[email protected]
Inteligjenca Artificale si mjet i rëndësishëm për dezinformim nga konflikti aktual Hamas-Izrael
shape
shape
shape

Dezinformatat në kohën e mediave sociale janë çdo ditë në zhvillim, e me anë të Inteligjencës Artificiale ato bëhen edhe më të besueshme dhe në kohë krizash e konfliktesh (AI) është ndër metodat më të praktikuara për dezinformim.

Me nisjen e konfliktit Hamas-Izrael në rrjet filloi edhe shpërndarje e imazheve të ndryshme që pretendonin të paraqisnin pamje nga sulmet e këtij konflikti, sulme këto që filluan me 7 tetor 2023 dhe po vazhdojnë ende. Në mesin e imazheve që paraqisnin pamje të vërteta, kishte edhe të atilla të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, imazhe këto të pretenduara si reale. Duke krijuar imazhe që aludonin në pamje aktuale të gjendjes në Gaza, njerëz nën gërmadha, mbështetje e dhënë ndaj Hamas-it, ato që dominojnë edhe sot janë imazhet e gjeneruara nga AI duke paraqitur fëmijë nga konflikti atje.

Shembuj të imazheve të gjeneruara me Inteligjencë Artificale dhe metodat e identifikimit të tyre

Hibrid.info gjatë gjithë kohës ka hulumtuar dhe ka raportuar për përmbajtje të tilla të gjeneruara nga AI për ngjarjen aktuale Hamas-Izrael. 

Gjatë analizimit të një fotografie të shpërndarë në Facebook, ku shihen dy mjekë duke kryer një operacion në një objekt të shkatërruar, pretendohet se është pamje aktuale në Palestinë. Ndonëse në pamje të parë mund të duket si e vërtetë, me analizimin në detaje të saj vërehen ndërhyrje të AI nga shtrembërimet dhe pamjet e paqarta të imazhit. (shih këtu)

Por ky nuk është imazhi i vetëm i shpërndarë që është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, shembull tjetër është edhe fotografia ku shihen dy fëmijë duke u lutur për nënën e tyre të vdekur(shih këtu), imazhi i një burri me 5 fëmijë në mes gërmadhash (shih këtu), imazhe të fëmijëve që gjinden në mes gërmadhash (shih këtu dhe këtu), ajo e trupit të një personi nën gërmadha(shih këtu) dhe shpalosja e flamurit të Palestinës nga tifozët e Atletico Madrid (shih këtu).

Fotografi tjetër është edhe ajo e dy ushtarëve duke drejtuar revolen drejt një fëmije. Shtrembërimet në duart, gishtërinjtë e sytë e personazheve asocojnë në atë që është e krijuar me Inteligjencë Artificiale (shih këtu)

Ngjarjet si kjo e fundit e konfliktit Hamas-Izrael janë ngjarje të ndjeshme për audiencën, që shpien drejt besimit të  çfarëdo informacioni të ofruar pa u menduar se a janë reale a po jo.

Megjithatë ekzistojnë metoda të shumta që mund të ndihmojnë në verifikimin e informacionit, si për shembull duke analizuar pamjen së pari me syrin tuaj, me anë të hulumtimit në makinat online të kërkimit e po ashtu me aplikacione që identifikojnë përmbajtjet e gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, prandaj ju bëhuni kritik, e mos besoni secilin informacion ose imazh që ju del para pa analizuar në detaje secilin fakt të ofruar në artikull.

Share With Others

Translate »