[email protected]
Rishikimi i javës: Përmbajtje mashtruese lidhur me Dardan Molliqaj dhe Hashim Thacin, lajm i rremë se Bujar Osmani, ka deklaruar se shqiptarët duhet të flasin vetëm serbisht, teori konspirative se fotografia e publikuar nga nipat e Adem Jasharit në veri paraqet thirrje për veprim ndaj popullit serb
shape
shape
shape

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi përmbajtjet mashtruese dominuan ekosferën keqinformuese.

Përmbajtje mashtruese u publikuan në rrjete sociale, Facebook dhe Tiktok, lidhur pretendime të rreme për dhënie kredish, lidhur me SMS rreth fitimit të shumave të parave, me produkte për stimulim seksualë, me një video-material me deklaratë të manipuluar të kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, e me video material me pretendimin e rremë se paraqet zërin dhe mendimin e ish-presidentit Thaçi për Albin Kurtin.

Lajm i rremë u publikua në Facebook ku pretendohet rrejshëm se ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka deklaruar se shqiptarët duhet të flasin vetëm serbisht.

Teoritë konspirative u publikuan në Facebook ndërlidhur me pretendimin e rremë se dizajni i Selisë Qendrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Bruksel, përshtatet me simbolet, naziste SS, dhe në mediat në gjuhën serbe ku pretendohet se një fotografi e publikuar në rrjete sociale nga nipat e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në veri të vendit paraqet thirrje për veprim ndaj popullit serb.

Përmbajtjet e paverifikuara u publikuan në Facebook ku u publikua një fotografi me pretendimin se në të paraqiten minatorët e Trepçës në horizontin e nëntë, në thellësi mbi 800 metra; dhe në një grup në Facebook me përmbajtje në gjuhën angleze “Travel Scotland Goals Group” është publikuar fotografia autobusit mbi një pjesë të lumit e shkrepur në Tiranë, e cila mban mbishkrimin “New footbridge over ‘The Water of Leith’ in Edinburgh”, që në shqip përkthehet “Urë e re për këmbësorë mbi ‘The Water of Leith’ në Edinburg.

Dezinformatat u publikuan në rrjetin social Facebook, ndërlidhur me përmbajtjen e vjetër e kërcënimit të Radojciqit bërë Kurtit; me imazhin e gjeneruar me inteligjencë artificiale në të cilin paraqitet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, afër një mështjerre; si dhe një video-material në të cilin paraqiten disa automjete ushtarake me pretendimin e rremë se janë pajisje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sa i përket kontrollit të deklaratave dhe premtimeve, projekti i biçikletave të qytetit (Prishtinë) i paralajmëruar në vitin 2022 dhe i premtuar se do të përfundojë në pranverën e vitit 2024, ende nuk është përmbyllur, megjithëse biçikletat kanë ardhur.


Lajm i rremë

Një llogari në Facebook me emrin “Lule Gjeli” ka publikuar një imazh ku shfaqet ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Autori i publikimit i ka vendosur mbishkrimin ku pretendohet se ky i fundit ka deklaruar se shqiptarët duhet të flasin vetëm serbisht. Por, pas hulumtimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim që konfirmon deklaratën e pretenduar. Bazuar edhe nga komentet e publikuara për imazhin, hibrid.info vlerëson se pretendimi mund të lexohet si i mirëqenë nga audienca. (këtu)

Teori konspirative

Llogaria me emrin “Investiguesi Shkrimor” ka publikuar me datë 5 prill imazhin e Selisë Qendrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Bruksel, duke pretenduar se dizajni i këtij objekti përshtatet me simbolet naziste SS. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron dhe se dizajni i ndërtesës së NATO-s në Bruksel simbolizon konceptin e gishtërinjve të lidhur. (këtu)

Mediumi online në gjuhën serbe “politika.rs” në një artikull të publikuar më 11 prill ka pretenduar se një fotografi e publikuar në rrjete sociale nga nipat e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në veri të vendit ditë më parë, është thirrje për veprim ndaj popullit serb. Pas kontrollit të fakteve nga hibrid.info, del se ky interpretim i fotografisë është bërë pa u bazuar në fakte. E njëjta vlen edhe për titullin e artikullit: “Nipat e Adem Jasharit me armë në veri të Kosovës e Metohisë”. (këtu)

Mashtrim

Një faqe në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar me datë 4 prill një video-material, ku ofrohet për kredi deri në 35 mijë euro, me mundësi e nisjes së pagesës pas tre muajve. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo faqe ka publikuar postimin që paraqet njoftim të rremë. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetoi se faqja “Kredi personale” e ka marrë video-materialin nga njoftimi i bankës “TEB Sha” në Kosovë, nga e cila janë prerë dy sekondat e fundit të pamjeve, ku tregohet se kampanja i përket bankës në fjalë. (këtu)

Një llogari në TikTok me emrin “albinkurti_kryeminister” ka publikuar (10 prill) një video-material që shfaq ish-presidentin Hashim Thaçi. Në audion vendosur video-materialit, e cila nuk përputhet me pamjet e shfaqura, dëgjohet zëri i një personi që jep vlerësimin e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilën në mbishkrimin e bashkangjitur videos, pretendohet se paraqet zërin dhe mendimin e ish-presidentit Thaçi. Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se zëri i dëgjuar në audio, është marrë nga një video-material, ku shfaqet një qytetar teksa shpreh opinionin e tij për kryeministrin Kurti. (këtu)

Të paktën dy faqe në Facebook janë duke e reklamuar produktin me emër “Etumax” – si produkt natyral për stimulim seksual. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, rezulton se sipas Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëhet fjalë për një produkt i cili përmban përbërës të padeklaruar të medikamenteve. Faqja me emrin “Botanika” në një postim të 30 marsit, ka shkruar se  “Etumax Royal Honey” është mjaltë e pastër me pelte mbretërore, polen bletësh dhe përzierje të bimëve të pyjeve të shiut. Në postim thuhet se produkti është pa efekte anësore. (këtu)

Një llogari në TikTok me emrin “albinkurti_kryeminister” ka publikuar (12 prill) një video-material, ku shfaqet imazhi i kryetarit të Partia Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj. Imazhi duket se është shkëputur nga një video-material të publikuar në kanalin zyrtar të “RTV Dukagjini” në Youtube me titullin e shfaqur “Habit Dardan Molliqaj: Jam me Albin Kurtin”. Por, pas kontrollit të video-materialit të “RTV Dukagjini”, hibrid.info ka gjetur se videoja në fjalë është e titulluar “Habit Dardan Molliqaj: Jam me Albin Kurtin nëse s’e bën Asociacionin”, çka dëshmon për ndërhyrjet në imazhin e shkëputur tek pjesa e titullit (shih këtu). Në bazë të komenteve në video-materialin në TikTok, hibrid.info vlerëson se ndërhyrja në këtë rast, nuk e paraqet të plotë dhe i jep kuptim tjetër deklaratës së Molliqajt. (këtu)

Një faqe në Facebook me emrin “PlusAtlas Interest” ka publikuar një postim të sponsorizuar në të cilin pretendohet se ofrohet mundësi për kredi. Hibrid.info ka verifikuar se, pas klikimit në postimin e shpërndarë nga kjo faqe në Facebook, vegëza e hapur nuk të dërgon në asnjë faqe që jep mundësi kredie, siç pretendohet në postimin dhe në imazhin që e shoqëron atë. (këtu)

Platforma për kontroll faktesh, hibrid.info, (13 prill) ka pranuar përmes mesazheve elektronike, disa imazhe nga përcjellësit e saj në lidhje me disa SMS të cilët janë adresuar në numrat e tyre të telefonit. Në këta SMS thuhet “PulseGlide Ltd po rekruton njerëz të moshës 22 vjeç e lart Fitoni rreth 3-500 euro në ditë, paga paguhet në të njëjtën ditë”. Në fund të këtij mesazhi shfaqet edhe një vegëz (link) në të cilën kërkohet që të klikohet. Hibrid.info ka vazhduar të hulumtojë më tutje rreth këtij mesazhi, duke klikuar në vegëz, ku më pas është hapur një ueb-faqe e quajtur “PulseGG.com”, e cila nuk jep asnjë të dhënë. Pra, nuk ka kontakt, numër telefoni, adresë, apo ndonjë informatë tjetër, por në të shfaqet vetëm mundësia që të regjistrohesh me numër të telefonit. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Portali informativ Veriu.info ka publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook një fotografi me pretendimin se në të paraqiten minatorët e Trepçës në horizontin e nëntë, në thellësi mbi 800 metra. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia nuk paraqet minatorët e Trepçës, por se ajo është realizuar në minierën “Stara Jama” në Zenicë të Bosnje e Hercegovinës. (këtu)

Në një grup në Facebook me përmbajtje në gjuhën angleze “Travel Scotland Goals Group” është publikuar me datë 6 prill një fotografi që shfaq një autobus mbi një pjesë të lumit, e cila mban mbishkrimin “New footbridge over ‘The Water of Leith’ in Edinburgh”, që në shqip përkthehet “Urë e re për këmbësorë mbi ‘The Water of Leith’ në Edinburg”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në fotografi shfaqet autobusi i Tiranës, i cili në vitin 2022 pas një aksidenti kishte përfunduar mbi lumin Lana. (këtu)

Dezinformatë

Llogaria në Facebook me emrin “Fleta Press” ka publikuar një imazh me datë 7 prill ku paraqitet një artikull nga portali informativ “telegrafi.com”. Pas verifikimit nga hibrid.info është vërtetuar se artikulli i shfaqur në fotografi, i titulluar “Radoiçiq kërcënon Kurtin: Koha do të tregojë se kush do të pësojë dhe do të paguajë në fund” është i publikuar në shtatorin e vitit të kaluar (2023), informacion i cili, nuk bëhet i qartë në imazhin në fjalë. Publikimi i një lajmi të vjetër pa dhënë asnjë sqarim mbi arsyet e postimit, duke u bazuar edhe nga numri i ndjekësve (7 mijë) të kësaj llogarie, mund të lexohet nga audienca si ngjarje aktuale. (këtu)

Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis” ka publikuar një imazh në të cilin paraqitet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, afër një mështjerre. Kjo faqe në mbishkrimin e imazhit ka pretenduar se Netanyahu përmes kësaj fotografie ka dhënë një mesazh për xhaminë Al-Aksa në Jerusalem. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi nuk është real dhe se i njëjti është i gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (IA). (këtu)

Faqet në Facebook “Kaçaniku 05” dhe “Bota e Lajmeve” kanë publikuar me datë 12 prill një video-material në të cilin paraqiten disa automjete ushtarake. Me anë të kësaj videoje, faqet e lartcekura pretendojnë se janë pajisje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke i vendosur mbishkrimin “Forcohet Ushtria e Kosovës”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se automjetet që shihen në video-material janë të forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”. (këtu)

Kontrolli i deklaratave dhe premtimeve

Projekti i biçikletave të qytetit i paralajmëruar në vitin 2022 dhe i premtuar se do të përfundojë në pranverën e vitit 2024, ende nuk është përmbyllur. Hibrid.info nuk ka gjetur fakte që vërtetojnë se projekti ka nisur së realizuari ndonëse biçikletat kanë ardhur. Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin ende të këtij projekti, si mbajte e pjesshme e premtimit. (këtu)

Share With Others