Më shumë se 50 publikime me pretendimin se paraqesin matje të opinionit publik në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit kanë marrë shikueshmëri milionëshe në media sociale, me hapësirë të theksuar në TikTok.
Që nga fillimi i nëntorit, hibrid.info ka trajtuar disa përmbajtje që lidheshin me kinse matje të opinionit publik për partitë dhe garën zgjedhore. Publikimet në masë të madhe kanë pasur mungesë të metodologjisë, mbi të cilën do të duhej të zhvilloheshin matjet e opinioneve publike. Ka pasur raste kur janë shkruar të dhëna që mund të bënin të besueshme metodologjinë, por në këto raste janë përmendur se “sondazhet” janë kryer nga kompani/organizata që pas verifikimit dilnin se nuk ekzistonin apo s’ishin të regjistruara. Pati edhe raste të manipulimeve duke publikuar matje të vjetra e duke i paraqitur në kontekst të ri. Në shumicë, këto sondazhe që u vlerësuan si lajme të rreme. Edhe kërkimet në “Google” nuk çonin në burime kredibile të informimit e që kanë publikuar përmbajtjet e dyshimta.
Disa prej këtyre pretendimeve, që janë trajtuar nga hibrid.info, nuk janë më të pranishme në media sociale.
Trajtimi (shih verifikimin) i parë u publikua më 15 nëntor. Përmbajtja përfshinte një imazh me emrat e partive politike dhe përqindje. Publikimi ishte shpërndarë në TikTok, Facebook dhe Instagram. Llogaria “rai123” në TikTok me publikimin në fjalë ka marrë rreth 190 mijë shikime. Pas kësaj llogarie, pretendimi i njëjtë u ripublikua edhe nga llogaritë “ekrem.kryeziu2”, “kingbossi1204”, “D I A M A N T” dhe “Skifteri Dardan” me rreth 7 mijë shikime bashkërisht. Imazhi ishte publikuar edhe në Facebook e Instagram. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Në rastin e dytë, hibrid.info pati trajtuar disa pretendime të tjera për “sondazhe”. Publikimi nga “Mindpol” në Facebook se bëhet fjalë për “sondazh të bërë nga një kompani private sllovene” ka marrë mbi 20 mijë shikime. Imazhi i njëjtë, por duke ia ndërruar pretendimin në raste të caktuara, ishte publikuar edhe në disa llogari në TikTok, duke mbërritur rreth 20 mijë shikime (shih këtu, këtu, këtu). Imazhi ishte publikuar edhe në Facebook (shih këtu dhe këtu). Imazhi më pas ishte publikuar nga përdorues të ndryshëm nëpër komente të postimeve të mediave reale.
Publikime të ngjashme pati edhe në llogarinë “Mindpol” në Facebook me 5 mijë shikime. (shih këtu)
Llogaria “albinicilini” në TikTok ka publikuar dy përmbajtje të rreme për kinse matje të opinioneve publike. Bashkë ato kanë marrë rreth 25 mijë shikime (shih këtu dhe këtu). Njëra prej tyre rezultoi se ishte publikuar edhe në Facebook (shih këtu).
Një tjetër përmbajtje që u trajtua nga hibrid.info kishte të bënte me një imazh nëpërmjet të cilit po pretendohej se është sondazh i kryer nga një kompani prestigjioze amerikane e quajtur “UGBA”. Verifikimi e pati nxjerrë si të rremë përmbajtjen. Nuk kishte të dhëna online se ekziston një kompani e amerikane me emrin në fjalë apo akronimin, dhe që merret me matje të opinionit publik. Po ashtu sondazhi si në imazh nuk ishte bërë publik në asnjë burim kredibil informacioni. Përderisa Facebooku nuk tregon shikueshmërinë e një publikimi, “Gazeta Premium” me pretendimin e rremë ka marrë mbi 1 mijë reagime e rreth 640 komente. Ndërkaq publikimi i njëjtë në llogarinë me emrin “transparentmedia1” në TikTok ka marrë rreth 75 mijë shikime.
