[email protected]
Rishikimi i javës: manipulim i fakteve rreth një deklarate të Kurtit, përmbajtje të pa verifikuara lidhur me disa zhvillime në veri
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve clickbait në ekosistemin keqinformues në Kosovë.

Përmbajtjet clickbait kishin të bënin me mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri, për platformën “Superpuna” dhe artikuj ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull, duke lënë hapësirë që të kuptohet se ngjarjet janë zhvilluar në Kosovë.

Artikujt dezinformues kishin të bënin me ri-publikimin e një deklaratë të vjetër të Kurtit lidhur me zhvillimet në veri, si dhe pretendimin se shkuarja e numrit të madh të shqiptarëve në Gjermani kë bërë që ky shtet të varfërohet.

Lajm i rremë se ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, ka filluar punën në mbrojtje të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Përmbajtje e pa verifikuar lidhur me pretendimin se Policia e Kosovës ka keqtrajtuar një grua me fëmijën e saj në Zveçan; se ndriçimi me ngjyrë të gjelbër të oxhakut të ngrohtores së qytetit në Prishtinë, si shkak i muajit të Ramazanit; se qytetari i nacionaliteti serb, i arrestuar në pikën kufitare në Jarinje, është keqtrajtuar para fëmijëve të tij. 

Manipulim i fakteve lidhur me një video sekuencë me pretendimin që Albin Kurti ka deklaruar më parë se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”.

Dezinformatë

Deklarata e vjetër e kryeministrit Kurti se “Serbët në veri mund të ngritin barrikada dhe të sulmojnë Policinë përsëri”, është ri-publikuar si aktuale. Përderisa deklarata e mësipërme është bërë pas shkatërrimit të laboratorëve të drogës në veri të Kosovës, faqet e ndryshme në Facebook duke e ri-publikuar, kanë lënë hapësirë të kuptohet si ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku u sulmuan zyrtarët policor në veri të Mitrovicës. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me pretendimin në titull se shkuarja e shqiptarëve në Gjermani, ka bërë që ky shtet të varfërohet. Pas verifikimit të fakteve është gjetur se titulli është dezinformues dhe se përmbajtja tregon arsyen e varfërimit të Gjermanisë, e që është inflacioni e jo shkuarja e numrit të madh të shqiptarëve atje. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Lista serbe nëpërmjet një video të publikuar ku shihen një grua me fëmijën e saj duke komunikuar më njësitë policore të Policisë së Kosovës, ka pretenduar se gruaja në fjalë është keqtrajtuar nga këto njësi policore. Gjithçka që mund të deshifrohet me siguri të plotë është një pjesë e shkurtër e dialogut të zhvilluar nga gruaja në fjalë me zyrtarët policor, e që nuk është e mjaftueshme të kuptohet rrjedha dhe konteksti i plotë i diskutimit. Policia e Kosovës, ka sqaruar rastin duke theksuar faktin se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta dhe Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit. (këtu)

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë, ka ngritur një pretendim të pasaktë, duke e cilësuar ndriçimin me ngjyrë të gjelbër të oxhakut të ngrohtores së qytetit në Prishtinë, si shkak i muajit të Ramazanit. Ndërsa vetë ngrohtorja e qytetit “Termokos” në faqen zyrtare të saj në Facebook ka publikuar një imazh të oxhakut të saj me ngjyrë të gjelbër, duke i vënë mbishkrimin “E ardhmja është e gjelbër”, duke lënë të kuptohet se ndriçimi nuk është bërë për nder të muajit të Ramazanit. (këtu)

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka publikuar një reagim ku pretendon se qytetari i nacionaliteti serb, i arrestuar në pikën kufitare në Jarinje, është keqtrajtuar para fëmijëve të tij. Nga kontrolli i fakteve dhe verifikimi i tyre, kuptohet se pretendimi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë bën një pretendim që nuk ka fare bazë në fakte, siç do të mund të ishin foto dhe video materiale, apo edhe deklarata të personave të përfshirë në ngjarje. Në anën tjetër, Policia e Kosovës, në reagimin e tyre zyrtar publikon imazhe të një personi me uniformë që duket të jetë i lënduar dhe i gjakosur. Pas analizës së këtyre fakteve, nuk mund të arrihet të kuptohet ndonjë e vërtetë e plotë e ngjarjes. Megjithatë, meqenëse pretendimi është ngritur fillimisht nga institucioni serb, hibrid.info vlerëson këtë, duke e klasifikuar si “përmbajtje e pa verifikuar”. (këtu)

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh të Hajredin Kuçit të realizuar në ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë, me pretendimin se ish-ministri i Drejtësisë ka filluar punën në mbrojtje të ish-ushtarëve të UÇK-së. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e publikuar në shkurt të vitit 2022, atëkohë kur Kuçi ishte bërë pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë. (këtu)

Clickbait

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull përgjithësues lidhur me kërkesën për ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri, duke lënë të nënkuptohet që kërkesa është bërë në nivel vendi. Lajmi sqarohet në përmbajtje ku bëhet e ditur se kërkesa është bërë që TikTok-u të ndalohet në institucione publike. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka tregon për refuzimin e ofertës së qeverisë për paga, nga mësuesit në Angli. Duke e ditur se mediumi në fjalë është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiences së tij, janë shqipfolës nga Kosova, titulli i vendosur në artikull, lë të nënkuptojë se në lajm, bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull rreth dyshimit për vrasje të ndodhur në Edinburg, por që në titull nuk qartësohet vendndodhja e ngjarjes. Duke e ditur se mediumi në fjalë është i regjistruar në vendin tonë dhe shumica e audiences së tij, janë shqipfolës nga Kosova, titulli i vendosur në artikull, lë të nënkuptojë se në lajm, bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me një aksident të ndodhur në qytetin shqiptar, Elbasan, ku dy fëmijë ishin goditur nga një veturë. Ndërsa në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi që në të këtë imazh paraqitet vetura e Policisë së Kosovës dhe kjo lë vend për keqkuptim te lexuesit, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur diku në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me arrestimin e një ministreje në Ugandë, por, në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo arrestimi i ministres ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Faqet në Facebook “Exclusive Albania Today” dhe “Feja Ime” kanë publikuar një artikull me titull “Rrëmbehet me armë si në filma një person në mes të Prishtinës”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se faqet e lartcekura në Facebook kanë publikuar një lajm të vjetër të muajit shkurt, me pretendimin ta paraqesin si aktual. (këtu)

Lajmi i vjetër i lansimit të platformës për punësimin e të rinjve “Superpuna” është ri-publikuar si aktuale me titull senzacional. Nga kontrolli dhe verifikimi i fakteve të bëra, kuptohet se këto faqe të Facebook-ut kanë shpërndarë një lajm të vjetër, të pa përditësuar, duke synuar ta paraqesin atë si aktual. (këtu)

Manipulim i fakteve

Në rrjetet sociale po qarkullon një video sekuencë me pretendimin që Albin Kurti ka deklaruar më parë se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”. Pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info dhe reagimit të sekretarit për media të Lëvizjes Vetëvendosje, është gjetur video e plotë e publikuar ku Kurti mbanë fjalimin e tij lidhur me gjykatën speciale. Kjo video është shkurtuar duke u nxjerrë jashtë kontekstit. Kurti në seancën e kuvendit për gjykatën speciale të datës 23 prill 2014 kishte deklaruar që “pas kësaj gjykate të veçantë do të thuhet që, po, serbët kanë bo më shumë krime por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, korrjen dhe trafikimin e organeve”. (këtu)

Share With Others