[email protected]
Rishikimi i javës: Clickbait artikull për mendimin e të rinjve për t’u larguar nga Kosova, dezinformatë për marrëveshjen Kosovë-Serbi, manipulim i fakteve se forcat serbe e “gllabëruan” kufirin me Kosovën
shape
shape
shape

Clickbait artikujt dhe dezinformatat janë ato që kanë mbizotëruar gjatë javës së kaluar në ekosistemin keqinformues në përmbajtjet e publikuara në media reale, media sociale dhe portale të dyshimta.

Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative, ndërlidhur me largimin e njërit nga avokatët të Rexhep Selimit në rastin gjyqësor në Hagë; për lirimin nga detyra e zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, më vendim të kryeministrit Albin Kurtit e që u interpretua si shkarkim; për largimin e të rinjve nga Kosova; për djegien e një ndërtese për të cilën nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull.

Dezinformatat janë publikuar në portale informative dhe portale të dyshimta, me pretendime për shpërthime në veri; lidhur me një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës; lidhur me pretendimin se Kurti është deklaruar se marrëveshja me Serbinë do të nënshkruhet me 27 shkurt; për sanksione të reja për Kosovën nga ana SHBA-së dhe BE-së.

Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar nga portale dhe llogari në mediat sociale ndërlidhur me pretendimin pa fakte se në protestën për liri dhe demokraci në Tiranë do të marrin pjesë edhe shqiptarë nga Zvicra dhe BE-ja; lidhur me pamje të një proteste në Hamburg të Gjermanisë me pretendimin se e njëjta është mbajtur në mbështetje të Palestinës.

Manipulimi i fakteve është publikuar nga një portal informativ me pretendimin e rremë se forcat serbe e gllabëruan kufirin me Kosovën dhe kanë nisur tensionet, duke përfshirë edhe investime me miliarda euro për sistem antiraketor.

Përmbajtja mashtruese është publikuar në një llogari në media sociale përmes fotografive të fëmijëve rusë që paraqiten rrejshëm si shqiptarë, duke kërkuar ndihmë financiare për shërim.

Përmbajtje e paverifikuar

Portali “Lecanton27.ch” i vetëquajtur si “gazeta e parë zvicerane në gjuhën shqipe” ka publikuar një artikull me titull “Mijëra shqiptarë nga diaspora drejt Tiranës në protestën e nesërme gjithpopullore për liri e demokraci. Ja sa janë nisur nga Zvicra dhe vendet e BE-së”. Ky portal pretendon se vetëm nga kantoni i Gjenevës dhe Lozanës, javën e fundit janë nisur 52 vetura dhe 6 autobusë transit përmes Prishtinës e Preshevës, e disa edhe përmes Italisë dhe Malit të Zi, për të qenë pjesë e protestës së 20 shkurtit të organizuar nga opozita në Shqipëri. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se portali i lartcekur, nuk ofron fakte që dëshmojnë pretendimin e bërë. (këtu)

Një llogari në median sociale Facebook me emrin “Juamin Velija”, ka publikuar më 9 shkurt një video të një proteste, duke pretenduar se këto pamje janë të një proteste në Hamburg të Gjermanisë në mbështetje të Palestinës. I njëjti pretendim është shpërndarë edhe nga faqja me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis”, që është përcjellë me reagime nga audienca shqip-folëse. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi që këto protesta janë në mbështetje të Palestinës nuk qëndron dhe se në fakt protestat ishin organizuar kundër të djathtës ekstreme në Gjermani. (këtu)

Clickbait

Mediumi informativ “EuroNews Albania” ka publikuar një video-material në Youtube, me titull “Skandal me UÇK në Hagë: Edhe Rexhep Selimi pa avokat!”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij video-materiali nuk e jep informacionin e plotë, pasi që nuk sqaron se ish-deputetit të Kuvendit të Kosovë, Rexhep Selimit i është larguar njëri nga avokatët. Informacioni bëhet i qartë vetëm në përmbajtje (këtu), ku tregohet se ish-deputeti Selimi, i cili po gjykohet në Hagë, nën akuzat për krime lufte, ka mbetur pa njërin ndër avokatët kryesorë. Mos sqarimi i faktit se tregon se Selimit i është larguar vetëm njëri nga avokatët, mund të kuptohet se ai ka mbetur pa avokat në rastin gjyqësor. (këtu)

Portalet informative “veriu.info” dhe “vushtrriaonline.net” kanë publikuar një artikull me titull “Kryeministri Kurti vazhdon me shkarkime, kësaj radhe një zëvendësministër (Dokument)”. Pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info është vërtetuar se Almir Veliji është liruar nga detyra e zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, më vendim të kryeministrit Albin Kurtit, sipas kërkesës së Velijit. Një gjë e tillë bëhet e qartë vetëm në përmbajtje të këtij artikulli të publikuar nga këto portale. Në bazë të këtyre gjetjeve, hibrid.info vlerëson se informacioni i publikuar jo i plotë në titull, mund të lë hapësira për interpretimin e shkaqeve dhe rrethanave të shkarkimit të zëvendësministrit, nga lexuesit. (këtu)

