[email protected]
Rishikimi i javës: dezinformatë se shqiptarët po përgatiten për spastrim etnik të serbëve, teori konspirative lidhur me princeshën Diana, artikuj mashtrues lidhur më votimin në Big Brother Vip Albania
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve me përmbajtje dezinformuese në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Përmbajtjet dezinformuese kishin të bënin me pretendime se Kurti ka harxhuar 20 mijë euro për ndërrim të mobilieve në zyre; për rënien e zogjve të ngordhur në Gjirokastër; për vdekjen e aktorit turk; për vdekjen e vogëlushes 4 vjeçare në krahët e shpëtimtarit në tërmetin e Turqisë; si dhe pretendimin e mediumit në gjuhën serbe se shqiptarët po përgatiten për spastrim etnik të serbëve.

Clickbait artikujt kryesisht kanë qenë të ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull.

Teori konspirative me ane të fotografisë së realizuar nga inteligjenca artificiale pretendohet se princesha Diana është gjallë.

Manipulim i fakteve se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se Albin Kurti më mirë di të flas serbisht sesa shqip.

Artikuj mashtrues lidhur më votimin në Big Brother Vip Albania dhe faqeve për kërkim të një lidhjeje dashurie.

Dezinformatë

Portali “Rilindja.al” dhe disa portale të dyshimta kanë publikuar një artikull, duke pretenduar në titull se Facebook dhe Instagram bëhen me pagesë për shqiptarët. Mirëpo, në përmbajtje theksohet se verifikimi i llogarive do të bëhet me pagesë, për personat që duan t’i verifikojnë ato me “Tick-un e kaltër”. Gjithashtu, lajmi nuk ka të bëjë veçanërisht për shqiptarët, siç lë të kuptohet nga titulli i vendosur. (këtu)

Llogaria “mrgame.ks” ka publikuar në TikTok një video-material të shkurtër në të cilën shihen disa zogj tek bien të ngordhur nga qielli, ngjarje kjo që kishte ndodhur në vitin 2022 në qytetin meksikan Chihuahua. Mirëpo, faqja e lartcekur e ka publikuar këtë video me datën 7 shkurt, duke pretenduar rrejshëm se kjo ngjarje “tragjike” ka ndodhur në qytetin e Shqipërisë, në Gjirokastër. (këtu)

Kanali në Youtube “Melodia e Jetës” ka publikuar një video-material për vdekjen e aktorit turk Cagdas Cankaya dhe gruas së tij, Zilan Tigris, gjatë tërmetit të 6 shkurtit. Mirëpo në fillim të materialit paraqitet një aktor tjetër turk, Burak Özçivit, që lë të kuptohet se bëhet fjalë për vdekjen e tij. (këtu)

Medium në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull me pretendimin se shqiptarët po përgatiten për spastrim etnik të serbëve, duke u bazuar në ushtrimet e zhvilluara nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, në poligonin taktik në Cerrnushë të Mitrovicës, ushtrim që cilësohet ilegal nga ky medium bazuar në rezolutën 1244. Pas verifikimit të fakteve është gjetur se ushtrimet e FSK-së janë legale se po zhvillohen në përputhje me ligjin për FSK-në, në pjesën jugore të Mitrovicës pa e shkelur marrëveshjen e 2013-ës në mes Thaçit dhe NATO-s. Pas analizës së kontrollit të fakteve, është vërtetuar se ky pretendim nga mediumi serb është tendencioz dhe i pabazë. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një fotografi me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpenzuar 20 mijë euro për t’i ndërruar mobiliet e zyrës pa ofruar ndonjë fakt për këtë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk janë shpenzuar 20 mijë euro për ndërrimin e mobilieve në zyre, por është hapur tender me vlerë afër 10 mijë euro (9,990.00). (këtu)

Portale të dyshimta në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin në titull se gjatë tërmetit në Turqi vogëlushja 4 vjeçare Azra Duru ka ndërruar jetë në krahët e shpëtimtarit, teksa ai e filmonte drejtpërdrejt me telefon. Pas verifikimit të fakteve, është gjetur se vogëlushja nuk ka ndërruar jetë në krahët e shpëtimtarit, por në spitalit e qytetit Adana, pas trajtimit mjekësorë që ka marrë. (këtu)

Portali i dyshimtë “freshnews213.com” ka publikuar një artikull në lidhje me tërmetin që kishte goditur dje (22 shkurt) Libanin dhe Iranin, të cilës i ka vendosur fotografi të një ngjarje tjetër. Hibrid.info ka arritur të vërtetojë se imazhi i përdorur në këtë artikull është i vjetër, i realizuar pas tërmetit të vitit 2020 që kishte goditur qytetin Elazig në Turqi. (këtu)

Manipulim i fakteve

Llogaria në TikTok me emrin “lajme24h” ka publikuar një video më 16 shkurt me pretendimin se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se “ ALBIN KURTI MË MIRË DI TË FLAS SERBISHT SESA SHQIP”.  Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se, Selmanaj në këtë intervistë nuk e thotë që Kurti më mirë di të flasë serbisht sesa shqip, por ai deklaron se “Kurti më shumë intervista po jep në gjuhën serbe se sa shqipe”. (këtu)

Mashtrim

Portali i dyshimtë “trueneësq.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje gjendet mundësia për të votuar për të nominuarit e spektaklit televiziv “Big Brother Vip Albania”. Në përmbajtje nuk paraqitet asnjë mundësi që publiku të votojë për personat e favorizuar. Gjithashtu, bazuar në hulumtimin e kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka mundësi që të votohet online për të nominuarit në këtë spektakël televiziv dhe se e vetmja mënyrë është përmes mesazheve telefonike (SMS). (këtu)

Portal i dyshimtë “viralnews40.com” ka përdorur një imazh të një gruaje të nxjerrë nga një video e publikuar në platforma online si “Shutterstock” dhe “Storyblocks.com”, me anë të së cilës pretendohet rrejshëm se ajo është nga Shkodra dhe është në kërkim të një lidhe dashurie. Se ky pretendim është i rremë, është vërtetuar pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, pasi bazuar në gjetjet online, kjo grua duket se është një “vlogere” apo person që krijon dhe ndan përmbajtje video në internet. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një vajzë 5 vjeçare, e cila ishte gjetur e plagosur në një park në Berlin, por që më vonë kishte ndërruar jetë në spital. Por, në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull të vjetër (4 prill 2022), atëkohë kur në Zvicër ishin të hapura afër një çerek milioni vende të lira pune. Mirëpo, portalet e dyshimta janë munduar që këtë artikull të vjetër ta paraqesin si aktual, kështu duke lënë mundësi për keqinformim te lexuesit. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me Vjenën e Austrisë. Autoritetet e këtij qyteti kanë vendosur që rreth 500 mijë familjeve t’u japin bonus prej 200 euro për energji, ndërsa në titull nuk sqarohet se për cilin shtet bëhet fjalë. Kjo lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me Kosovën, duke e ditur se ky medium është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiencës janë shqipfolës nga Kosova. (këtu)

Teori konspirative

Faqja “bejevete” në TikTok ka publikuar një video-material që pretendon se princesha Diana është gjallë. Këtë pretendim kjo llogari e ngrit edhe me anë të një fotografie të Diana-s, në të cilën ajo shihet në moshë të vjetër. Por pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ai imazh është realizuar nga një artist turk, i cili përmes inteligjencës artificiale ka realizuar këtë fotografi me përshkrimin “Sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, duke nënkuptuar se si do të mund të dukej ajo nëse do të ishte ende gjallë. (këtu)

Share With Others