Mediat ruse Russia Today Balkan dhe Sputnik në shërbimin në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull lidhur me stërvitjen e përbashkët ushtarake të quajtur “Defender Europe 2023” me nikoqirë Kosovën.
Russia Today Balkan dhe Sputnik ngritin pretendimet se “stërvitja e NATO-s me 24.000 ushtarë dhe 1.300 pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, e cila po mbahet në territorin e Kosovës, dërgon një sinjal të keq për serbët e Kosovës, veçanërisht në veri”.
Pretendimi tjetër ka të bëjë me, siç thuhet, se si kjo stërvitje ushtarake përbënë “shkelje drastike të së drejtës publike ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Sipas atij dokumenti, të vetmet forca të armatosura që mund të gjenden në Kosovë janë KFOR-i. Pra, jo NATO apo FSK dhe sidomos ushtritë e Shqipërisë, Turqisë, Amerikës”.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se stërvitjet ushtarake të quajtur “Defender Europe” me një nga nikoqirët Kosovën nuk përbëjnë ndonjë shkelje, dhe se nuk ndërlidhen me serbët e Kosovës.
Vegëzat e artikujve të publikuara në Russia Today Balkan dhe Sputnik:
https://lat.rt.rs/news/32286-starovic-vojna-vezba-kosovo-rezolucija-1244/
Pjesë të artikujve të publikuar në Russia Today Balkan dhe Sputnik:
Stërvitja e NATO-s me 24.000 ushtarë dhe 1.300 pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, e cila po mbahet në gjithë territorin e Kosovës dhe Metohisë, dërgon një sinjal të keq për serbët e Kosovës, veçanërisht në veri. Mund të kërcënojë seriozisht sigurinë tashmë të brishtë.
Dislokimi i forcave të shteteve të veçanta si pjesë e stërvitjes “Mbrojtësi Evropa 2023” në Kosmet paraqet shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas së cilës KFOR-i është e vetmja forcë ushtarake që mund të dislokohet ligjërisht në territor të Kosovës dhe Metohisë.
Pretendimi se organizimi i këtyre stërvitjeve ushtarake në territorin e Kosovës dërgon një sinjal të keq për serbët e Kosovës, që mund të kërcënojë seriozisht sigurinë e tyre, është pretendim i pa bazuar në fakte.
“Defender Europe” është një stërvitje e përbashkët shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së dhe NATO-s. Natyra e tyre është mbrojtëse dhe fokusohet në parandalimin e agresionit. (këtu)
Kjo stërvitje ushtarake është shumëkombëshe ku pjesëmarrëse janë partnerët dhe aleatët edhe nga Ballkani Perëndimor. Në “Defender Europe 2023” si vend pritës janë Shqipëria dhe Kosova dhe marrin pjesë 24 mijë ushtarakë të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partneret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. (këtu, këtu)
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në hapjen e ceremonisë së këtij organizmi të sivjetmë (2023), theksoi qëllimin e ushtrimeve si “Defender Europe 2023”, ndërkohë që vazhdon agresioni rus në Ukrainë. Sipas ambasadorit, stërvitja i shërben edhe qëllimit “për të demonstruar përkushtimin e aleatëve dhe partnerëve evropianë për të përmirësuar shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre”. (këtu)
Pra, stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023” nuk ndërlidhen me kërcënimin e sigurisë së komunitetit serb të Kosovës, siç pretendohet, por këto stërvitje realizohen nuk kuadër të ndërveprimit të SHBA-së me NATO-në dhe partnerët dhe aleatët e saj për ruajtjen e paqes në kontinentin e Evropës.
Gjithashtu, mediumet në fjalë pretendojnë se vetëm KFOR-i ka të drejt të veproj në Kosovë si forcë e ushtarake dhe se pjesëmarrja ushtarakisht e shteteve të tjera, përfshirë këtu edhe FSK-në, janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS-OKB-së.
Por, ky pretendim nuk qëndron, për shkak se Republika e Kosovës e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008 në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, akt ky që e shfuqizoi rezolutën 1244 të OKB-së. (këtu, këtu)
Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë e mbështeti edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nëpërmjet deklaratës së dhënë në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. (këtu)
Për më tepër, ligjshmërinë e pjesëmarrjes së FSK-së në këtë ushtrim e dëshmon edhe aprovimi ligjit për FSK-në në vitin 2019, përmes së cilit ndodhi transformimi në ushtri, me kapacitete shtesë dhe me përgjegjësi të mbrojtjes, por pa ia ndryshuar emrin. (këtu, këtu)
Pas pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në Stërvitjen e forcave amerikane me aleatë ” Defender-Europe’21”, stërvitje kjo, më e madhe në historinë e rajonit të Ballkanit, si dhe statusit të Kosovës si Vend Pritës, vendit i është bërë e ditur se me kapacitete edhe më të mëdha do të jetë pjesë, në Stërvitjen “Defender -Europe 2023”. (këtu, këtu)
Analiza:
Faktet tregojnë se stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” me udhëheqës SHBA-në dhe NATO dhe me pjesëmarrjen e shteteve partnere dhe aleate, si dhe me vend pritës edhe Kosovën dhe pjesëmarrjen e FSK-së, realizohet në kuadër ruajtjes së kontinentit të Evropës nga agresioni dhe sigurimin e paqes, dhe jo me idenë e kërcënimit të serbëve të Kosovës.
Kosova si vend pritës dhe FSK-ja si pjesëmarrës nuk përbëjnë shkelje ndërkombëtare për faktin se Kosova me shpalljen e pavarësisë ka shfuqizuar rezolutën 1244, dhe se FSK-ja në vitin 2019 nëpërmjet ligjit të FSK-së është transformuar në ushtri.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “dezinformatë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.