Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova Të fundit | Mihali nuk ka bërë krahasimin mes Listës Serbe dhe nënkryetarëve të PDK-së… Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime Të fundit | Mbishkrimet nuk e tregojnë se vendimi për këto shtesa është marrë në Greqi Të fundit | Stërvitjet e KFOR-it paraqiten pabazë si përgatitje për trazira në Kosovë Të fundit | Nuk është e vërtetë se nga 7 shtatori shtetasit e Shqipërisë duhet të kenë…
[ ARTIKULLI ]

Si manipulohet opinioni publik përmes llogarive joautentike

ETRIT REXHEPI

Mediat sociale kanë krijuar mundësi që individët dhe grupet të shpërndajnë informacion me shpejtësi të madhe, por njëkohësisht kanë krijuar hapësira për manipulimin e informacionit përmes përdorimit të llogarive joautentike (shih këtu).

Anonimiteti online nuk është domosdoshmërisht tregues i mashtrimit. Përdorimi i pseudonimeve mund të shërbejë për mbrojtjen e privatësisë, sigurinë personale dhe ushtrimin e lirisë së shprehjes. Sipas Electronic Frontier Foundation (EFF), anonimiteti është një element i rëndësishëm i privatësisë dhe lirisë së shprehjes online (shih këtu).

Megjithatë, problemi shfaqet kur anonimiteti përdoret për të fshehur identitetin real me qëllim mashtrimi, për shpërndarjen e vazhdueshme të përmbajtjeve të pavërteta ose për koordinimin e aktiviteteve që synojnë të ndikojnë në opinionin publik.

Por, si mund të ndikojnë profilet joautentike në debatin publik?

Profile joautentike mund të ndikojnë në debatin publik duke rritur artificialisht dukshmërinë e një teme, pretendimi apo narrative të caktuar. Përmes veprimeve të koordinuara ose aktivitetit të vazhdueshëm të një llogarie të vetme, këto llogari mund të krijojnë përshtypjen se një qëndrim gëzon mbështetje më të madhe publike sesa në realitet, duke ndikuar mënyrën se si përdoruesit e perceptojnë rëndësinë e një çështjeje.

Kur ky fenomen kalon në një shkallë më të organizuar, përfshihet e ashtuquajtura “Coordinated Inauthentic Behavior” (sjellje e koordinuar joautentike), e cila lidhet me manipulimin e shpërndarjes dhe amplifikimit të përmbajtjeve në mënyrë joorganike, ku aktiviteti i llogarive synon të krijojë një ndikim artificialisht të rritur në hapësirën digjitale (shih këtu).

Çfarë i bën profilet joautentike kaq efektive në manipulimin e audiencës?

Këto profile mund të jenë efektive sepse shfrytëzojnë mënyrën se si njerëzit përpunojnë dhe interpretojnë informacionin. Përmbajtjet që nxisin reagime emocionale, përdorin narrativa të forta ose aktivizojnë frikë dhe ndarje shoqërore kanë më shumë gjasa të tërheqin vëmendjen dhe të shpërndahen më gjerësisht.

Sipas Wardle dhe Derakhshan (2017), emocionet luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën se si audiencat i japin kuptim mesazheve, ndërsa informacionet që përputhen me bindjet ekzistuese të përdoruesve mund të pranohen më lehtë (shih këtu).

Për këtë arsye, llogaritë joautentike mund të përfitojnë nga përdorimi i gjuhës emocionale, narrativave polarizuese dhe përsëritjes së vazhdueshme të mesazheve.

Si i identifikojme llogaritë e tilla joautentike?

Sipas studimit me titull “Karakteristikat e profileve të llogarive false në Twitter”, karakteristikat publike të profileve mund të përdoren për të identifikuar dallimet mes llogarive autentike dhe atyre joautentike.

Autorët analizuan rreth 62 milionë profile publike në Twitter, duke shqyrtuar elemente të ndryshme të llogarive, përfshirë informacionin e profilit, kohën e krijimit të llogarisë, kohën e përditësimeve, imazhet e profilit, si dhe karakteristikat e marrëdhënieve mes ndjekësve dhe llogarive të ndjekura.

Studimi tregoi se llogaritë e identifikuara si false shfaqnin modele të ndryshme nga përdoruesit autentikë, si krijimi i llogarive në grupe brenda intervaleve të shkurtra kohore, modele jo të zakonshme të aktivitetit, përdorimi i imazheve të njëjta ose me pak ndryshueshmëri, si dhe dallime në raportin mes ndjekësve dhe llogarive që ato ndiqnin.

Megjithatë, kur këto profile kalojnë nga veprimi i izoluar në operacione më të gjera, identifikimi i tyre kërkon shikimin përtej parametrave individualë të profilit, duke analizuar modelet e sjelljes në grup.

Shenjat që tregojnë një aktivitet të koordinuar online

Sipas EU DisinfoLab fenomeni i CIB fokusohet në tre elemente kryesore: së pari, koordinimi, ku aktiviteti kryhet përmes një rrjeti llogarish ose faqesh që shfrytëzojnë sistemet e rrjeteve sociale me qëllim të qartë për të mashtruar; së dyti, joautenticiteti, ku aktorët keqdashës fshehin identitetin e tyre real, vendndodhjen ose qëllimin e vërtetë; dhe së treti, sjellja, ku vëmendja vendoset te mënyra e veprimit dhe jo domosdoshmërisht te përmbajtja, e cila nuk është gjithmonë e rreme apo në shkelje të drejtpërdrejtë të rregullave të platformës (shih këtu).

 Një shembull ndërkombëtar i dokumentuar i një aktiviteti të tillë të sofistikuar është fushata e njohur si “Doppelganger”, një operacion i koordinuar ndikimi ku aktorë keqdashës krijuan kopje identike (domain-e të rreme që imitonin media të njohura perëndimore) dhe përdorën rrjete llogarish joautentike për të shpërndarë narrativa të rreme në shkallë të gjerë (shih këtu).

Rasti i llogarisë “Lule Gjeli”

Si shembull për të diskutuar mënyrën se si mund të funksionojnë profilet anonime është marrë llogaria në Facebook me emrin “Lule Gjeli”.

Kjo edhe për faktin se shumë media në gjuhën shqipe ditëve të fundit kanë hulumtuar dhe kanë publikuar raportime, ku pretendohet se është identifikuar personi që përdor llogarinë në fjalë.

Analiza e këtij profili përmes përmbajtjes dhe sjelljes online tregon se llogaria në fjalë është krijuar  më 27 gusht 2020 dhe ka mbi 14 mijë ndjekës. Kjo llogari përdor një identitet të fshehur pas një imazhi të Statujës së Drejtësisë, të cilën e përdor si fotografi profili dhe paraqet mospërputhje mes vendndodhjes së deklaruar në seksionin e të dhënave (Baltimore, Maryland) dhe vendndodhjes parësore të personit që administron me llogarinë (Kosovë).

Gjetjet tregojnë se llogaria është përfshirë vazhdimisht në shpërndarjen e përmbajtjeve të dyshimta, duke u trajtuar në 16 raste nga hibrid.info për publikimin përmbajtjeve të dyshimta, duke përfshirë lajmet e rreme dhe postimet me përmbajtje politike të njëanshme e shpesh të pavërtetuara, rreth figurave politike vendore dhe ndërkombëtare (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Të gjitha këto tregojnë qartë se llogaria “Lule Gjeli” shfaq karakteristikat tipike të një profili joautentik.

Megjithatë, deri më tani, nga këto trajtime apo nga institucionet zyrtare nuk ka prova apo konstatime që të kenë vërtetuar se kjo llogari ka operuar si pjesë e ndonjë rrjeti të koordinuar ose të organizuar të dezinformimit.

Si përfundim

Ilustrimi i mësipërm tregon qartë se si anonimiteti dhe profilet joautentike mund të shfrytëzohen në praktikë për shpërndarjen e vazhdueshme të dezinformatave dhe narrativave të njëanshme, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e një rrjeti të organizuar të koordinimit.

Ndërsa mbrojtja e privatësisë mbetet një e drejtë legjitime e përdoruesve online, mungesa e transparencës dhe manipulimi i perceptimit publik përmes llogarive të tilla kërkojnë një qasje kritike dhe kujdes të vazhdueshëm nga ana e audiencës për të dalluar informacionin e besueshëm nga tentativat e manipulimit digjital.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere