[email protected]
Policia e Kosovës demanton pretendimin e mediumit serb për sulm në ndërtesën e liqenit të Ujmanit
shape
shape
shape

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Kurir.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


Mediumi në gjuhën serbe “Kurir” dje (11 dhjetor) ka publikuar një artikull me pretendimin e pabazë se “pjesëtarët e njësive speciale Rosu kanë sulmuar ndërtesën e digës së madhe në liqenin e Ujmanit (Gazivodë)” duke, siç thuhet ndër tjera, “përzënë rojën dhe larguar flamujt serbë nga ndërtesa”.

Artikulli mbanë titullin “ANËTARËT ROSU SULMUAN ME MJETE TË Blinduara GAZIVODËN: Rrëzuan flamujt serbë, pushtuan ndërtesën e digës” dhe për pretendimet e hedhura nuk ofrojnë ndonjë fakt apo edhe fotografi nga vendi i ngjarjes.

Pas verifikimit të fakteve hibrid.info ka gjetur se pretendimi i mediumit serb është demantuar nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, konkretisht Policia e Kosovës.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Kurir”:

https://www.kurir.rs/vesti/politika/4068082/rosu-upale-na-gazivode-poskidali-srpske-zastave-zauzeli-objekat-brane

Pjesë të artikullit të publikuar në “Kurir”:

Pjesëtarët e njësive speciale Rosu kanë sulmuar pak më parë ndërtesën e digës së madhe në liqenin e Gazivodës me armë të plota dhe mjete të blinduara , mëson Kurir.

Me gypa të gjatë dhe autoblinda, aty gjetën një roje që mati nivelin e ujit, e përzunë nga ndërtesa dhe i rrëzuan flamujt serbë që ishin aty.

Sipas informacioneve të fundit, ata janë ende në objektin pranë digës së madhe në Gazivode, të cilën e kanë zënë me dhunë dhe ilegalisht.


Artikuj me pretendimin e njëjtë janë publikuar edhe nga agjencia e lajmeve në gjuhën serbe “Tanjug” dhe gazeta “Politika”.


Pretendimi i mediumit serb se “njësitë speciale Rosu kanë sulmuar ndërtesën në liqenin e Ujmanit duke i larguar nga ndërtesa rojën dhe flamujt serbë” janë të pabaza. Ky medium nuk ofron fotografi nga vendi i ngjarjes apo ndonjë fakt tjetër mbështetës të pretendimit, që do të mund të argumentonte se është kryer një akt i tillë.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook, ka demantuar mediumin serb duke e mohuar e pretendimin e tyre.

“Njëkohësisht përmes këtij njoftimi zyrtar Policia e Kosovës, njofton opinionin publik dhe demanton disa media serbe të cilat i referohen se kinse njësitet speciale të PK-së, te Ujmani kanë ndaluar dhe maltretuar një qytetar/punonjës serb dhe kinse kanë marrë objektet në atë lokacion.” (këtu)

Për më tepër Policia e Kosovës sqaron vendosjen e saj, duke theksuar faktin se nuk është vendosur në asnjë objekt dhe nuk ka maltretuar askënd.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja është vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut, nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm ka legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem.”  (këtu)

Njëkohësisht, Policia e Kosovës, bën thirrje që mediat dhe qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave, thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës.


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “Kurir” ka publikuar një artikull me pretendimin se pjesëtarët e njësive speciale Rosu kanë sulmuar ndërtesën e digës së madhe në liqenin e Ujmanit (Gazivodë) duke e përzënë rojën dhe larguar flamujt serb nga ndërtesa.

Policia e Kosovës e ka demantuar mediumin serb duke e mohuar e pretendimin e tyre se kinse njësitet speciale të PK-së, te Ujmani kanë maltretuar një punonjës serb dhe kanë marre objektet në atë lokacion.

Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës vlerëson se pretendimi i mediumit serb është i pabazë dhe klasifikohet si dezinformatë.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others