[email protected]
Rishikimi i javës: përmbajtje të rreme në TikTok për vrasjen e Kurtit, mashtrime për ndarjen e pasurisë, teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe
shape
shape
shape

Java që shko u karakterizua me një dominim të lajmeve të rreme dhe artikujve clickbait në ekosistemin keqinformues në Kosovë.

Lajmet e rreme kryesisht kishin të bënin me largimin e serbëve nga Mitrovica, për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit; rreth bombardimeve të NATO-së.

Clickbait artikujt kryesisht kanë qenë të ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull, si dhe reagimin e deputetes nga radhët LVV, Tinka Kurtit, për sharjen e deputetit Kujtim Shala.

Dezinformatat kishin të bënin me mundësi punësimi në Zvicër dhe për mbylljen e segmentit të autostradës nga Suhareka në Prizren.

Artikujt mashtrues kishin të bënin me histori të sajuara me pretendimin për ndarjen e pasurisë dhe mbështetjen financiare.

Përmbajtje e pa verifikuar për radhitjen e Shqipërisë në listën e shteteve në raportin e lumturisë.

Teori konspirative në mediat në gjuhën serbe me pretendimin se Prishtina zyrtare po i përdorë islamikët radikal kundër serbëve; dhe se Prishtina zyrtare ka plan për luftë spiunazhi ku serbët do të jenë objektivi kryesorë i tyre.

Gabim rreth stërvitjes së fundit të përfaqësueses së Kosovës para ndeshjes me Izraelin.

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok me emrin “lumjanana009” ka publikuar një video-material të shkurtër (15 sekondësh) me pretendimin se 40 mijë serbë janë larguar nga Mitrovica gjatë dy ditëve të fundit. Pas hulumtimit të bërë përmes programit të automatizuar online “InVID”, hibrid.info ka vërtetuar se fotografitë e përdorura nga kjo llogari janë të vjetra, njëra e vitit 1999 dhe tjetra e vitit 2021, si dhe kanë të bëjnë me ngjarje të tjera. (këtu)

Llogaria në TikTok “lumjanana009” ka publikuar më 21 mars një video-material të shkurtër (6 sekonda) me imazhe të grupit mercenar rus “Wagner” dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me mbishkrimin “15 MILIONE DOLLARESH PER VRASJEN E KURTIT”. Autori ka prerë nga audio materialin, duke e larguar informacionin që e bënë të qartë se ky lajm ka të bëjë me ministrin e mbrojtjes në Itali, ndërsa ka vënë imazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Gjithashtu, këtij video-materiali i është vënë edhe mbishkrimi “15 MILIONE DOLLARESH PER VRASJEN E KURTIT”. (këtu)

Misioni rus në OSBE në llogarinë zyrtare në Twitter ka publikuar një imazh ku shihet momenti i disa bombardimeve, të cilin është munduar ta paraqesë se i takon fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999. Këtij postimi u janë bashkangjitur 4 fotografi, por që njëra ndër to nuk paraqet imazh nga fushata ajrore e aleancës së NATO-s ndaj ushtrisë serbe (atëherë jugosllave). Ne fakt ky imazh paraqet luftën në Irak, në vitin 2003. (këtu)

Llogaria në TikTok “lumjanana009” ka publikuar një video-material të shkurtër (7 sekonda) me imazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me mbishkrimin “15 million per koken e albinit”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se video-materiali i publikuar nga llogaria “lumjanana009” në TikTok është i montuar. Autori ka prerë pjesë nga audio materiali, duke e larguar informacionin që e bënë të qartë se lajmi ka të bëjë me ministrin e mbrojtjes në Itali, ndërsa ka vënë fotografinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. (këtu)

Clickbait

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që flet për djegien e disa varrezave në Fribourg të Zvicrës, në mënyrë që ajo pjesë të rikthehet në park. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi e njëjta paraqet një pjesë të varrezave të Hajvalisë. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që flet mashtrimin e parlamentit nga ana e ish-kryeministrit. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se për kryeministrin e cilit shtet bëhet fjalë. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se fjala është për ish-krysministrin britanik, Boris Johnson. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi e njëjta paraqet mbishkrimin “Lajm i fundit” përkundër faktit se lajmi nuk përbën interes primar për shumicën e lexuesve shqipfolës të këtij portali. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që flet për vrasjen e dy djemve nga babai. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se ku ka ndodhur ngjarja, duke lënë hapësirë për keqinformim. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Turqi. (këtu)

Portali informativ “GazetaDemos.com” ka publikuar një artikull me titull “Kurti reagon ashpër pas sharjes së Shalës në Kuvend: Vulgarë, jo akademikë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se “GazetaDemos.com” ka vënë titull të paqartë në këtë artikull, për shkak të kontekstit të ngjarjes mund t’i bëjë lexuesit të kuptojnë që reagimi është bërë nga Albin Kurti. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se ndaj deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, ka reaguar deputetja e VV-së, Tinka Kurti. (këtu)

