Të fundit | Trumpi s’e ka kërcënuar Serbinë me bombardim për Kosovën, videot janë gjene… Të fundit | Pretendim i pabazë për ndërlidhje të Haradinajt me projekte në Beograd Të fundit | Deklaratat e përsëritura të Kurtit për gazin amerikan paraqiten në mënyrë ç… Të fundit | Ndërtimi i narrativave serbe për Kosovën përmes deklaratave të një ministre… Të fundit | Narrativa të vjetra, pretendime të reja: Si u ringjall teoria e “izraelizim… Të fundit | Titulli lë të kuptohet se lirimi i Thaçit me kusht është i sigurt Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin qershor 2026 Të fundit | Imazhet dhe videot e manipuluara që qarkulluan gjatë Botërorit 2026 Të fundit | Rishikimi i javës: Clickbait për rezultatet e AUV për “Vita”; mashtrim me I… Të fundit | Një llogari në TikTok me dhjetëra keqinformata me implikime fetare
[ ARTIKULLI ]

Paralajmërimi për zgjedhje nxit publikimin e sondazheve të rreme

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Ky trend ka nisur që kur u dha paralajmërimi nga presidentja Vjosa Osmani (këtu) se vendi mund të shkojë në zgjedhje, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjidhte Presidentin e ri (këtu).

Çka thonë këto pretendime?

Profile dhe faqe të ndryshme në Facebook kanë shpërndarë imazhe për kinse sondazhe mbi preferencat e qytetarëve për partitë politike në vend.

Faqja “Portali Viral Shqip/arkivuar)” ka publikuar një imazh më 14 mars, në të cilin ka paraqitur katër subjekte politike, LVV, PDK, LDK dhe AAK në një grafikon të renditur me përqindje të caktuara.

Në përshkrimin e këtij grafikoni, thuhet: “Ky është sondazhi që duket se e ka tërbuar Kurtin dhe kjo është arsyeja pse i ka ftuar në takim Hamzen dhe Abdixhikun. Pas përplasjes me Osmanin, Kurti ka humbur 15 për qind të mbështetjes, por pritet që të humbas më shumë”.

Ky pretendim i kësaj faqeje nuk mbështetet në asnjë burim, dhe në kërkimet që Hibrid.info i ka bërë online, sondazhin e pretenduar nuk e ka gjetur të publikuar në asnjë burim kredibil. 

I njëjti është gjetur i publikuar edhe në faqen tjetër “Plus Media/arkivuar”, me të njëjtin pretendim, pa burim.

Deri në momentin e trajtimit, këto publikime kanë marrë rreth 150 reagime, rreth 150 komente dhe 3 shpërndarje.

Në po të njëjtën datë, pra 14 mars, profili me emrin “Faton PIRAJ/arkivuar” ka publikuar një imazh me pretendimin se paraqet një sondazh të kryer nga një kompani me emrin “UPO-Consult” mbi preferencat qytetare për partitë politike.

Aty janë paraqitur katër parti politike, LVV, PDK, LDK dhe AAK, si dhe një rubrikë “Të tjerë”. Të gjithave u janë bashkëngjitur edhe përqindjet për gjoja matjet qytetare.

Hibrid.info ka hulumtuar online me emrin e kësaj kompanie të paraqitur nga ky profil, por nuk ka gjetur asnjë të dhënë që do të faktonte se e njëjta ekziston. Ekipi ka hulumtuar edhe në ueb-faqen e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), por as aty kompani me këtë emër nuk rezulton të jetë në databazë (shih foton më poshtë).

Ky pretendim është shpërndarë edhe nëpër profile e faqe tjera (këtu, këtu, këtu/arkivuar, këtu/arkivuar).

Deri në momentin e trajtimit, pretendimi në fjalë, në të gjitha faqet e shpërndara, ka mbledhur gati 3 mijë reagime, rreth 300 komente dhe rreth 160 shpërndarje.

Më 15 mars, faqja në Facebook me emrin “Mërgata me LDK-në/arkivuar” publikoi një imazh me pretendimin se bëhet fjalë për një sondazh me qytetarë në lidhje me preferencat e tyre për partitë politike.

Aty janë paraqitur tri parti, VV, LDK dhe PDK, si dhe një rubrikë tjetër “Të tjera…”, të cilave u janë bashkëngjitur edhe përqindjet e pretenduara.

Në mbishkrimin e kësaj fotoje shkruan: “Sondazhi i bërë nga LVV-ja para ca ditëve e dha këtë rezultat. Prandaj tani kjo qeveri në detyrë po i legalizojnë strukturat paralele serbe, me qëllim që t’ua lenë në dorë këmbët e arushës qeverisë së ardhshme të Kosovës”.