Pretendime të ngjashme u publikuan edhe në disa raste, qoftë nga llogaritë e trajtuara apo edhe nga të tjera. Shtuar këtu edhe publikime të tjera në TikTok, ato mbërritën në afro 220 mijë shikime (shih disa prej postimeve në TikTok dhe Facebook këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Nga verifikimi i hibrid.info është gjetur se ka pasur pretendim të rremë edhe se kinse Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar një sondazh për zgjedhjet e 28 dhjetorit (shih këtu, këtu dhe këtu)
Në ditët e fundit të fushatës, vëmendje ka marrë një sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në diasporë. Hibrid.info ka verifikuar përmbajtjen dhe rezultoi se mungojnë informatat e nevojshme që të konsiderohet si sondazh i besueshëm. Kjo përmbajtje është publikuar të martën (22 dhjetor) në Facebook nga një faqe me emrin “Shadervani” dhe të mërkurën (24 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “imp3rial.aura”, që ka marrë rreth 117 mijë shikime.
Hibrid.info ka trajtuar edhe një publikues në TikTok që publikonte përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. “PaFiltraNews” publikonte video në të cilat zakonisht shihet një prezantuese ose prezantues televiziv, zëri i të cilëve më pas shoqërohet me pamje të ndryshme. Sa i përket zgjedhjeve ka pasur publikime që pretendonin se janë kronika televizive në të cilat paraqiteshin sondazhe zgjedhore ose matje të opinionit publik. Në një rast ka pretenduar se bëhet fjalë për një sondazh zgjedhor që e paraqet Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në rritje në raport me zgjedhjet e kaluara. Ndërkaq një tjetër shfaqte pretendimin se “Sipas një sondazhi të realizuar në të gjitha qytetet e Kosovës, rezulton se çdo i treti qytetar shprehet se është për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV)”. Kjo llogari nuk figuron aktive më. Deri në momentin e trajtimit më 9 dhjetor, videot e saj grumbullonin mijëra shikime.
Manipulimi me publikime të vjetra
Disa publikime që lidhen me matje të opinionit publik janë vlerësuar si “manipulim i fakteve”, sipas metodologjisë së hibrid.info. Bëhet fjalë për rezultate të matjeve të bëra në të kaluarën, por që u ripublikuan në kohën kur vendi është në fushatë zgjedhore (shih këtu dhe këtu). Njëri publikim mori rreth 110 mijë shikime e tjetri rreth 67 mijë shikime.
Sikur këto, përmbajtjet e njëjta u publikuan edhe në llogari të tjera në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu). Mbi këto pretendime ka pasur publikime edhe në Facebook (shih këtu). Këto publikime kanë marrë mbi 105 mijë shikime së bashku.
Ngjashëm u bë edhe me rikthimin e një pretendimi që ishte trajtuar nga hibrid.info edhe vitin e shkuar. Bëhet fjalë për një sondazh të vjetër, e në të cilin tash janë ndërruar emrat e partive që prijnë. Hibrid.info e pati trajtuar imazhin e njëjtë edhe në korrik të vitit 2024. Atë kohë, përmbajtja ishte cilësuar si “mashtrim”. E në publikimin e bërë më 21 dhjetor, llogaria “tavnikcity100” ka marrë afro 110 mijë shikime.
Në dy raste në TikTok janë publikuar edhe imazhe që paraqesin matje të para 11 muajve nga “Valikon”. Në njërin nga publikimet thuhet se imazhi paraqet “sondazhin e fundit nga ‘valikon’”. Aty pretendohet se po bëhet edhe krahasimi me rezultatet e zgjedhjeve të shkuara. Por vetë uebfaqja “PolitPro” e bën të qartë se bëhet fjalë për sondazh të vjetër, të realizuar para 11 muajsh. Imazhi që paraqet sondazhin e vjetër u publikua edhe nga llogaria tjetër “informuesi”. Bashkë të dyja publikimet kanë marrë mbi 57 mijë shikime.
