq të mërkurën, më 11 shkurt, fjalën përfundimtare do ta japë mbrojtja e Thaçit. Në fjalën e tij hyrëse, Lluka Mishetiq, avokati i ish-presidentit, tha se Thaçi është i pafajshëm. (Shih këtu artikullin e publikuar nga REL)
Deklaratat përmbyllëse palët do t’i mbajnë nga 9 deri më 18 shkurt.
Pas këtij procesi, çështja kalon te trupi gjykues, të cilët kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.
Analiza:
Disa faqe në Facebook publikuan një imazh të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me një mbishkrim që pretendonte të ishte deklaratë e tij.
Pas verifikimit, hibrid.info ka vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është publikuar kurrë në media ose burime të besueshme. Kërkimet online (Google) nuk gjetën asnjë artikull që e mbështeste këtë pretendim.
Megjithatë, postimet kanë grumbulluar mijëra reagime e qindra komente, dhe shumica e audiencës duket se e kanë marrë pretendimin si të vërtetë, duke e shpërndarë atë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