Dezinformatë

Disa faqe në Facebook kanë publikuar më 20 mars një njoftim të vjetër (21 shkurt) për mbylljen e segmentit të autostradës nga Suhareka në Prizren, si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Këto faqe janë munduar që këtë lajm të vjetër ta paraqesin si aktual, kështu duke lënë vend për keqkuptim. (këtu)

Portali i dyshimtë “new.findnews5.com” me datë 19 mars ka postuar një artikull me pretendimin se Zvicra po kërkon punëtorë në disa sektore. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se lajmi është i vjetër (janar 2022), i cili tregon se gjatë vitit 2021 kishte 40 për qind më shumë vende të lira pune në të gjitha rajonet në Zvicër. (këtu)

Mashtrim

Dy llogari në Facebook “Maria Thérèse valdez” dhe “Don Monique” kanë publikuar një postim me fotografinë e një gruaje, me anë të së cilës kanë pretenduar ta ndërtojnë një histori të sajuar, gjoja se personi që shihet në këtë imazh është Kimete Nikqi nga Kosova, por që aktualisht jeton në Francë. Në këtë histori të sajuar thuhet se kjo grua ka vendosur që të ndajë pasurinë e saj, duke qenë se vuan nga një sëmundje. (këtu)

Llogaria në median sociale Facebook me emrin “Herian Lach” ka publikuar me datë 26 shkurt një postim me pretendimin se ky person ka vendosur që të jap donacion veturën e tij (Toyota RAV4), siç pretendohet shkaku i migrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga verifikimi i fakteve i kryer nga hibrid.info është vërtetuar se llogaria në Facebook me emrin “Herian Lach” ka publikuar një shpallje të rreme për dhënien e një veture falas, e cila bazuar në rezultatet e hulumtimit është marr nga platforma online për shitblerje të veturave në Rumani “Auto.ro”. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se shqiptarët janë populli më i palumtur në Evropë, duke e radhitur Shqipërinë në vendin e 91-të nga 147 shtete, duke u bazuar në raportin e përvitshëm të lumturisë, të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë në titull e artikull që Shqipëria radhitet në vendin 91-të në listën e shteteve në raportin e lumturisë është i pa saktë. Pra, në raportin e OKB-së (2023), Shqipëria mban vendin e 83-të. (këtu)

Edicioni i mediumit shtetëror rus – Sputnik në gjuhën serbe, në versionin online “Sputnik.rs”, bënë pretendimin se NATO ka hedhur 37 mijë bomba thërrmuese në fushatën ajrore gjatë luftës në Kosovë, është tërësisht i pabazuar. Hibrid.info ka gjetur të dhëna që tregojnë numër dukshëm më të ulët dhe burime tjera që nuk arrijnë ta evidentojnë fare totalin e numrit të bombave/raketave të hedhura, e lëre më atë të bombave thërrmuese. (këtu)

Teori konspirative

Gjevat Galijasheviq pretendon pa fakte se, “autoritetet e Prishtinës po përdorin islamikët radikalë në njërën anë për të ushtruar presion ndaj serbëve nga Kosova” dhe se Kosova “ka strukturë organizative dhe kapacitet për islam radikal, edhe pse e fsheh atë nga opinioni”. Ky pretendim u bë nga ky, siç quhet, ekspert i sigurisë, duke mos iu referuar ndonjë burimi kredibil. Ndërsa, gjetjet e raporteve nga burime kredibile, të trajtuara nga hibrid.info e thonë të kundërtën. Pra, e argumentojnë reduktimin e numrit të luftëtarëve të huaj. Gjithashtu edhe angazhimi i institucioneve të Kosovës për të publikuar strategjinë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizimit 2023-2028, dëshmon të kundërtën e pretendimit. (këtu)

Gazeta në gjuhën serbe “Informer” pretendon pa fakte se Prishtina zyrtare ka plan për luftë spiunazhi ku serbët do të jenë objektivi kryesorë i tyre. Këto pretendime janë ngritur pas miratimit  të Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes nga Qeveria e Kosovës. Siç bëhet e ditur, Projektligji për AIMS miratuar nga Qeveria e Kosovës nuk është i dedikuar për serbët dhe nuk paraqet ndonjë plan për luftë spiunazhi kundrejt Serbisë, por të amplifikoj “mbrojtjen shtetërore dhe sigurinë qytetare”. (këtu)

Gabim

Portali “GazetaBlic.com” ka publikuar më 23 mars gabimisht një artikull me pretendimin se përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të zhvillojë më 24 mars stërvitjen e fundit para ndeshjes me Izraelin. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se stërvitja e fundit e Kosovës është zhvilluar më 23 mars, ndërsa njoftimin për këtë e ka bërë më 22 mars FFK përmes një komunikate për media përmes e-mail-it. (këtu)

Share With Others