Një faqe – disa sondazhe të rreme
Faqja me emrin “shadervani” në Facebook nga 11 dhjetori ka bërë tetë publikime me pretendimin se janë matje të opinionit publik lidhur me zgjedhjet apo preferencat e qytetarëve për partitë a liderët politikë (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Në total, publikimet kanë marrë më shumë se 4000 reagime.
Në të gjitha publikimet ka pretenduar se “sondazhet” janë kryer nga “kompania prestigjioze amerikane UGBA”. Verifikimi i mëhershëm nga hibrid.info pati konstatuar se nuk ka kompani të tillë amerikane që merret me matje të opinionit publik.
Në publikime vërehet një favorizim i Lidhjes Demokratike të Kosovës që në shumicën e postimeve shfaqet si partia e parë, e më së keqi si partia e dytë. Hibrid.info pati verifikuar përmbajtje të kësaj llogarie edhe në zgjedhjet lokale. Edhe atë kohë favorizonte LDK-në në Prizren, por se kjo parti në zgjedhjet lokale doli e treta dhe nuk hyri në balotazh siç pretendohej në “sondazhet” e publikuara.
Trendi i zgjedhjeve të kaluara
Fenomeni i sondazheve të rreme ka qenë dhe dominues edhe gjatë periudhave para zgjedhjeve qendrore të shkurtit sivjet dhe atyre lokale në tetor e nëntor.
Këto sondazhe kryesisht kanë pasur mungesë të metodologjisë, mbi të cilën do të duhej të zhvilloheshin matje të opinioneve publike. E ka pasur raste kur janë shkruar të dhëna që mund të bënin të besueshme metodologjinë, por në këto raste janë përmendur se “sondazhet” janë kryer nga kompani/organizata që pas verifikimit dilnin se nuk ekzistonin apo s’ishin të regjistruara.
Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në atë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme.
Nga verifikimi që hibrid.info e ka bërë në periudhën para zgjedhjeve lokale të tetorit, u identifikuan 28 pretendime të rreme se kinse paraqesin matje të opinionit publik në formë sondazhesh apo exit-polleve.
Çka janë sondazhet
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Pse bëhen sondazhet dhe cili është ndikimi tyre?
Sondazhet kryhen për të kuptuar mendimet, qëndrimet dhe preferencat e publikut mbi çështje të ndryshme, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme për politikanët, mediat dhe vendimmarrësit. Sipas Scott Keeter, këshilltar me përvojë i sondazhit në Qendrën Kërkimore Pew, sondazhet janë një mjet thelbësor për të matur opinionin publik, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, pasi ato ndihmojnë në identifikimin e trendeve dhe vlerësimin e pritshmërive të votuesve. Për më tepër, ato kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe në ndërtimin e politikave që pasqyrojnë nevojat dhe interesat e publikut.
Megjithatë, Keeter thekson edhe disa nga kufizimet dhe dëmet e mundshme të sondazheve. Nëse nuk realizohen në mënyrë të saktë, ato mund të përçojnë rezultate të pasakta, duke krijuar perceptime të gabuara mbi mbështetjen politike ose trendet shoqërore. Po ashtu, përdorimi i tepërt i sondazheve mund të ndikojë në manipulimin e opinionit publik, duke i orientuar votuesit drejt fituesve të parashikuar ose duke margjinalizuar kandidatët më pak të mbështetur. Për këtë arsye, është e rëndësishme që sondazhet të realizohen me standarde të larta profesionale dhe interpretimi i tyre të jetë i kujdesshëm.
Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese.
Çka duhet të kemi parasysh?
Lexuesi duhet të ketë kujdes kur informohet nëpërmjet mediave sociale. Emrat e kandidatëve shpeshherë keqpërdoren dhe në bazë të tyre hapen llogari në mbështetje apo edhe kundër. (shih analizën për faqet me emrat e Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës).
Lexuesit duhet të përcjellin punën e verifikuesve të fakteve dhe të përdorin platforma online si “Google Lens” për të vërtetuar vërtetësinë e imazheve.
Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët e tyre, ka filluar me datën 17 dhjetor 2025 dhe përfundon me datën 28 dhjetor 2025, në orën 06:59 (para hapjes së qendrave të votimit)(shih këtu).