Dega e medias ruse “Sputnik” në serbisht, “Sputnik Srbija” ka publikuar një artikull më 19 korrik duke pretenduar për largimin gradual të forcave të KFOR-it nga disa pozicione në Kosovë. Përmes këtij pretendimi, është ndërtuar raportimi mbi një narrativë alarmiste për sigurinë e serbëve. Në artikull pretendohet se “tërheqja e KFOR-it nga ura mes dy Mitrovicave dhe nga manastiri i Deçanit do të nënkuptonte dhënien e dritës së gjelbër për përfundimin e spastrimit etnik të serbëve në Kosovë e Metohi”, duke shtuar se një hap i tillë “nuk duhet të lejohet”.

Krejt këtë pretendim, kjo media e bazon në një deklaratë të historianit serb Millosh Damjanoviqit, i cili, sipas artikullit, thirret në spekulime për një tërheqje të tullë trupash nga lokacionet e sipërpërmendura.
“Kështu tha historiani nga Kosova dhe Metohia, Millosh Damjanoviq, në lidhje me spekulimet se është planifikuar të largohen plotësisht forcat e KFOR-it nga ura midis Mitrovicës Veriore dhe Jugore në fillim të gushtit, si dhe të fillojë largimi gradual i pjesëtarëve italianë të KFOR-it nga vendi i shenjtë serb i manastirit të Deçanit”, shkruan “Sputnik Srbija”.
Artikulli flet më tej edhe për plane për tërheqjen e forcave të KFOR-it, ndonëse nuk përmend burime.
“Sipas planeve, forcat e KFOR-it në Manastirin e Deçanit do t’i zëvendësojë e ashtuquajtura Policia e Kosovës. Duke ditur qëndrimin ndaj vendeve të shenjta serbe, Damjanoviq thotë se kjo nuk do të thotë ndonjë mbrojtje”, shkruan më tej në këtë artikull.
Shkruan po ashtu se Policia e Kosovës nuk mund të ofrojë siguri për serbët dhe institucionet fetare serbe, duke e cilësuar atë si “një rrezik të drejtpërdrejtë për serbët”. Në të njëjtën linjë, pretendohet se prania e ushtrisë serbe në Kosovë do të ishte “i vetmi faktor që do të garantonte të paktën lirinë fizike të popullit serb dhe të kishës”.
Në fund, artikulli përforcon narrativën e kërcënimit duke cituar ish-zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vullin, i cili pretendon se “hapja e urës mbi Ibër dhe lënia e Manastirit të Deçanit shqiptarëve është hyrje në konflikte dhe legalizim i FSK-së”, duke bërë thirrje që të reagohet menjëherë.
Ky artikull është shpërndarë edhe nga rrjeti propagandistik “Pravda” në domenin për Ballkanin, balkan.news-pravda.com.

Çka dihet për pretendimin?
Historiani Millosh Damjanoviq, fillimisht spekulon për një largim të mundshëm të KFOR-it nga ura mbi Ibër në Mitrovicë dhe nga Manastiri i Deçanit. Më pastaj pretendon se ky veprim do t’i jepte “dritën e gjelbër” institucioneve të Kosovës për vazhdimin dhe përfundimin e pretenduar të “spastrimit etnik” të serbëve.
Ndërkaq, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, në kontekstin e largimit të mundshëm të KFOR-it nga mbrojtja e Manastirit të Deçanit, përmes një reagimi të bërë më 17 korrik, mes akuzave të shumta për pozicionin e serbëve të Kosovës, pretendon se pozita e Kishës Ortodokse Serbe dhe e popullit serb në Kosovë është “gjithnjë e më e vështirë” dhe është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e, siç pretendohet, “politikave të institucioneve të Prishtinës ndaj komunitetit serb”.
Ndaj këtyre pretendimeve të Dioqezës reagoi Policia e Kosovës, duke i hedhur poshtë në tërësi pretendimet si të pabazuara.
Lidhur me spekulimin për largimin e mundshëm të KFOR-it nga ura mbi Ibër dhe nga Manastiri i Deçanit, portali në gjuhën serbe “Kosovo Online” iu drejtua NATO-s për sqarim. Në përgjigjen e tij, një zyrtar i NATO-s theksoi se “misioni ynë ushtarak mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij dhe i përqendruar në vendet ku siguria është më e nevojshme”, duke sqaruar se optimizimi i pranisë së KFOR-it do të bëhet “gradualisht, me kalimin e kohës dhe në lokacione të ndryshme në të gjithë vendin”, në bazë të vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë dhe zhvillimeve në terren. Zyrtari shtoi se ky proces “mund të përmbyset” nëse zhvillimet e sigurisë e justifikojnë, duke mos konfirmuar pretendimet për një tërheqje të KFOR-it nga ura mbi Ibër apo përfundimin e mbrojtjes së Manastirit të Deçanit. (këtu)
Që nga paralajmërimi i NATO-s për optimizimin dhe zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it në Kosovë, disa media serbe kanë ndërtuar dhe amplifikuar narrativa që e paraqesin këtë proces si një hap drejt tërheqjes së misionit ndërkombëtar dhe rrezikimit të komunitetit serb. Në këto raportime pretendohet se reduktimi i trupave të KFOR-it nënkupton “dorëzimin e sigurisë Prishtinës”, rritjen e rolit dhe kontrollit të institucioneve të Kosovës, si dhe transferimin gradual të përgjegjësive të sigurisë te Policia e Kosovës. Paralelisht, është promovuar edhe narrativa se ky proces është pjesë e një plani të koordinuar për tërheqjen graduale të KFOR-it nga Kosova, duke krijuar kështu pasiguri dhe frikë për të ardhmen e komunitetit serb. (këtu)
Analiza:
Pas paralajmërimit të NATO-s për optimizimin dhe zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it në Kosovë, disa media serbe kanë promovuar pretendime se kjo nënkupton transferimin e sigurisë te institucionet e Kosovës dhe mund të çojë drejt tërheqjes së plotë të KFOR-it.
Këto narrativa janë përforcuar me spekulime se largimi i KFOR-it nga ura mbi Ibër dhe Manastiri i Deçanit do t’i jepte “dritën e gjelbër” përfundimit të “spastrimit etnik” të serbëve, ndërsa Policia e Kosovës paraqitet si kërcënim për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Megjithatë, NATO ka sqaruar se bëhet fjalë për optimizim gradual të pranisë së KFOR-it, bazuar në vlerësimet e sigurisë dhe kushtet në terren, dhe se misioni vazhdon të ketë mandat aktiv, ndërsa çdo ndryshim mund të rishikohet nëse situata e sigurisë përkeqësohet.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.