Ky publikim nuk përmban asnjë burim. Duke qenë i tillë, Hibrid.info ka hulumtuar në internet për të parë nëse ka ndonjë burim kredibil që e ka publikuar këtë pretendim, por deri në momentin e trajtimit, nuk është gjetur asnjë.

Pretendimi në fjalë, deri në momentin e trajtimit, ka 188 reagime, 162 komente dhe 4 shpërndarje.

Si erdhi deri te dekreti i Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit?

Mbrëmjen e 5 marsit, Kuvendi i Kosovës thirri seancë për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Por, seanca dështoi meqë në sallë nuk ishin prezentë 80 deputetë, minimumi i nevojshëm për kuorum. Për rrjedhojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për ndërprerje të seancës (këtu).

Mëngjesin pasues, të 6 marsit, presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë për media, tha se ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, dhe për pasojë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Osmani po atë ditë thirri një takim me partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme, ku morën pjesë vetëm tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, por jo edhe partia e kryeministrit Albin Kurti.

Dekreti i Osmanit u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje (këtu), duke e çuar rastin në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit doli me një njoftim më 9 mars, duke vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit (këtu).

Mosmarrëveshjes për zgjedhjen e presidentit i paraprinë disa takime para datës 5 mars (datë kjo që, sipas Osmanit, ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill) mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të PDK-së dhe LDK-së, Hamza e Abdixhiku, por që nuk u arrit konsensus për çështjen.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës

Kushtetuta në nenin 86, paragrafi 2, specifikon: Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Ndërkaq në nenin 82, paragrafi 3, thotë se Kuvendi mund të shpërndahet: nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se fjala “duhet” te neni 86.2 specifikon që në rastin aktual “5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri”.

Ndërkaq Kurti mbështetur në nenin 82.3 ka thënë se “nuk kanë kaluar 60 ditë nga fillimi i procedurës” për zgjedhjen e presidentit dhe se deri në fund të këtij afati “nuk ekziston baza kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit”.

Keqinformatat para 5 marsit

Pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, i shpejtë ishte konstituimi i Kuvendit dhe më pas formimi i qeverisë më 11 shkurt 2026. Por kjo u hapi rrugë raportimeve, publikimeve dhe pretendimeve të ndryshme që lidheshin me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Osmani më 29 dhjetor pati thënë për “Radio Evropa e Lirë” se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes. Deklarimi i saj për një kandidaturë të mundshme për një mandat të dytë e vendosi çështjen e zgjedhjes së presidentit në qendër të diskutimeve politike dhe mediatike. Në këtë kontekst, tema e Presidencës filloi të diskutohej jo vetëm në nivel institucional, por edhe në hapësirën publike përmes raportimeve, analizave dhe interpretimeve të ndryshme. Krahas diskutimeve legjitime, në hapësirën digjitale nisën të shfaqen edhe keqinformata. Pikërisht disa nga këto raste u bënë objekt trajtimi nga hibrid.info.

Dominanca e çështjes së presidentit konfirmohet në raportin monitorues të keqinformimit për muajin janar, 2026. Pozita e presidentit ishte tema më e përdorur për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve keqinformuese në muajin në fjalë (shih këtu).

Nga trajtimet e publikuara rezulton se, që nga fillimi i këtij viti, hibrid.info ka trajtuar të paktën 20 artikuj që lidhen direkt me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe me figurën e presidentes Vjosa Osmani. Secili prej këtyre artikujve u kategorizua sipas metodologjisë së vlerësimit të hibrid.info. Tetë nga këto përmbajtje u vlerësuan si “Lajm i rremë”, ndërsa kategoritë “Dezinformatë” (këtukëtu dhe këtu) dhe “Manipulim i fakteve” kishin nga tre raste secila (këtukëtu dhe këtu).

Përveç kësaj, dy përmbajtje u klasifikuan si “Clickbait” (shih këtu dhe këtu), ndërsa dy të tjera morën vlerësim të kombinuar si “Lajm i rremë/Mashtrim” (shih këtu dhe këtu).

Vlerësim i kombinuar u dha edhe në dy përmbajtje tjera, si “Manipulim i fakteve/Dezinformatë” dhe “Dezinformatë/Clickbait” (shih këtu dhe këtu).

Përveç presidentes Osmani, në përmbajtjet e trajtuara përmenden shpesh figura të tjera politike si, kryeministri Albin Kurti (këtu dhe këtu), kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku (këtukëtu dhe këtu), kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj (këtu dhe këtu), kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku (këtu), zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa (këtu) dhe zyrtari i LDK-së Lutfi Haziri (këtu).

Në disa raste përfshihen edhe figura ndërkombëtare si presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump. Po ashtu është përmendur Elon Musk në kontekst të një imazhi të gjeneruar me inteligjencë artificiale, që pretendonte një takim të paqenë (shih këtu dhe këtu).

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere