Gjatë monitorimit të përmbajtjeve të publikuara në Facebook, hibrid.info ka identifikuar një rast ku një faqe që vetëprezantohet si media publikon artikuj duke pretenduar se mbështetet në burime të saj të brendshme. Faqja quhet “Gazeta Minuti” dhe aktualisht numëron mbi 240 mijë ndjekës.
Një rast që ekipi ynë ka vërejtur në këtë faqe, është publikimi i një artikulli më 18 mars me pretendimin se “burime të sigurta të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se tashmë është arritur një pajtim politik ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të garuar së bashku në një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. (këtu)

Hibrid.info kërkoi në Google lidhur me këtë pretendim, por që rezultatet nuk shfaqën një informacion të tillë të publikuar nga media apo burime kredibile. (këtu)
Çka ndodhi me këtë përmbajtje?
Pas hulumtimit online, hibrid.info vërejti se ky artikull u shpërnda nga faqe të ndryshme në Facebook (këtu, këtu, këtu dhe këtu), si dhe nga një media e regjistruar në Kosovë “KosovaPost.net”. Ky medium në faqen zyrtare në Facebook publikoi këtë përmbajtje duke iu referuar si burim “Gazeta Minuti”.

Që nga data 18 mars, lidhur me këtë pretendim të bërë nga Gazeta Minuti, asnjë media kredibile nuk ka raportuar për një marrëveshje të mundshme mes tashmë ish-presidentes Vjosa Osmani dhe LDK-së.
Mirëpo, të hënën (6 prill), faqja “Gazeta Minuti” e riktheu edhe njëherë pretendimin e njëjtë. Deri në shkrimin e këtij artikulli, postimi arriti të grumbullojë gjithsej 119 pëlqime e 67 komente.

Çka ndodh kur media e regjistruar citon një faqe anonime?
Media e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), “KosovaPost.net”, publikoi përmbajtjen e njëjtë si “Gazeta Minuti”, të cilën faqe edhe e përdori si referencë në përshkrim.
Deri në shkrimin e këtij artikulli, postimi i publikuar më 19 mars nga “KosovaPost.net” ka grumbulluar gjithsej 90 pëlqime, 92 komente e 6 shpërndarje. (shih këtu)
Pra, një përmbajtje e publikuar si e vërtetë nga një faqe anonime në Facebook ka arritur të depërtojë edhe në një media të regjistruar e më pas të u serviret lexuesve.
Ky fenomen njihet si “information laundering” (pastrim informacioni), ku përmbajtje të paverifikuara kalojnë nëpër një zinxhir burimesh dhe fitojnë legjitimitet të rremë.
Rreth faqes “Gazeta Minuti”
Faqja “Gazeta Minuti”, përmbajtjet që i publikon në Facebook, i poston në një ueb-faqe me emrin nminut.info. Në këtë ueb-faqe nuk figuron asnjë rubrikë që tregon adresë, kontakt apo informacion se kush qëndron prapa saj.
Megjithatë, te rubrika “About” (rreth nesh) në Facebook, kësaj faqeje i figuron një adresë e Gjermanisë, si dhe një email kontaktues info@gazetaminuti.com. Gjithashtu, të deklaruar ka edhe domainin e faqes “http://gazetaminuti.com/”, por që kur klikon në të, hapet një faqe që përmbajtja e saj nuk përkon me përmbajtjet e shpërndara në faqen në Facebook.
Te kjo rubrikë janë të paraqitura edhe llogari në “Youtube”, “Instagram” e “TikTok”, por që aktive është vetëm llogaria në median sociale “TikTok” me 1882 ndjekës (deri në momentin e trajtimit) dhe mbi 74 mijë pëlqime në total, kurse ajo në Youtube dhe në Instagram nuk gjenden.
Në ueb-faqen “http://gazetaminuti.com/”, te rubrika “About Us”, shkruan: “GazetaMinuti.com është një portal lajmesh i pavarur i dedikuar për të ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të paanshëm. Qëllimi ynë është t’i mbajmë lexuesit të informuar me përditësime në kohë dhe mbulim domethënës, duke ruajtur njëkohësisht standarde të forta gazetareske dhe raportim etik”.
“Portali u themelua në vitin 2020 nga Arbnor Buzhala , një gazetar i diplomuar në Universitetin e Prishtines . Që nga fillimi, misioni ynë ka qenë i qartë: të ndërtojmë një platformë të besueshme ku lajmet trajtohen me përgjegjësi, faktet verifikohen dhe besimi i publikut respektohet”.
Mirëpo, Hibrid.info ka kërkuar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) lidhur me këtë ueb-faqe. Ekipi ka kërkuar në disa forma duke përdorur fjalët kyçe “Gazeta Minuti”, “GazetaMinuti”, “GazetaMinuti.com” e “Minuti”, sikurse edhe me emrin që shfaqet në “About Us” si pronar i saj, “Arbnor Buzhala”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë biznes të regjistruar me këta emra. (shih fotografitë më poshtë)





Hibrid.info ka trajtuar gjithsej 9 përmbajtje të publikuara nga faqja “Gazeta Minuti”. Duke u bazuar në metodologjinë tonë, këto përmbajtje janë vlerësuar si “Lajm i rremë”, “Manipulim i fakteve”, “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “Dezinformatë”. (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Çka duhet të kemi parasysh kur shohim përmbajtje të tilla?
Kur shohim përmbajtje të publikuar online, është e rëndësishme të kemi parasysh disa gjëra bazike për të mos rënë pre e dezinformatave:
VERIFIKO BURIMIN
Kush e ka publikuar përmbajtjen?
A është medium i njohur apo faqe e panjohur që pretendon të jetë “media”?
Kontrollo nëse ka informacione për redaksinë, kontaktet apo autorin.
A raportohet e njëjta ngjarje edhe nga media të tjera të besueshme? Nëse jo, ka gjasa të jetë e pavërtetë ose e shtrembëruar.