[email protected]
Rishikimi i javës: fotografi mashtruese të Papës, pretendim i rremë se është arrestuar Putin, teori konspirative për “Shqipërinë e Madhe”
shape
shape
shape

Artikujt clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi në Kosovë.

Clickbait-artikujt kryesisht kanë qenë të ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull, duke lënë hapësirë që të mund të kuptohet se ngjarjet janë zhvilluar në Kosovë.

Artikuj mashtrues me fotografi të Papa Françeskut të krijuara me inteligjencë artificiale dhe postime mashtruese me fotografi dhe histori të sajuara për gjoja shpërndarjen e pasurisë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Lajm i rremë se është arrestuar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin duke u bazuar në disa fotografi të krijuara nga inteligjenca artificiale.

Manipulim i fakteve nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke pretenduar ta paraqesë arrestimin e qytetarit të nacionalitetit serb (ish-polic) në pikën kufitare të Jarinjes, si të motivuar etnikisht.

Përmbajtje e pa verifikuar me publikimin e një fotografie, me të cilën pretendohet se paraqiten  “minatorët e Trepçës gjatë kohës së syfyrit, në horizontin e nëntë, thellësia mbi 800 metra”.

Gabim në raportimin për rregullimin e rrugës “Xheladin Rekaliu” në Prishtinë, me pretendimin se ajo do të bëhet me 4 korsi.

Teori konspirative nga mediumet në gjuhën serbe “Novosti” pretendon pa fakte se lansimi i platformës QUAD nga katër shtete (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi) është një hap drejt “Shqipërisë së Madhe”, që mund të nxit një konflikt të ri në Ballkan, e që në fakte kjo nismë ka të bëjë me rreshtimin 100% të politikës e Jashtme dhe të Sigurisë me atë BE-së nga ana e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Clickbait

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me punëtorët e postës në Bern të Zvicrër, ndërsa në titull nuk sqarohet se për postën e cilit vend bëhet fjalë. Kjo lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me Kosovën, duke e ditur se ky medium është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiencës janë shqipfolës nga Kosova. (këtu)

Faqja “Vizioni IM” në Facebook ka publikuar një artikull të vjetër të muajit janar lidhur me parashikimin e motit, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se lajmi është i vjetër. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me vrasjen e mësueses dhe plagosjen e disa të tjerëve nga ana e një nxënësi, ndërsa në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në Sao Paolo të Brazilit. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi që në fotografi shihet vetura e Policisë së Kosovës. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me vrasjen e dy grave në një qendër fetare për myslimanët në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, ndërsa në titull nuk sqarohet se për kryeqytetin e cilit shtet bëhet fjalë. Kjo lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, duke e ditur se ky medium është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiencës janë shqipfolës nga Kosova. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që tregon për ngritjen e një komisioni hetimor për dy vajza të zhdukura para 40 vitesh, në Itali. Duke e ditur se mediumi në fjalë është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiencës së tij, janë shqipfolës nga Kosova, titulli i vendosur në artikull, lë të nënkuptohet se në lajm bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull rreth një ngjarje në Itali, ku një nënë ka kërcyer nga dritarja bashkë me djalin e saj 5 vjeçar, por në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje. Duke e ditur se mediumi në fjalë është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiencës së tij, janë shqipfolës nga Kosova, titulli i vendosur në artikull, lë të nënkuptohet se në lajm bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Mashtrim

Gjatë ditëve të fundit është bërë virale në mediat sociale një fotografi e Papa Françeskut ku shihet i veshur me një pallto të bardhë. Kjo fotografi e Papës është bërë lajm edhe në disa mediat ndërkombëtare. Fotografitë e Papa Françeskut të shpërndara në mediat sociale ku shihet i veshur me një pallto të bardhë janë krijuar nga inteligjenca artificiale. Meqenëse shumica e imazheve të krijuara me inteligjencë artificiale janë afër realitetit, përdoruesit priren t’i besojnë atyre pa vënë në dilemë vërtetësinë. (këtu)

Llogaria në Facebook me emrin “Monyseis Premier” ka publikuar një postim me fotografinë e një gruaje, duke pretenduar me anë të një historie të sajuar në gjuhën shqipe, gjoja personi që shihet në imazh është me origjinë portugeze që jeton në Francë. Me anë të këtij postimi, kjo llogari pretendon se kjo grua (Monyeseis Premier) ka vendosur të ndajë pasurinë e saj, duke qenë se vuan nga një sëmundje. Pas kontrollit të fakteve dhe trajtimit i tyre, u kuptua se pretendimi i bërë në këtë postim është tërësisht i sajuar. (këtu)

Llogaria në TikTok me emrin “mysterius8hz” ka publikuar një skenë nga filmi horror “Devils’ Due”, të cilin siç duket është munduar ta paraqesë si reale. Në këtë video-material shfaqet një grua duke konsumuar mish të gjallë. Llogaria e lartcekur, këtij video-materiali i ka vënë edhe mbishkrimin “OPEN YOUR EYES” (Hapni sytë) dhe “E HËNGRI MISHIN TË GJALLË”. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok “lumjanana009” ka publikuar dy fotografi në të cilat shihet figura e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke u arrestuar nga policia dhe ushtria. Fotografitë komike që paraqesin “arrestimin” e Vladimir Putinit, llogaria “lumjanana009” në TikTok është munduar t’i paraqesë si të mirëqena. Gjithashtu, nga kjo llogari është ngritur edhe pretendimi i rremë se “arrestohet presidenti rus Vladimir Putin”. (këtu)

Manipulim i fakteve

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendojë ta paraqesë arrestimin e qytetarit të nacionalitetit serb (ish-policë) në pikën kufitare të Jarinjes, si të motivuar etnikisht. Ky pretendim u demantua nga Policia e Kosovës ku nëpërmjet në një komunikate të publikuar në Facebook bënë të ditur se i dyshuari kërkohej mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në veprat penale si; krim i organizuar, marrje e mitos dhe keqpërdorim i autorizimit. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Portali informativ “Kosovapost.net” në faqen zyrtare në Facebook ka publikuar një fotografi në të cilën paraqiten disa minatorë duke ngrënë ushqim. Në përshkrimin e kësaj fotografie, portali i lartcekur ka pretenduar se paraqet “minatorët e Trepçës gjatë kohës së syfyrit, në horizontin e nëntë, thellësia mbi 800 metra”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi nuk paraqet minatorët e Trepçës, por se fotografia është realizuar diku, në një minierë në Turqi. (këtu)

Gabim

Disa media online në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Rruga nga Bregu i Diellit, në drejtim tek konviktet brenda 90 ditëve bëhet me 4 korsi”. Në bazë të verifikimit të fakteve, është vërtetuar se disa portale në gjuhën shqipe kanë raportuar pasaktë për rregullimin e rrugës “Xheladin Rekaliu” në Prishtinë, me pretendimin se ajo do të bëhet me 4 korsi. Kjo rrugë aktualisht është me 4 korsi, por se e njëjta vetëm do të rehabilitohet (rregullohet) nga Komuna e Prishtinës. Gjithashtu, këto portale në përmbajtje kanë përmendur emrin e një rruge tjetër “Hilmi Rakovica”, e në njoftimin e nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, kjo rrugë nuk është përmendur. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” pretendon pa fakte se lansimi i platformës QUAD nga katër shtete (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi) është një hap drejt “Shqipërisë së Madhe”, që mund të nxit një konflikt të ri në Ballkan. Në fakt, nisma QUAD ka të bëjë me rreshtimin 100% të politikës e Jashtme dhe të Sigurisë me atë BE-së nga ana e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor. (këtu)

Share With Others

Translate »