[email protected]
Rishikimi i javës: Imazh i paverifikuar murali i Vedat Muriqit, dezinformata se Vlora Çitaku ka vizituar Manastirin e Deçanit, citim i pasaktë i deklaratës së minstrit Sveçla
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e dezinformatave në ekosistemin keqinformues.

Dezinformatat u publikuan në media sociale dhe portale të dyshimta. Në media sociale u publikua një imazh i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu e gjeneruar me inteligjencë artificiale ku shihet në ambiente të një spitali; u publikua edhe një fotografi e vjetër me pretendimin e rremë se sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ishte për vizitë në Manastirin e Deçanit; po ashtu u publikua imazhi që shfaq zëvendës kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin me mbishkrimin në imazh, që pretendon se ky i fundit ka deklaruar “Është normale me ik nga Kosova 50% e qytetarëve që nuk na kanë votuar”; në portale të dyshimta u publikua dezinformata se është plagosur kryetari i Haraçinës gjatë atentatit, si dhe se ka pasur edhe viktima.

Përmbajtjet e paverfikuara janë publikuar në TikTok dhe portale informative. Në portale informative është publikuar një fotografi në të cilin paraqitet imazhi i futbollistit kosovar Vedat Muriqi, me pretendimin e rremë se i është bërë një mural në njërën nga ndërtesat e qytetit të Mallorca-s; ndërsa në Tiktok u publikua një sondazh zgjedhor e që nuk dihej për autorin dhe burimin e sondazhit.

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë është vlerësuar fotografia e publikuar në Facebook në të cilën shihet një qen duke e mbajtur në gojë një foshnje me pretendimin e rremë se ajo është realizuar në Gaza, të cilës i është vënë mbishkrimi “qentë hanë trupat e fëmijëve që nxjerrin nga rrënojat”.

Një portali informativ ka publikuar gabimisht deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, “Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën”, ku në vend 400 është vënë shifra 4000.

Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative rreth rritjes së pensioneve, vdekjen e një vajze të vogël dhe renovimin e një stadiumi, e që në titujt e këtyre artikujve nuk bëhej e ditur vendndodhja e ngjarjes.

Manipulim i fakteve në raportimin për sjelljen josportive të kryetrajnerit të KF “Flamurtarit”, Liridon Leci.

Lajmi i rremë është publikuar në Facebook me pretendimin se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), John Kennedy, është gjallë.


Dezinformatë

Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis” ka publikuar një imazh në të cilin paraqitet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i shtrirë në një shtrat në ambiente të një spitali. Kjo faqe, këtij imazhi i ka vënë mbishkrimin “Hini operacion…..kasapi”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi nuk është real dhe se i njëjti është i gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (IA). (këtu)

Një llogari me emrin “Fleta Press” ka publikuar (30 mars) një imazh në Facebook, ku shfaqet nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në hyrje të një objekti fetar ortodoks. Autori i këtij publikimi i ka vendosur mbishkrimin “Sekretarja e PDK-së znj.Vlora Çitaku ishte për vizitë në Manastirin e Deçanit,si duket ishte për tja uruar tokën që Kushtetusja ja dha Manastirit , 24 hektar!”. Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia paraqet momentet e vizitës së Çitakut në komunën e Prizrenit, në vitin 2013, gjatë kohës kur ajo kryente funksionin e ministres së Integrimeve Evropiane, meqë rast ajo ishte takuar edhe me përfaqësues të Kishës Ortodokse në Prizren. (këtu)

Portali i dyshimtë “realiteti.net” ka publikuar një artikull të titulluar “LAJMI I FUNDIT: Plagoset kryetari i Haraçinës, ka edhe viktima?” Informacioni i paraqitur në titull konfirmohet edhe në përmbajtje të këtij artikulli.  Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është gjetur se kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi nuk është lënduar gjatë atentatit dhe po ashtu nuk është vërtetuar se ka persona të vdekur. (këtu)

Një llogari me emrin “Komente Politike” në Facebook ka publikuar (4 prill) një imazh në grupin publik “Diaspora me PDK”. Imazhi shfaq zëvendës kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin me mbishkrimin në imazh, që pretendon se ky i fundit ka deklaruar “Është normale me ik nga Kosova 50% e qytetarëve që nuk na kanë votuar”. Por, pas hulumtimit nga hibrid.info, deklarata e pretenduar nuk është gjetur e publikuar në asnjë nga mediat kredibile. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Me 30 mars është publikuar imazh që paraqet një sondazh në lidhje me votat e subjekteve politike në Kosovë, në rast se do të mbaheshin zgjedhjet. Imazhi është publikuar në TikTok nga llogaria “lagraqsaqi”, në formë të një video-materiali dhe nga një llogari në Facebook me emrin “Albert Sulaj”. Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se në imazh mungon autori i realizimit të këtij sondazhi, gjë e cila e bën atë jo të besueshëm. Hibrid.info po ashtu ka gjetur sondazhin e fundit të publikuar sa i përket zgjedhjeve në Kosovë nga një kompani e autorizuar për çështje të tilla. (këtu)

Disa portale informative kanë publikuar dje një fotografi në të cilin paraqitet imazhi i futbollistit kosovar Vedat Muriqi, që luan në skuadrën spanjolle Mallorca. Me anë të kësaj fotografie, disa portale kanë pretenduar se Muriqit i është bërë një mural në njërën nga ndërtesat e qytetit të Mallorca-s. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia nuk paraqet një mural real, por e njëjta është edituar përmes programit për krijimin e imazheve “Adobe Photoshop”. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis”, ka publikuar (2 prill) një fotografi në të cilën shihet një qen duke e mbajtur në gojë një foshnje. Me anë të kësaj fotografie, faqja e lartcekur pretendon se ajo është realizuar në Gaza dhe se “qentë hanë trupat e fëmijëve që nxjerrin nga rrënojat”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia është e vjetër dhe se e njëjta qarkullon në internet që nga viti 2017. Në një postim tjetër të publikuar në Facebook nga një llogari, thuhet se pamjet janë realizuar në Bangladesh. (këtu)

Gabim

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar (2 prill) një artikull të titulluar “4000 janë gati për luftë, po trajnohen në kufi me urdhër të Vuçiçit”. Në bazë të imazhit të bashkangjitur kuptohet se bëhet fjalë për një deklaratë të ardhur nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Por, pas verifikimit të përmbajtjes së këtij artikulli nga hibrid.info, është kuptuar se ministri Sveçla ka thënë se “Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën”, gjë e cila është konfirmuar edhe nga intervista e ministrit, nga e cila është bazuar ky artikull. Duke u bazuar edhe nga disa prej komenteve të publikimit të këtij artikulli, në faqen e portalit “ntv.al” në Facebook, paraqitja gabimisht e numrit (4000) në titull, mund të lexohet si i mirëqenë. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar (3 prill) një artikull me titull “Rritja e pensioneve: Mund të blejmë 15 bukë më shumë”. Pas kontollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit nuk qartëson se bëhet fjalë për rritjen e pensioneve në Maqedoninë e Veriut. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje të artikullit, ku thuhet se “Bazuar në metodologjinë e re për rritjen e pensioneve, dy herë në vit, në mars dhe në shtator, mbi 337 mijë pensionistë të Maqedonisë së Veriut, në prill kanë marrë pensionet me një rritje prej 5.3 për qind të vlerës aktuale, apo 10 deri në 65 euro, varësisht shumës së pensioneve që u takon”. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” në faqen e tij në Facebook ka publikuar (4 prill) një artikull me titull “E rëndë: Punëtorët e ujësjellësit përplasin 2-vjeçaren me veturë dhe e hedhin trupin në kanal”.Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit nuk qartëson se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Serbi. Pasi të klikohet në vegëzën e postimit në Facebook, vërehet se titulli i artikullit ndryshon, duke e qartësuar lajmin se ngjarja ka ndodhur në Serbi. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar me datë 4 prill një artikull me titull “Ministria e Sportit i ndan 9 milionë euro për renovimin e stadiumit”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në fotografinë e këtij artikulli është vendosur pamja e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa lajmi ka të bëjë me renovimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë. Gjithashtu, në titull nuk sqarohet se për cilin stadium bëhet fjalë. (këtu)

Manipulim i fakteve

Portali informativ “paparaci.com” ka publikuar (3 prill) një artikull informues të titulluar ““Trajneri analist” e godet me shqelma e grushte futbollistin kundërshtar – FFK-ja i del në mbrojtje”. Pas verifikimit të artikullit nga hibrid.info, është gjetur se komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vendosur t’ jap dënim minimal nga sa parashihet në Rregulloren disiplinore për sjellje josportive të kryetrajnerit të KF “Flamurtarit”, Liridon Leci. Duke marrë parasysh që qëllimi përmbajtjesor i lajmit parasheh vetëm informimin mbi ngjarjet e jo vlerësimin e tyre, hibrid.info vlerëson se paraqitja e vendimit të FFK-së mbi trajnerin Leci, si “dalje në mbrojtje”, është interpretim i shtrembër i fakteve. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në Facebook me emrin “Blerta Pupi Mile” ka publikuar një postim me pretendim se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), John Kennedy, është gjallë. Kjo llogari pretendon se Carolyn Bessette – Kennedy, bashkëshortja e djalit të Kennedy-t, John Kennedy Junior, ka thënë se ish-presidenti është gjallë. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se Carolyn Bessette – Kennedy ka ndërruar jetë në vitin 1999. Gjithashtu, në postimin e bërë nga llogaria e lartcekur, paraqitet imazhi i një personi, për të cilin pretendohet se është presidenti i vdekur amerikan, John Kennedy. Mirëpo, hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se imazhi i shfaqur në postim i përket Russell LeeRoy Pickett, veteran amerikan i Luftës së Dytë Botërore. (këtu)

Share With Others