Lajmet e rreme dhe clickbait artikujt janë dy kategoritë që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara.
Lajmet e rreme u publikuan në mediat sociale, Facebook dhe Tiktok, ku pretendohet rrejshëm se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se Serbia nuk ka bërë krime në Kosovë; video material ku pamjet tregojnë armë të rënda luftarake, me pretendimin e rremë se ato i përkasin Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK); se gruaja përfaqësuesit Special të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka marrë 3.4 milionë dollarë nga Qeveria e Serbisë me 2023.
Clickbait artikujt janë publikuar në portale informative, portale të dyshimta dhe media sociale, e që ndërlidhen kryesisht me ngjarje të kronikës së zezë dhe artikuj të vjetër ndërlidhur me motin dhe tërmetin.
Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar në media sociale me pretendime për një dron 2800 vite të vjetër; si dhe me publikimin e një fotografie ku shihen minator duke ngrënë syfyr, e që u pretendua se bëhet fjalë për minatorë të Trepçës.
Clickbait/dezinformatë u vlerësua lajmi i vjetër për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2.5 milionë euro për subvencionimin e kredive investuese, për prodhuesit vendor.
U raportua gabimisht në portale informative rreth kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u lakua emri i Bekim Kupinës, e në fakt bëhej fjalë për Fehmi Kupinën; në portale informative u raportua gabimisht se është arrestuar serbi i dyshuar për vrasjen e boksierit Besar Nimani në Gjermani.
Dezinformata u publikua në një portal informativ, ku u pretendua rrejshëm se KFOR-i ka marr përsipër transportin e dinarit në Kosovë.
Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në media sociale me pretendimet të rreme për kredi dhënie dhe produkte që shërojnë sëmundjet e lukthit.
Përmbajtje e paverifikuar
Llogaria në Facebook me emër “Shkumbin Muriqi” si dhe faqja “Kosova News” kanë publikuar (7 dhe 9 mars) një imazh me mbishkrimin “Sanxingdui ( Model Droni e gjetur ne njeren nga arhivat e nje tempulli ne afersi te kufirit Kine- Pakistan ) Prototip Droni i vjeter 2800 vite”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk është i saktë dhe se ky imazh nuk është i vërtetë, pasi që ato janë gjeneruar përmes inteligjencës artificiale nga një llogari në platformën kineze “Ixigua”. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar dy fotografi në të cilën shihen disa minatorë duke ngrënë ushqim. Në përshkrimin e këtyre fotografive, shkruan “Syfyri nën tokë, minatorët e Trepçës në horizontin e nëntë, në thellësi mbi 800 metra”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se imazhet nuk paraqesin minatorët e Trepçës, por se ato janë realizuar në një minierë në Turqi. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Disa faqe në median sociale Facebook kanë publikuar një artikull me datë 9 mars, lidhur me një vendim të qeverisë, ku në mbishkrim thuhet “Qeveria ndanë 2.5 milion euro per masen 2.1. Kjo kategori perfiton”. Por, pas klikimit në vegëzën e ofruar në postim shfaqet një artikull me titullin e njëjtë, por i publikuar më 1 nëntor 2023 nga portali i dyshimtë “livenews10.com”. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërtetuar se pretendimi nuk qëndron dhe se ky vendim është i vjetër. (këtu)
Gabim
Portale informative në gjuhën shqipe si “telegrafi.com”, “botasot.info” dhe “zeri.info” kanë publikuar sot (12 mars) një artikull me titull “Serbi i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e boksierit Besar Nimani është nga Mitrovica”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se në titull është pretenduar gabimisht se është arrestuar serbi i dyshuar për vrasjen e boksierit Besar Nimani në Gjermani. Në përmbajtje të artikullit sqarohet se në fakt i dyshuari serb është duke u kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL) pasi i njëjti ka arritur të largohet nga shteti ku ka ndodhur vrasja. (këtu)
Portalet informative me përmbajtje në gjuhën shqipe “arbresh.info” dhe “infosot.com” kanë publikuar (14 mars) një artikull me titull “LDK humb shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Bekim Kupina zgjidhet kryesues”. Por, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk është i saktë, pasi që kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk është zgjedhur Bekim Kupina, por ish-asamblisti i LDK- së Fehmi Kupina. (këtu)
Dezinformatë
Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një artikull me titullin “KFOR çon dinarë në Kosovë/ Largohen britanikët”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk përputhet me përmbajtjen. Në përmbajtje kuptohet se sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes në Serbi, Nemanja Staroviq, duke folur rreth çështjes së dinarit në Kosovë, është shprehur se KFOR-i përkohësisht do të mund të merrte për përgjegjësinë për transportin e parave për të furnizuar bankën. (këtu)
Clickbait
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “Live News” ka publikuar një artikull me titull “Shi, breshër dhe stuhi, ja si do të jetë moti për sot dhe nesër në…”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se artikulli ka të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri dhe se i njëjti është i vjetër. Pra, faqja “Live News” ka publikuar artikullin për parashikimin e motit të datës 3 nëntor, të cilin e ka paraqitur si aktual. (këtu)
Portali i dyshimtë “belmouth.com” ka publikuar një artikull me titull “Tërmet i fortë në Tiranë – Ja Sa ishte shkalla …”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se tërmeti nuk ka ndodhur në Tiranë, por në fakt një i tillë ka goditur Malin e Zi rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, e që dridhjet janë ndjerë edhe në rajon përfshirë edhe Tiranën. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje të artikullit, ku thuhet “Tërmeti 5.6 balle ka goditur veriun e Malit te Zi nga ku eshte ndjere ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni e disa vende te tjera te Ballkanit”. (këtu)
Portalet informative në gjuhën shqipe “botasot.info” dhe “sot.com.al”, gjatë ditëve të fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues për fushën e kronikës së zezë, që kanë ndodhur në shtetet e tjera. Gjatë monitorimit ditor, hibrid.info ka arritur t’i grumbullojë disa artikuj me strukturë të tillë, pra me tituj përgjithësues në këta artikuj, si dhe fotografi ilustruese që nuk e bëjnë të qartë vendin e ngjarjes dhe duke marrë parasysh që përmbajtjet e tyre janë në gjuhën shqipe, këta tituj çorientojnë audiencën se ngjarja mund të ketë ndodhur në ndonjë nga vendet shqip-folëse. (këtu)
Mashtrim
Faqja e dyshimtë në Facebook që mban emrin “Kredi Personale” ka publikuar me datë 12 mars një imazh të cilin e paraqet si vlerësim nga një klient, i cili sipas kësaj faqe është ndarë i kënaqur me procedurat për marrjen e një kredie. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se këtë imazh kjo faqe e ka marrë nga një vlerësim që i është bërë institucionit mikrofinanciar “AFK – Agjencioni për Financim në Kosovë”. (këtu)
Llogaria në Facebook “Esma Hoxha” ka publikuar një imazh në një grup po në këtë media sociale, në të cilin shfaqet një produkt në shitje me vlerën prej 10 euro. Me anë të këtij postimi, llogaria e lartcekur pretendon se produkti në fotografi ndihmon për të shëruar të gjitha problemet me lukth. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se produkti në fjalë është një pastë shege që përmban edhe mjaltë, por që nuk ka të bëjë me shërimin e lukthit, siç pretendohet nga llogaria “Esma Hoxha”. (këtu)
Lajm i rremë
Një llogari në Facebook e cila ka rreth 5 mijë e 600 ndjekës, me emrin “Lule Gjeli”, ka publikuar (12 mars) një imazh të Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike si dhe Përfaqësuesit Special të SHBA-së, në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Imazhi përmban mbishkrimin “Gruaja e tij mori 3.4 milione dollare nga Qeveria e Serbise me 2023.”. Pas verifikimit nga hibrid.info, nuk janë gjetur fakte që provojnë pretendimin e mësipërm. (këtu)
Një llogari në Facebook me emrin “Lule Gjeli”, ka publikuar (12 mars) një imazh të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me mbishkrimin që pretendon se kjo e fundit është deklaruar “Serbia nuk ka bere krime ne Kosove. Kercenon Kosoven te heq dore nga raportimi i krimeve te rrejshme. Viola Von Karmon”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, nuk janë gjetur deklarata të ngjashme të von Cramon në burime kredibile. Në fakt hibrid.info ka gjetur se një deklarim mbi krimet serbe në Kosovë, është bërë nga këshilltari i Viola von Cramon, Gjorgje Bojoviq. Duke u bazuar nga disa prej komenteve në publikim, hibrid.info vlerëson se ky pretendim mund të lexohet si i vërtetë nga lexuesit. (këtu)
Një llogari në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar një video-material, që paraqet pamje të një helikopteri teksa zbret me një ngarkesë, e cila duket të jetë një tank. Këtij video-materiali i është vendosur edhe mbishkrimi që pretendon se pamjet tregojnë armë të rënda luftarake, të cilat i përkasin Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Por, pas verifikimit të hibrid.info, nuk janë gjetur dëshmi që vërtetojnë se FSK ka në pronësi armë të tilla. (këtu)