info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Deklarata të rreme për presidentin dhe partitë politike, shpërndarje e imazheve/mesazheve të manipuluara
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë javës 23–28 shkurt, hapësira informative në Kosovë u karakterizua nga përhapja e përmbajtjeve keqinformuese, ku dominuan lajmet e rreme.

Gjatë kësaj jave, lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në faqe të ndryshme në Facebook dhe portale online, duke u fokusuar në tema politike dhe institucionale. Një pjesë e përmbajtjeve kanë përfshirë deklarata të sajuara që i atribuoheshin nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, lidhur me çështjen e Presidentit dhe formimin e Qeverisë, ndonëse deklarime të tilla nuk janë gjetur në asnjë burim kredibil. Po ashtu, është publikuar një artikull për një “matje ndërkombëtare” të pretenduar mbi mbështetjen për presidenten Vjosa Osmani, i cili rezultoi i paverifikueshëm për shkak të mungesës së transparencës metodologjike dhe burimeve të konfirmuara. Një tjetër pretendim i pabazuar lidhej me një premtim të supozuar të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dhjetë avionë luftarakë F-16 për Kosovën pas anëtarësimit eventual në NATO, i shoqëruar me imazh të dyshuar si të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe pa asnjë konfirmim zyrtar. Ndërkohë, një faqe në Facebook shpërndau pretendimin e rremë se Vjosa Osmani ishte zgjedhur sërish Presidente e Kosovës, në kohën kur Kuvendi nuk kishte mbajtur ende seancë për zgjedhjen e presidentit dhe nuk kishte kandidat zyrtar të nominuar.

Një lajm i rremë/mashtrim i publikuar në Facebook pretendonte se gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja Vjosa Osmani ishte takuar me sipërmarrësin Elon Musk dhe se ky i fundit kishte premtuar investime qindra milionëshe në Kosovë, madje duke e atribuar lajmin edhe gazetës The Washington Post, por verifikimet treguan se nuk ekziston asnjë raportim i tillë dhe se imazhi i shpërndarë ishte i gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Gjatë kësaj periudhe janë identifikuar mashtrime të publikuara përmes SMS-ve dhe në rrjete sociale: në rastin e parë, qytetarëve u është dërguar një SMS nga një adresë e dyshimtë emaili me thirrje për të klikuar në një vegëz kinse për të përditësuar adresën dhe për të pranuar një pako, duke keqpërdorur emrin e Posta e Kosovës; ndërsa në rastin e dytë, në rrjetin social X është shpërndarë një imazh i manipuluar i aktorit Keanu Reeves, ku ai paraqitej me simbole nacionaliste serbe dhe me një ikonë të ndryshuar që në versionin e rremë shfaqte Car Llazari, ndërkohë që fotografia origjinale nuk përmbante këto elemente.

Raste të manipulimit të fakteve janë publikuar kryesisht në Facebook dhe në disa media online, duke trajtuar tema politike dhe shëndetësore: në rastin e parë, një postim në Facebook e paraqiti deklaratën e deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, si vendim të prerë për të mos marrë pjesë në votimin për president, ndonëse ai e kishte kushtëzuar pjesëmarrjen me arritjen e një marrëveshjeje politike; ndërsa në rastin e dytë, disa media raportuan pa saktësime se në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) do të aplikohej tarifa prej 3 eurosh për të gjithë shoqëruesit e pacientëve, duke lënë jashtë faktin se kjo pagesë vlen vetëm për shoqëruesit e pacientëve mbi 15 vjeç dhe me përjashtime për klinika të caktuara.

Raste të dezinformatës dhe clickbait-it janë publikuar kryesisht në Facebook dhe në media online: portali Kosova-sot.info ka shpërndarë në Facebook një deklaratë të pretenduar të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për gatishmëri për zgjedhje, e cila nuk gjendej në përmbajtjen e artikullit, duke e zëvendësuar me një deklaratë tjetër me kuptim të ndryshëm; ndërsa disa media në gjuhën serbe kanë publikuar pretendime të paverifikuara për një sulm të supozuar nga “shqiptarë të maskuar” ndaj Policisë së Serbisë në zonën e sigurisë, pa burime zyrtare dhe pa konfirmim nga institucionet përkatëse, përfshirë Policia e Kosovës.

