[email protected]
Pretendimi se kriza në Ukrainë do të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve në Kosovë, është i pabazuar
shape
shape
shape

Mediat online në Kosovë si “Periskopi.com” dhe “Gazetademos.com” kanë publikuar një artikull me pretendimin se kriza në Ukrainë, do të jetë shkaktarë i shtrenjtimit të miellit, metaleve dhe naftës në Kosovë.

Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, dhe ka vërtetuar se titujt e artikujve të publikuar nga mediat e lartpërmendura nuk i përgjigjen përmbajtjes. Përderisa përmes titullit jepet një pretendim që lë të nënkuptohet se paralajmërimi për shtrenjtimin e këtyre produkteve është zyrtar, në përmbajtje sqarohet se ky është vetëm një opinion i një deputeti të Kuvendit të Kosovës.

Në fakt, në përmbajtje gjendet një deklaratë e deputetit të PDK-së, Ferat Shala, i cili ka pretenduar se aneksimi i dy rajoneve të Ukrainës nga Rusia, do të ketë ndikim direkt në ekonominë evropiane, sikurse dhe në Kosovë. Mirëpo ky pretendim është bërë duke mos iu referuar ndonjë të dhëne relevante që i përgjigjet kontekstit të Kosovës.

Vegëzat e artikullit të publikuar në “Periskopi.com” dhe “Gazetademos.com”:

https://www.periskopi.com/paralajmerohet-se-kriza-ne-ukraine-do-te-ndikoje-ne-shtrenjtimin-e-naftes-dhe-miellit-ne-kosove/?fbclid=IwAR2MhVLr_vROA3ctr-iOPwzd3MlvAsYIgSGdhkq9gEvjXajGuGuh9qC_FJ0

https://gazetademos.com/kriza-ne-ukraine-prek-kosoven-paralajmerohet-shtrenjtimi-i-miellit-dhe-metaleve/?fbclid=IwAR1e86G9hNdKVA-2im6rg8yyMDqcAq4VSPbfBxCU8t1_Zl-qWrV1be0Xgfg

Shala këtë deklaratë e dha për “EkonomiaOnline.net”, (këtu). Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në këtë medium online, i cili në titull tregon qartë se ky është një opinion i deputetit të PDK-së.

Ndërsa këtij artikulli që është publikuar në portalet “Periskopi.com” dhe “Gazetademos.com”, i është ndryshuar titulli dhe fotografia, duke mos e bërë të dukshme për lexuesit që ky është një opinion i një deputetit të Kuvendit të Kosovës.


Raste të ngjashme të raportimit të mediave online në Kosovë, lidhur efektin e një lufte eventuale mes Ukrainës e Rusisë në ekonominë e Kosovës, janë bërë edhe javë më parë.

Hibrid.info ka trajtuar edhe këto raste, kur disa media kosovare kanë publikuar artikuj me pretendime të ngjashme (ndikimin e luftës në Ukrainë në ekonominë kosovare) të bazuar në vetëm një deklaratë të bërë nga një përfaqësues politik, duke mos e mbështetur atë në të dhëna relevante. (shih këtu)

Raportime të tilla janë bërë kohëve të fundit edhe nga media ndërkombëtare, por të cilat janë bazuar në të dhëna dhe analiza ekspertësh. Mediumi amerikan “Foreign Policy” më 22 janar (këtu) ka publikuar një analizë të një instituti amerikan për studime në agrikulturë që ngritë një dyshim (hipotezë) për ndikimin që do të mund të kishte një pushtim i Ukrainës nga Rusia ekonomitë afrikane.  


Analiza:

Portalet “Periskopi.com” dhe “Gazetademos.com” kanë publikuar deklaratën e deputetit të PDK-së Ferat Shala, i cili ka bërë një parashikim se kriza aktuale në Ukrainë do ta prekë edhe Kosovën, ku ka paralajmëruar se do të ketë rritje të çmimit të miellit, naftës dhe metaleve.

Por, këto portale këtij artikulli i kanë vënë titull jo sqarues duke mos treguar se kush ka paralajmëruar një gjë të tillë, që lë të kuptohet se ky paralajmërim ka ardhur nga institucione relevante në Kosovë.

Nga analiza e kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar” dhe “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others