Portali informativ në gjuhën shqipe “Demokracia.com” ka publikuar një artikull me titull “INDEP: Rreth 70% e të rinjve kanë menduar ta lëshojnë Kosovën”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues që nuk e jep informacionin e plotë, pasi nuk sqaron se hulumtimi etnografik është bërë vetëm për tri komuna të Republikës së Kosovës. Kjo bëhet e qartë vetëm në përmbajtje të artikullit ku thuhet “Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Institutin për Studime dhe Prognoza Strategjike (ISSP) kanë prezantuar hulumtimin etnografik “Hulumtimin mbi popullatën NEET për tre komuna të Kosovës – Pejë, Deçan dhe Junik”. (këtu)

Portali informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe “Sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “E frikshme/ Shpërthen në flakë ndërtesa 14-katëshe, dyshohet se…(Video)”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Ndërsa lajmi qartësohet në përmbajtje, ku bëhet e ditur se një zjarr i madh ka rënë në një ndërtesë 14-katëshe në qytetin spanjoll, Valencia. Nisur nga fakti që ky portal informativ është i regjistruar në Shqipëri (shih këtu) dhe përmbajtjet e publikuara nga ky portal janë në gjuhën shqipe, titulli në fjalë, lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë nga vendet shqip-folëse. (këtu)

Dezinformatë

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “xnews7.com” ka publikuar një artikull me titull “LAJM I FUNDIT: Tri shpërthime të fuqishme në Veri”. Në përmbajtje të artikullit thuhet granatat e dorës dyshohet se janë gjuajtur tek Qendra për kontrollin e veturave dhe Car Lazari, në Mitrovicë të Veriut. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër dhe ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. (këtu)

Portalet informative “GazetaTema.net” dhe “Ntv.al” kanë publikuar një artikull (19, 20 shkurt) lidhur me një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në titullin e këtyre portaleve pretendohet se kryeministri Kurti ka thënë “Unë pyes Bankën e Kosovës, jo SHBA”, ndërsa në përmbajtje të artikullit nuk gjendet në asnjë rresht një fjali e tillë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron pasi që në deklaratën e dhënë nga Albin Kurti, nuk ekziston një deklarim i tillë. (këtu)

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një artikull me titullin “Firmoset më 27 shkurt/ Kurti për marrëveshjen me Serbinë”. Hibrid.info ka verifikuar faktet se në bazë të këtij titulli, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar se marrëveshja me Serbinë do të nënshkruhet me 27 shkurt. Në përmbajtje të këtij artikulli kuptohet se kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri për nënshkrim të marrëveshjes në të ardhmen e afërt. Nisur nga rëndësia e titullit në strukturën e një artikulli (këtu), shpërputhja e informacionit që jipet në titull me atë që tregohet në përmbajtje, në këtë rast mund të kuptohet si tendencë manipulimi për lexuesit, të cilët mund ta marrin informacionin e paraqitur në titull si të mirëqenë. (këtu)

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Kjo është çmenduri/ SHBA-BE të vendosura për sanksione të reja”. Ndonëse në titull nuk sqarohet se për cilin vend bëhet fjalë, në bazë të fotografisë se bashkangjitur artikullit, kuptohet se bëhet fjalë për sanksione të reja të mundshme për Kosovën, nga SHBA dhe BE. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, kreu i këtij artikulli është gjetur i shkruar në një artikull tjetër analitik (21 shkurt) të portalit në gjuhën serbe “kosovo-online.com”,  ndërsa informacioni i paraqitur në titull bazohet në deklartatat e ekspertëve, identiteti i të cilëve nuk bëhet i qartë, për dallim prej artikullit të “kosovo-online.com”. (këtu)

Manipulim i fakteve

Televizioni “Top Channel” në kanalin zyrtar në Youtube ka publikuar emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, në titullin e së cilit shkruan “Forcat Serbe ‘GLLABËROJNË’ kufirin me Kosovën! Nisin tensionet? Miliarda euro për sistem antiraketor”. Në këtë emision ishte i ftuar avokati Tomë Gashi, i cili foli rreth çështjes së dinarit serb në Kosovë, si dhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Fjalia në titull “Forcat serbe ‘gllabërojnë’ kufirin me Kosovën” në këtë emision është bërë në formë të pyetjes nga gazetarja, e që Gashi është përgjigjur që këto janë vetëm lojëra të Serbisë. Ndërsa sa i përket fjalisë “Miliarda euro për sistem antiraketor”, në këtë emision asnjëherë nuk është përmendur diçka në lidhje me këtë sistem të armëve. (këtu)

Mashtrim

Llogaria me emrin “Rena Capo” ka postuar një shkrim në hapësirën e vet në Facebook, ku pretendohet se autori/ja e publikimit është nëna e një foshnje 5 muajsh të sëmurë, e cila ka nevojë për operim. Të njëjtin shkrim e ka publikuar me datë 19 janar edhe në grupin publik në Facebook me emër “Shqiptaret ne Londer”, në postimin e shoqëruar edhe me fotografi të foshnjës, kërkohet ndihmë financiare në realizimin e operacionit. Duke u nisur nga dyshimi se në postim nuk shfaqet xhirollogari bankare për ndihmën financiare, e as informata tjera, hibrid.info ka hulumtuar dhe ka arritur të gjejë identitetin real të foshnjave të shfaqura në dy nga fotografitë e publikuara, me anë të cilave pretendohet të paraqitet foshnja në fjalë. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, u vërtetua se janë përdorur fotografitë e fëmijëve rusë për t’i paraqitur rrejshëm si shqiptarë. (këtu)

Share With Others