[email protected]
Rishikimi i javës: clickbait artikull për viza pune në Gjermani, dezinformatë nga mediat serbe, mashtrime për ofrim të kredive online
shape
shape
shape

Artikujt clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi në Kosovë.

Clickbait artikujt kryesisht kanë qenë të ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull, duke lënë hapësirë që të mund të kuptohet se ngjarjet janë zhvilluar në Kosovë. Po ashtu clickbait artikuj kishte edhe për njoftime për viza pune në Gjejrmani dhe kushte pune në Greqi.

Artikujt mashtrues kishin të bënin me postime të fotografive të grave me pretendim se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie, si dhe postime lidhur me ofrimin e rrejshëm të kredive online.

Përmbajtje e pa verifikuar përmes së cilit pretendohet për gjendjen e vështirësuar të një personi për të cilin kërkohet mbështetje financiare për shërim.

Dezinformatë me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar që do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë.

Gabim lidhur me kuotën e golave të shënuar nga Vedat Muriqi për klubin futbollistik spanjoll Mallorca.

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Burri vret komshinjtë e tij pas konfliktit”. Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në Teksas. Përveç titullit përgjithësues, artikulli përmban edhe fotografi jo adekuate, pasi në të shfaqet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Qytetarët përplasen me policinë, arrestohen disa persona”. Në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se arrestimi i qytetarëve ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Tre faqe në median sociale Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, “Muzike shqiptare”, “Gazeta unike.al” dhe” Lajme.al 1” kanë publikuar një artikull me titull lidhur me  një njoftim të vjetër për viza pune nga Ambasada Gjermane. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky njoftim i Ambasadës Gjermane është i vjetër, i publikuar në shtator të vitit 2021. Pra, faqet e dyshimta në Facebook, janë munduar që ta paraqesin këtë lajm të vjetër si aktual. (këtu)

Portali i dyshimtë “sot-news.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje gjendet mundësia për të votuar për fituesin në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Albania”. Në përmbajtje nuk ofrohet asnjë mundësi që publiku të votojë për banorin fitues të këtij spektakli. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me një aksident në Greqi, por që në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e ngjarjes sqarohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit. Mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes që në titull, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se përplasja e nxënësve në këtë aksident, ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me titull “Lajm i mire për shqiptaret! Greqia merr vendimin e ri për punëtorët sezonalë”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se artikulli në fjalë është i vjetër, i publikuar në shtator të vitit 2020. Faqet “Gazeta unike.al” dhe “Lajme.al 1” janë munduar që këtë lajm të vjetër ta paraqesin si aktual. (këtu)

Mashtrim

Faqet në Facebook “Gazeta Globale” dhe “Lajmi Fundit” kanë publikuar artikuj të sajuar me fotografi të një gruaje të huaj, të cilën e ka paraqitur si shqiptare nga Shkodra, që është në kërkim të një lidhje dashurie. Këta artikuj të sajuar, më pas janë shpërndarë në Facebook nga faqja “Gazeta Globale”. Hibrid.info pas verifikimit të kryer, ka vërtetuar se kjo fotografi nuk i takon gruas shqiptare, por është e një personaliteti të huaj, e cila në rrjetin social Instagram është gjetur me emrin “Kristy Lani”. (këtu)

Llogaria në TikTok me emrin “Njerze & Fate (Agjensi-Njohje)” e cila numëron mbi 19 mijë ndjekës, publikon fotografi të grave me pretendim se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie. Në të gjitha këto postime, llogaria e lartcekur, në mbishkrimet e këtyre imazheve të grave, pretendon se ato janë nga Kosova apo Shqipëria. Hibrid.info ka verifikuar dy nga këto imazhe dhe ka vërtetuar se ato fotografi u përkasin grave nga Ukraina dhe Bosnje e Hercegovina. (këtu)

Faqja “Kredi personale” që numëron mbi 3 mijë ndjekës pretendon rrejshëm se ofron kredi online deri në 20 mijë euro për mobilim të shtëpisë. Kampanja që u publikua nga kjo faqe i takon Bankës CREDINS në Kosovë, të cilën është munduar ta përvetësojë, duke i larguar logon autentike, si dhe duke i ndryshuar shumën e kredisë dhe normën vjetore të interesit. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Portali informativ “GazetaDemos.com” ka publikuar një njoftim përmes së cilit pretendohet për gjendjen e vështirësuar të një personi për të cilin kërkohet mbështetje financiare për shërim. Bazuar në kontrollin e fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se “GazetaDemos.com” ka publikuar një njoftim me të dhëna të pa verifikuara. Në njoftimin e publikuar në Facebook nga llogaria “Ardit Gashi”, mungojnë të dhëna shtesë lidhur me sëmundjen që pretendohet se vuan ai. Gjithashtu, nuk bëhet e qartë se gjendja e tij është rënduar vetëm nga aksidenti apo nga ndonjë sëmundje tjetër. Po ashtu pretendimi se ai vuan nga një sëmundje, nuk argumentohet pasi nuk jepen të dhëna shtesë që specifikojnë llojin e sëmundjes. Gjithashtu, është arritur të vërtetohet se me shumë gjasë fotografia nuk është realizuar në Kosovë, bazuar me ngjashmëritë e imazhit të gjetur në gjetur në internet, i cili është realizuar në ambientet e një spitali në Florida. (këtu)

Dezinformatë

Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar që do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë. Ky pretendim është ngritur duke u ndërlidhur me vendimin për lirimin nga detyra të ekipit menaxhues që ishte përgjegjës për krijimin dhe hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Faktet e ofruara tregojnë se kryeministri Kurti ka plan për rregullimin e të drejtave dhe dispozitave të komunitetit serb në Kosovës. Përkundër që u refuzua draft-statuti i përpiluar nga ekipi menaxhues Kurti ofroi draft-vizionin e tij, duke theksuar faktin se serbët duhet të jetojnë në shtetin e Kosovës me të drejtat dhe obligimet e tyre. Prandaj, pretendimet se Kurti e ka konfirmuar që do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë dhe se nuk është i interesuar të formoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është i pabazë. (këtu)

Gabim

Portali “GazetaBlic.com” në faqen zyrtare në Facebook kushtuar sportit “GazetaBlic Sport”, ka publikuar një postim me pretendimin se sulmuesi kosovar i Mallorca-s, Vedat Muriqi, ka arritur në kuotën e 12 golave me ekipin spanjoll gjatë këtij sezoni. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i pasaktë, pasi që Muriqi tashmë ka arritur të realizojë gjithsej 13 gola për Mallorca-n. (këtu)

Share With Others