info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Dezinformata nga mediat serbe lidhur me ndeshjen Shqipëri-Serbi, Eurovizionin dhe protestën e OVL-UÇK
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Dezinformatat kanë dominuar gjatë javës së kaluar, sipas monitorimit të mediave dhe rrjeteve sociale.

Gjatë javës së kaluar, dezinformatat janë shpërndarë kryesisht në portale serbe, rrjete sociale si Telegram dhe TikTok, si dhe në media shqip në diasporë. Temat e tyre kanë përfshirë pretendime të pabazuara për përjashtimin e qytetarëve me pasaportë të Kosovës nga blerja e biletave për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, akuzat e pabazuara ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për organizimin e protestës kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara në Prishtinë, dhe lajme të rreme për identitetin e një të arrestuari për krime lufte në Zveçan. Po ashtu, është përhapur një artikull dezinformues nga “lecanton.ch” që shtrembëron deklaratat për urimet ndërkombëtare ndaj Edi Ramës, si dhe një video e rreme në TikTok që paraqet kinse testimin e dronëve “Bayraktar” në Kosovë, kur në fakt pamjet janë nga Turqia.

Manipulimi i fakteve këtë javë është evidentuar përmes një video-materiali të publikuar nga faqja në Facebook “The Reis”, ku pretendohet se presidenti francez Emmanuel Macron po fsheh një qese me kokainë gjatë një udhëtimi me tren nga Polonia në Ukrainë, së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Manipulim i fakteve/Dezinformatë u vlerësua publikimi i mediave serbe “b92.net” dhe “kurir.rs” i përmbajtjes dezinformuese, duke pretenduar se Eurovision-i ka shkelur rregullat e EBU-së duke lejuar shfaqjen e flamurit të Kosovës gjatë festivalit. Pas verifikimit nga hibrid.info, ky pretendim është i pavërtetë – rregullat kufizojnë vetëm artistët përfaqësues, jo publikun, dhe nuk ndalojnë valëvitjen e flamujve të shteteve jopjesëmarrëse nga audienca.

Teori konpsirative u vlerësua një postim në platformën X nga llogaria “Serbian Spirit” që pretendon se më 9 maj shqiptarët dëmtuan varrezat ortodokse serbe në Rahovec. Megjithatë, hibrid.info ka verifikuar se ky pretendim nuk mbështetet me asnjë fakt.

Raportimi i njëanshëm i mediumit “Nacionale.com”, i publikuar më 13 maj, pretendon se “VV-ja gënjeu keq për rrugën Prizren-Tetovë”, duke u bazuar vetëm në deklaratën e një zyrtari të “Aleancës Shqiptare” në Maqedoninë e Veriut. Sipas hibrid.info, ky pretendim nuk mbështetet në burime të shumta dhe ende nuk ka të dhëna të qarta nëse rruga do të përfundojë brenda katër viteve të ardhshme.

Narrativa serbe, e shpërndarë më 13 maj në disa media në gjuhën serbe, pason mbylljen e kompanisë paralele të ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut nga institucionet e Kosovës. Ky veprim, që nga autoritetet kosovare u cilësua si hap drejt sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve publike legjitime, u portretizua nga mediat dhe zërat serbë si një akt i rrezikshëm dhe politikisht i motivuar nga kryeministri Albin Kurti. Kjo narrativë e paraqet mbylljen si kërcënim për sigurinë e komunitetit serb dhe si rrezik për pasoja humanitare, veçanërisht për institucionet shëndetësore dhe konviktet që varen nga furnizimi me ujë.

Manipulimi i fakteve

Publikohen video-materiale të cilat shfaqin Emmanuel Macron, presidentin e Francës ulur me Keir Starmer, kryeministrin britanik dhe Friedrich Merz, kancelarin gjerman Friedrich Merz në një tren që udhëtonte nga Polonia në Ukrainë. Videot që shfaq Macronin duke e tërhequr shpejt një objekt të bardhë nga tavolina me dorën e djathtë, pastaj duke e zhvendosur në dorën e majtë dhe poshtë tavolinës, është publikuar nga një faqe në Facebook, me emrin “The Reis”, me pretendimin se bëhet fjalë për qese kokaine, të cilën presidenti francez shihet teksa e fsheh. Faqja “The Reis” ka publikuar dy video më 11 maj,me këtë pretendim. Videoja e parë kap momentin nga afër dhe është e shkurtër në kohë zgjatje, në krahasim me videon e dytë, e cila ka kuadër më të gjerë të pamjes. Por, hibrid.info ka gjetur se pretendimi nuk qëndron. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Publikohen përmbajtje me pretendimin se organizatorët e Eurovision-it kanë shkelur rregullat e tyre duke lejuar që gjatë transmetimit të festivalit të shfaqet flamuri i Kosovës, ndonëse ishte rreptësisht i ndaluar sipas rregullave të reja të EBU-së. Raportime me këtë pretendim janë publikuar sot (14 maj) nga mediat në gjuhën serbe si “b92.net” dhe “kurir.rs”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka pasur ndalesë për valëvitjen e flamurit të Kosovës apo shteteve tjera jopjesëmarrëse. Kufizimet për flamurët vlejnë vetëm për artistët përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse, jo edhe për audiencën në sallë. (këtu)