Lajm i rremë

Dy faqe në Facebook kanë bërë disa postime me pretendimin se janë deklarata të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit. Në to pretendohet se numri dy i LDK-së ka thënë se partia që ai përfaqëson ka emrin për President të Republikës, si dhe që Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat për qeveri, por jo edhe për President. Po ashtu, pretendohet se ai ka thënë se LDK-ja e do postin e Presidentit. Megjithatë, në bazë të kërkimeve online që Hibrid.info ka bërë, deklarata të tilla nga Haziri nuk janë hasur në asnjë burim kredibil informacioni. I vetmi rast që Haziri ka folur në javën e fundit për këtë çështje në publik është ai i datës 20 shkurt në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku në asnjë rast nuk thotë se LDK-ja e ka emrin për President. (këtu)

Është publikuar një artikull që pretendon se paraqet rezultatet e një “matjeje të fundit ndërkombëtare” për mbështetjen ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke raportuar përqindje të larta të kënaqshmërisë dhe mbështetjes qytetare. Mirëpo, bazuar në trajtimin nga hibrid.info, ky publikim nuk është i besueshëm, pasi i mungojnë elementet thelbësore të transparencës metodologjike pasi nuk identifikon institucionin që e ka realizuar sondazhin, nuk bën të ditur sponsorin, nuk specifikon madhësinë e mostrës, marzhin e gabimit, nivelin e besueshmërisë statistikore apo mënyrën e përzgjedhjes së respondentëve. Hibrid.info gjithashtu nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që konfirmon ekzistencën e kësaj matjeje të pretenduar, çka e bën informacionin të paverifikueshëm dhe të dyshimtë. Për më tepër, raportimi përmban edhe mospërputhje numerike, duke e cenuar saktësinë e pretendimeve. (këtu)

Me anë të një imazhi pretendohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë premtuar Kosovës dhjetë avionë luftarakë F-16, pas anëtarësimit eventual të vendit në NATO. Mirëpo, ky publikim nuk është i besueshëm. Analizat tregojnë se imazhi mund të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA), pasi ai është shkëputur nga një video të cilën platforma “HiveModeration” e ka vlerësuar me mundësi të lartë të jetë e gjeneruar nga IA. Hibrid.info gjithashtu nuk ka gjetur asnjë burim zyrtar që të konfirmojë pretendimin e postimit, duke përfshirë faqet e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së dhe Shtëpisë së Bardhë. Kërkimi në Google nuk nxori ndonjë informacion të besueshëm që mbështet këtë pretendim. (këtu)

“Lajmi i Fundit: Vjosa Osmani zgjidhet sërish Presidente e Kosovës.” është mbishkrimi i vendosur në një fotografi të presidentes Vjosa Osmani, të publikuar nga faqja “lajminews.info” në Facebook, më 25 shkurt. Pretendimi i “lajminews.info” se Vjosa Osmani është zgjedhur sërish presidente e Kosovës nuk është i saktë. Kuvendi nuk ka mbajtur ende seancë për zgjedhjen e presidentit dhe deri në momentin e publikimit të pretendimit, por edhe trajtimit nga Hibrid.info, nuk ka kandidat zyrtar që i ka mbledhur 30 nënshkrimet e nevojshme në Kuvend. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

Përmes një postimi të publikuar në Facebook pretendohet se gjatë një vizite zyrtare në SHBA, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me sipërmarrësin amerikan Elon Musk, i cili gjoja ka premtuar investime qindra milionëshe në Kosovë. Në postim përmendet gjithashtu se lajmi është publikuar nga “The Washington Post”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i rremë. Nuk ka asnjë raportim në media vendore apo ndërkombëtare për një takim të tillë gjatë vizitës së fundit të Osmanit në SHBA, e as në kanalet zyrtare të Presidencës. Po ashtu, në ueb-faqen e “The Washington Post” nuk ekziston asnjë artikull që mbështet këtë pretendim. Analiza e imazhit të publikuar ka vërtetuar se fotografia ku shfaqen Osmani dhe Musk duke ia shtrënguar dorën njëri-tjetrit është e gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Mashtrim

