Shkroi: Festim Rizanaj
Më 24 shtator 2023, Policia e Kosovës u përball me një nga sulmet më serioze të viteve të fundit, kur një grup i armatosur hapi zjarr ndaj njësive policore në Banjskë të Zveçanit. Në këtë përleshje mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë. Pas shkëmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë, pjesë e grupit të armatosur, u vranë, ndërsa disa të tjerë u arrestuan. Shumica, sipas pamjeve të publikuara, shihet duke ikur. Ngjarja, përveç që tronditi opinionin publik në Kosovë dhe rajon, u shoqërua me një valë të madhe keqinformimi dhe dezinformimi, duke krijuar pasiguri dhe mjegull rreth fakteve. Kjo valë përfshiu si rrjetet sociale, ashtu edhe mediat tradicionale, veçanërisht ato në Serbi, të cilat ndërtuan narrativa të qëllimshme për të manipuluar perceptimin publik.
Fotografi dhe video të manipuluara
Një nga format më të përhapura të keqinformimit pas ngjarjes ishte shpërndarja e fotografive dhe videove të paverifikuara. Në rrjetet sociale qarkulluan imazhe që pretendonin se tregonin trupat e vrarë të sulmuesve. Verifikimet faktike treguan se fotot i përkisnin ngjarjeve të tjera, përfshirë trupin e një ushtari rus të vrarë në Ukrainë në vitin 2022 dhe një ushtari azerbajxhanas të vrarë në Nagorno-Karabakh në vitin 2016.
Një video, e cila në të vërtetë paraqiste varrimin e viktimave të një masakre në Serbi në maj 2023, u prezantua si varrim i sulmuesve të vrarë në Kosovë. Madje, edhe pamje të policisë bullgare u shpërndanë në Facebook si të ishin pamje nga arrestimi i sulmuesve në veri të Kosovës. Po ashtu, imazhe të snajperistëve gjermanë dhe ushtarëve amerikanë u paraqitën rrejshëm si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Spekulimet për numrin e viktimave
Një tjetër burim keqinformimi lidhej me numrin e të vrarëve nga grupi i armatosur. Portale dhe media të ndryshme raportuan shifra kontradiktore – 6, 8 apo 10 të vrarë – duke shtuar pasigurinë. Në fakt, Policia e Kosovës doli me një komunikatë zyrtare vetëm më 25 shtator, duke konfirmuar se ishin vrarë tre sulmues, ndërsa dy të tjerë ishin arrestuar. Ky lloj spekulimi nuk ishte i rastësishëm: duke fryrë numrin e viktimave, krijohej përshtypja e një përballjeje më të ashpër dhe një narrative e polarizuar që ushqente tensionet ndëretnike.
Narrativat dezinformuese në Serbi
Pasi lajmi u përhap, mediat në Serbi fillimisht qëndruan të heshtura, duke mos ofruar transmetime të drejtpërdrejta apo emisione speciale. Megjithatë, pas disa orësh, narrativat e kontrolluara nga pushteti nisën të shfaqen. Presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se serbët ishin rebeluar për shkak të “terrorizmit të Kurtit”, duke mohuar çdo përfshirje të institucioneve shtetërore serbe.
Të nesërmen dhe ditët pasuese, gazetat kryesore të afërta me qeverinë në Serbi ndërtuan një narrativë të plotë dezinformuese: se ngjarja ishte e inskenuar nga Prishtina, se qëllimi ishte spastrimi etnik i serbëve, dhe se Policia e Kosovës kishte ekzekutuar serbë të pafajshëm. Titujt bombastikë si “Terroristët e Kurtit po vrasin serbët” apo “Kurti kërkon gjak” u përdorën për të nxitur frikë dhe armiqësi.

Përveç titujve, u përdorën edhe mjete të tjera propaganduese: një audio-incizim i manipuluar, i cili pretendonte se policët e Kosovës kishin refuzuar ndihmën për një të plagosur serb; pretendime se videoja që tregonte Milan Radoiçiqin në vendngjarje ishte e vjetër dhe e inskenuar; si dhe akuza të rreme se Policia e Kosovës kishte angazhuar “vrasës me pagesë”. EULEX dhe KFOR demantuan këto pretendime, duke sqaruar se Policia e Kosovës kishte vepruar si reaguese e parë, në koordinim me institucionet ndërkombëtare.
Ky rast tregon qartë se keqinformimi nuk është thjesht një efekt anësor i krizave, por shpesh një mjet strategjik i përdorur për të ndikuar opinionin publik, për të rritur tensionet dhe për të justifikuar veprime politike. Përmes manipulimit të fakteve dhe fabrikimit të “dëshmive”, u tentua të krijohej një realitet paralel që e viktimizonte njërën palë dhe e demonizonte tjetrën. Në një kontekst të tillë, verifikimi i informacionit bëhet domosdoshmëri, jo vetëm për gazetarinë e përgjegjshme, por edhe për shoqërinë, e cila rrezikon të manipulohet nga narrativa të ndërtuara mbi gënjeshtra.