Dezinformatë

Mediat serbe pretendojnë se qytetarët me pasaportë të Kosovës janë përjashtuar nga blerja e biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi, duke cituar reagime të tifozëve për RTK, ndonëse mungon një konfirmim zyrtar nga ky medium. Biletat do të shiten përmes një aplikacioni online me identifikim zyrtar, dhe përzgjedhja e blerësve do të bëhet në mënyrë të rastësishme. (këtu)

Portali serb “Informer.rs” publikoi një artikull ku pretendohej se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte organizuar ish-pjesëtarë të UÇK-së për të penguar ardhjen në Prishtinë të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. Megjithatë, faktet tregojnë se protesta u organizua në mënyrë të pavarur nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, pa asnjë dëshmi që ta lidhë Kurtin me këtë veprim. (këtu)

Përmes një postimi në median sociale Telegram pretendohet se personi që u arrestua sot (15 maj) nën dyshimet për krime lufte në komunën e Zveçanit, është ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës (PK). Ky pretendim u publikua nga kanali në gjuhën serbe në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER). Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Personi i arrestuar nuk është ish-pjesëtar i PK-së. (këtu)

Artikulli i publikuar dje (15 maj) nga portali informativ në gjuhën shqipe, “lecanton.ch” në Zvicër, në faqen në Facebook mban titullin, “Bernë, Ministria e Punëve te Jashtme e Zvicrës shpjegon pse nuk e urojnë Edi Ramën”,ndërsa në ueb-faqe ka titullin, “Nuk e ka uruar akoma Edi Ramën » / Media zvicerane pyet Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës”. Në artikull pretendohet se zyrtarët e shtetit zviceran kanë deklaruar se do ta urojnë shtetin shqiptar vetëm pas zgjedhjes së qeverisë së re, gjë e cila mbetet të shihet në ditët në vijim. Por, artikulli ka disa të pavërteta sa i përket liderëve dhe vendeve që kanë uruar kryeministrin Rama për fitore. Pretendimi i artikullit se vetëm liderët e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën e kanë uruar Edi Ramën, nuk qëndron. Hibrid.info ka identifikuar urime të publikuara nga liderë të vendeve perëndimore që e kanë njohur Kosovën, përfshirë presidentin Macron, kancelarin Merz, kryeministren Meloni dhe presidenten von der Leyen. (këtu)

Është publikuar një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin dronët Bayraktar duke u testuar në Kosovë. Videoja me këtë pretendim është publikuar dje (15 maj) në TikTok nga llogaria “Kosovo_army1”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i rremë. Videoja është realizuar vitin e kaluar në Turqi. (këtu)

Teori konspirative

Përmes një postimi të publikuar në X (ish-Twitter) pretendohet se të premten (9 maj), shqiptarët dëmtuan dhe përdhosën varrezat ortodokse serbe në Rahovec. Ky pretendim u publikua nga llogaria “Serbian Spirit” me datë 13 maj. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo llogari nuk ofron asnjë fakt që do ta mbështeste pretendim se kryesit e kësaj vepre janë shqiptarë. (këtu)

Raportim i njëanshëm

Është publikuar një artikull i titulluar “VV-ja gënjeu keq për rrugën Prizren-Tetovë”. Kjo përmbajtje është publikuar (13 maj) nga mediumi online “Nacionale.com”. Ky pretendim bazohet vetëm në një burim, që është deklarimi i një zyrtari të ASh-së, i cili është shprehur se rruga nuk do të përfundojë në katër vitet e ardhshme. Hibrid.info ka konstatuar se ende nuk është e qartë nëse rruga do të përfundojë apo jo brenda periudhës së përmendur. (këtu)

Narrativa serbe

Më 13 maj u bë e ditur se në Mitrovicën e Veriut është mbyllur kompania paralele e ujësjellësit, një vendim që, sipas ministres në detyrë të Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, përfaqëson një hap konkret drejt sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e Republikës së Kosovës. Megjithatë, pas ndërhyrjes për mbylljen e kompanisë paralele të ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut, janë artikuluar narrativa serbe që e portretizojnë këtë veprim si një hap të rrezikshëm dhe politikisht të motivuar nga kryeministri Albin Kurti. Sipas kësaj linje narrative, veprimi cenon sigurinë e komunitetit serb dhe rrezikon pasoja humanitare, sidomos për institucionet shëndetësore dhe konviktet studentore që varen nga furnizimi i qëndrueshëm me ujë. Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se mbyllja e kompanisë “Ibar” është një hap konkret në shërbim të sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se tashmë shërbimet do të ofrohen nga KRU Mitrovica, në përputhje me ligjet vendore dhe me standarde më të larta për të gjithë qytetarët, pa dallim. (këtu)

Share With Others