Një SMS i dërguar nga email adresa “boneszstorm@gmail.com”, u ka ardhur në telefona disa qytetarëve me thirrjen që të klikohet në një vegëz në mënyrë që ta ndërrojnë adresën e shtëpisë, për të pranuar gjoja një pako. Hibrid.info, pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, ka gjetur se vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe nuk i përket Postës së Kosovës. (këtu)

Një imazh i aktorit Keanu Reeves është shpërndarë së fundmi në rrjetin social X, ku ai paraqitet me një fanellë me mbishkrimin në serbisht “S’ka dorëzim”, me tre gishtërinj të ngritur në dorën e djathtë dhe me një ikonë kishtare në dorën e majtë, në të cilën në versionin e manipuluar paraqitet imazhi i Car Llazarit. Pas verifikimit nga Hibrid.info, fotografia është gjetur në versionin e saj origjinal, ku aktori mban në dorë një ikonë me imazhin e Shën Mërisë, është i veshur me fanellë të zezë pa mbishkrim dhe ka të gjithë gishtërinjtë të ngritur.  (këtu)

Manipulim i fakteve

Në një postim në Facebook është pretenduar se zëdhënësi dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa është shprehur se partia e tij nuk do të qëndrojë në sallë të Kuvendit gjatë zgjedhjes së presidentit të vendit. Por, pas verifikimit të burimeve mediatike dhe të deklarimeve publike të Mustafës, hibrid.info ka gjetur se Mustafa ka thënë: “Parimisht nuk do të duhej të qëndronim në një sallë pa marrëveshje politike; pra, me marrëveshje politike nënkuptojmë që ulemi, flasim për parimet dhe për emrat”. Kjo tregon se Mustafa në deklaratën e tij, pjesëmarrjen e LDK-së në votimin për president e ka kushtëzuar me arritjen e një marrëveshjeje politike paraprake. Përmbajtja e trajtuar e postimit në Facebook e ka paraqitur këtë qëndrim si një vendim të prerë dhe të pakushtëzuar, gjë që mund të krijojë përshtypjen e gabuar te lexuesit se LDK-ja ka vendosur tashmë të mos marrë pjesë në votim. (këtu)

QKUK ka nisur së zbatuari vendimin që përcjellësit e pacientëve të paguajnë nga 3 euro për natë qëndrimi në klinikat e kësaj qendre. Por, ky vendim vlen vetëm për ata persona që shoqërojnë pacientët e moshave mbi 15-vjeçe. Megjithatë, disa media online kanë raportuar pa saktësuar këtë fakt, duke lënë të kuptohet se tarifa aplikohet për të gjithë, pa përjashtim. Ndërkohë, QKUK në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka sqaruar situatën, duke saktësuar se pagesa prej 3 euro për 24 orë vlen vetëm për personat shoqërues të pacientëve të moshave mbi 15-vjeçe dhe se përjashtim nga kjo bashkëpagesë bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Mediumi online “Kosova-sot.info” ka publikuar në Facebook një pretendim se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar: “Le ta dinë të gjithë se nëse duhet me shku në zgjedhje ne si Vetëvendosje jemi të përgatitur cep më cep”. Megjithatë, pas verifikimit klikimit në vegëzën e artikullit, rezulton se një deklaratë e tillë nuk gjendet në përmbajtje. Në tekst citohet një deklaratë tjetër e Kurtit, ku ai thotë se “nuk shoh zell për zgjedhje të reja”, duke theksuar se as LVV, as PDK dhe as LDK nuk shfaqin gatishmëri apo dëshirë për zgjedhje të reja, ndonëse janë të përgatitura nëse ato mbahen. Kërkimi në Google me fjalët kyçe të deklaratës së pretenduar nuk nxori asnjë burim tjetër përveç postimit të faqes “Kosova Sot” në Facebook. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Disa media në gjuhën serbe kanë pretenduar pa burime zyrtare se “shqiptarë të maskuar” sulmuan Policinë e Serbisë në zonën e sigurisë. Titujt e paraqesin si fakt, por në tekst pranohet se informacioni është jozyrtar. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka publikuar njoftim për rastin. Ngjarja lidhet edhe me pretendime të mëparshme të paverifikuara për sulme të ngjashme. Policia e Kosovës nëpërmjet një sqarimi për media ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi për një rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply