info@hibrid.info
Publikohet sondazh jokredibil për kryetar të Kaçanikut
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar në TikTok një fotografi me pretendimin se përfaqëson sondazh të ri në garën për kryetar të Komunës së Kaçanikut për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Sondazhi me i ri per Komunen e Kaçanikut” shkruhet në mbishkrimin e fotografisë të publikuar nga llogaria “kaqaniku.press” të dielën (14 shtator). Në tabelën e paraqitur prin Heset Malsiu si kandidat i pavarur me 36%, Jeton Raka i Lëvizjes Vetëvendosje është i dyti me 31%, Sabedin Vishin nga Partia Demokratike e Kosovës me 27% dhe Betim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 5 për qind. Për “të tjerët” janë ndarë 1%.

E vërteta?

Për këtë publikim, llogaria në fjalë nuk ka përmendur asnjë burim kredibil.


Hibrid.info ka verifikuar edhe në makinën e kërkimit, “Google”, me fjalët “Sondazh në Kaçanik”. Nuk është gjetur asnjë përmbajtje kredibile në javët e fundit e që lidhet me matjet e publikuara.

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë përmbajtje që lidhet me matjet, as nëpërmjet fotografisë së publikuar në TikTok.  

Të dyshimtë përmbajtjen e bëjnë edhe gabimet drejtshkrimore. Tek emri i Malsiut është shkruar gabimisht “kandidat i pamvarur” ndërsa te Vishi mbiemrit i është shkruar gabimisht shkronja N.


Përmbajtja deri tash ka marrë mbi 46 mijë shikime. Është përmbajtja më e shikuar nga kjo llogari. “kaqaniku.press” deri tash ka publikuar 7 postime. E llogaria në përshkrim shkruan se është “portal informativ për zgjedhjet lokale në Kaqanik”.


Në garën për kryetar të Kaçanikut, sipas listës së verifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë 7 kandidatë – Hafize Sallahi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Vishi si kandidat i pavarur, Shukri Luta nga Lëvizja e Pavarur e Kaçanikut, Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje, Betim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sabedin Vishi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Heset Malsiu nga Vizioni për Zhvilliimn e Kaçanikut.

Kryetar aktual është Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara (2021) ai pati fituar përballë Jeton Rakës së Vetëvendosjes, në raund të dytë.

Rreth sondazheve

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Në rastin konkret nuk dihet sa njerëz janë përgjigjur në pyetjet e sondazhit apo edhe kur është bërë matja.


Analiza:

Llogaria “kaqaniku.press” në TikTok ka publikuar një fotografi, nëpërmjet së cilës pretendon se paraqet një sondazh për kryetar të Komunës së Kaçanikut, për zgjedhjet e 12 tetorit.

Llogaria nuk përmend asnjë burim kredibil apo të dhëna statistikore që do të tregonin se bëhet fjalë për matje kredibile. Hibrid.info ka përdorur edhe “google.com” dhe në disa mënyra të ndryshme të kërkimit ka verifikuar se nuk ka pasur publikim me pretendimin e tillë në asnjë burim kredibil informacioni.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others