[email protected]
Rishikimi i javës: përmbajtje e pa verifikuar rreth arit në Slivovë, dezinformata rreth kushteve të punës në Gjermani dhe Zvicër, deep fake me videon e Elon Musk
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve me përmbajtje dezinformuese në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Përmbajtjet dezinformuese kishin të bënin me bonuse prej 10 mijë eurosh për secilin punëtor të ri në Gjermani; se Zvicra po kërkon punëtorë në disa sektorë; se Luzi Ejlli është përjashtuar nga BBVA.

Përmbajtje të pa verifikuar lidhur me aksidentin e autobusit me targa shqiptare në Kroaci dhe me gjetje të arit në Slivovë.

Mashtrim me fotografi të urës së rinovuar në Saradran të Istogut dhe turistit nga Kenia, si dhe deep fake me video të Elon Musk me pretendimin se ka folur për konkurrentin e BBVA, Luzi Ejlli.

Lajm i rremë se Kurti nuk do të nënshkruaj planin franko-gjerman dhe do të japë dorëheqje.

Gabim lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për takimin në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Clickbait artikuj me lajme të vjetra dhe përmbajtje të cilat nuk bëjnë të ditur vendndodhjen e ngjarjes.

Përmbajtje e pa verifikuar

Portali informativ “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull lidhur me aksidentit të autobusit në Kroaci me mbishkrimin në postimin ne Facebook, “Autobusi ishte me targa te Kosoves!” Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info është gjetur se autobusi i aksidentuar dje në Kroaci kishte targa të shtetit të Shqipërisë e jo të Kosovës, siç pretendohet. (këtu)

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar artikull me pretendimin se në fshatin Slivovë në komunën e Prishtinës janë zbuluar 640 mijë tonelata ari. Bazuar në raportin e publikuar nga kompania britanike për hulumtimin e minierave “Western Tethyan Resources”, thuhet se “Zona kryesore në Slivova ka burime të përcaktuara në përputhje (NI 43-101) prej 640 kt @ 4,8 g/t ari për 98,700 ona”. Sipas këtij raporti, në rajonin e Slivovës parashihet të ketë 640 kt (kiloton) apo 640 mijë tonelata minerale me potencial që të përmbajnë 4.8 g/t (gram ari për tonelatë). Pra, nuk bëhet fjalë për 640 mijë tonelata ari, por minerale me potencial ekstraktimi të arit dhe jo ari i pastër. (këtu)

Mashtrim

Faqja “Universal” ka postuar një fotografi të montuar të urës së përuruar në dhjetor në fshatin Saradran të Istogut, në të cilën kanë shtuar imazhin e një personi të shkëputur nga një fotografi tjetër. Këtij imazhi, autori i ka vënë përshkrimin se gjoja personi në fotografi është turist nga Kenia, i cili ka vizituar urën e lartcekur. (këtu)

Llogaria “zbardhues” në TikTok ka publikuar një video-material të rremë me pretendimin se Elon Musk ka folur për konkurrentin e BBVA, Luiz Ejlli, duke thënë se ai ndoshta do të jetë fitues i këtij spektakli televiziv. Autori i këtij video-materiali ka ndërhyrë në fjalët e Musk, duke pretenduar se ky i fundit ka folur rreth Luiz Ejllit. Se ky video-material është mashtrues (Deep fake), e vërteton fakti se videoja origjinale e emisionit në të cilin ishte mysafir Musk, është gjetur e publikuar në Youtube me datë 12 mars 2018. Në fakt, ajo që Musk kishte folur gjatë këtij emisioni, ishte një parashikimi i tiji rreth rrezikut nga inteligjenca artificiale. (këtu)

Lajm i rremë

Portali i dyshimtë “teleshkronjapost.com” ka publikuar një opinion të bërë nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i cili është shprehur se Kurti nuk do të nënshkruajë marrëveshjen për planin franko-gjerman, e pastaj do të jap dorëheqje. Mirëpo, portali i lartcekur, në titull nuk sqaron se nga kush është bërë kjo deklaratë, si dhe në fotografi ka vënë portretin e Kurtit. (këtu)

Gabim

Disa media në gjuhën shqipe e kanë keqinterpretuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për takimin në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Gabimi ka ndodhur kur këto media e keqinterpretuan pjesën kur Rama thotë “… të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja e superfuqive t’i marrin për veshi sa herë grinden në oborrin e mbas shkollës”, duke e interpretuar si “Superfuqitë duhet t’i kapin për veshi sa herë që zihen”. (këtu)

Portal informativ “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull bëhet fjalë për një zjarr që ka përfshirë mbrëmë një pjesë të fabrikës së dyshekëve ‘Comodita’ në Gjakovë. Në fotografinë ilustruese të këtij artikulli është përdorur imazhi i një shtëpie duke u djegur, imazh ky nga zjarri i vitit 2009 në Kaliforninë Jugore të SHBA-së. (këtu)

Dezinformatë

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull në lidhje me një spital në  Schleswig-Holstein të Gjermanisë, që ka vendosur bonuse prej 10 mijë eurosh për secilin punëtor të ri. Mirëpo, portalet e dyshimta këtij artikulli i kanë vënë titull të pasaktë duke pretenduar se Gjermania ofron bonuse mirëseardhje për secilin punonjës të ri. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull lidhur me një “zarf të zi” që ishte futur në Big Brother Vip Albania nga produksioni i këtij spektakli televiziv (reality show). Mirëpo, këtij artikulli, portalet e dyshimta i kanë vënë titull të sajuar me pretendimin se me anë të një vendimi zyrtar, zarfi i zi përjashton nga loja personazhin (Luizi) shkaku i një sëmundje që vuan ai. Ndërsa lidhur me përmbajtjen e këtij zarfi, portali “topalbaniaradio.com” ka bërë të ditur se aty ishte një paralajmërim për secilin banor që thyen rregullat. (këtu)

Faqja në Facebook “Lajme Globale” me datë 28 shkurt ka postuar një artikull me pretendimin se Zvicra po kërkon punëtor në disa sektore. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se lajmi është i vjetër (janar 2022) dhe tregon se gjatë vitit 2021 kishte 40 për qind më shumë vende të lira pune në të gjitha rajonet në Zvicër. (këtu)

Clickbait

Portali i dyshimtë “truenewsq.com” ka publikuar një njoftim të vjetër (2021) nga Ambasada e Gjermanisë, me pretendimin ta paraqesë si aktual. Njoftimi kishte të bëjë me kushtin se vetëm personat e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 kishin mundësi të regjistrohen në listën e pritjes për caktim të një termini. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull, i cili flet për rritjen e qirave në qytetin turk Ankara. Personat që kanë shfrytëzuar rastin që pas tërmetit të rrisin qiratë e banesave, ndaj tyre mund të ngrihet edhe padi, ku parashtrohet edhe kërkesë për burgim nga 1-3 vjet. Por portali i lartcekur i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se për cilin vend bëhet fjalë. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi në të paraqitet një pjesë e qytetit të Prishtinës. (këtu)

Share With Others