[email protected]
Paralajmërimi për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova, i pa verifikuar
shape
shape
shape

Disa media në gjuhë shqipe publikuan një artikull dje (21 qershor) në titujt e të cilave pretendohej se “afër 200 kompani gjermane paralajmëruan ikjen nga Kosova për shkak të situatës politike”.

Pretendimi u bazua në një njoftim për media të “Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare” (OEGJK) të lëshuar me 15 qershor.

Pretendimin për paralajmërim për ikje e demantoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde dhe OEGJK.

Nga analiza e fakteve e bërë nga hibrid.info, rezulton se kjo odë ekonomike ka ngritur shqetësimin e 198 kompanive që i përfaqëson dhe mundësinë për heqje dorë nga investimet apo pezullim të aktiviteteve, dhe jo paralajmërimin për largimin e tyre nga Kosova.


Vegëza e artikujve të publikuara në mediat në gjuhën shqipe:

https://www.opozita.com/2023/06/200-kompani-gjermane-paralajmeruan-ikjen-nga-kosova-per-shkak-te-albin-kurtit-pasojat-e-frikshme-per-ekonomine/?fbclid=IwAR3Ls_emiMasxMkC6eptRLqlrTmVIeDCvOW8Jg9UvZR6sN7cT9O0QJtwMT0

Pjesë të artikull të publikuar në mediat në gjuhën shqipe:

Mos-stabiliteti i politikës në Kosovë dhe situata e brishtë e sigurisë, e paralajmëruar edhe nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, si potenciale për shpërthim të ndonjë konflikti rajonal, është duke ndikuar në strategjinë e investorëve potencialë në Kosovë.

Madje, paralajmërimet e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare janë se vetëm për shkak të situatës së tensionuar në Veri të Kosovës nga 26 maji, mbi 198 kompani gjermane mund të largohen.


Më 15 qershor, nga OEGJK lëshuan njoftim për media për të shprehur një shqetësim lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke deklaruar se “kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese”. (këtu)


Por, pas dhënies së këtij lajmi në media me pretendimin se janë rreth 200 kompani gjermane që mund të largohen nga Kosova, OEGJK dhe ambasadori Rohde demantuan këtë pretendim, duke e quajtur si të rremë.

“Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare nga burime të ndryshme ka marrë informacionin e qarkullimit të një lajmi të rrejshëm me titull: “E frikshme: Afër 200 kompani gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova për shkak të situatës së sigurisë”.  OEGJK e sheh të arsyeshme të demantojë këtë lajm të rrejshëm”. (këtu)


Më pas ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, i cili shkroi në llogarinë e tij në Twitter se lajmi nuk është i vërtetë dhe e cilësoi si “mosrespektim të standardeve të gazetarisë”.

“Raportimet e mediave për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova, janë krejtësisht të gabuara… Çfarë është e vërtetë: Kompanitë janë të shqetësuara për zhvillimet aktuale”. (këtu)


Se kompanitë gjermane janë të shqetësuar për situatën e fundit në veri të Kosovës, ambasadori gjerman e ka thënë edhe në intervistën e tij të përbashkët me ambasadorin e Francës në Kosovë, dhënë në emisionin “RTK Prime” të martën në mbrëmje.

“E kemi parë javën e kaluar një deklaratë shtypi të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare e ku paqartësia ekonomike është helmuese për zhvillimin ekonomik”. (këtu)

Megjithatë, as ambasadori Rode dhe as nga OEGJK, nuk kanë thënë se kompanitë gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova, siç pretendohet në titujt e mediave të trajtuara nga hibrid.info.


Analiza:

Në media u raportuar se 200 kompani gjermane kanë paralajmëruar ikjen nga Kosova për shkak të situatës në veri.

Në fakt, nga analiza e fakteve të paraqitura në njoftimin e “Odës Ekonomike Gjerman-Kosovare” (OEGJK) rezulton se mediat gabimisht e kanë transmetuar mesazhin. Ajo çfarë thuhet në këtë njoftim të OEGJK-së është se, si organizatë që përfaqëson 198 biznese, shprehë shqetësimin e tyre për mundësinë e heqjes dorë nga investimet apo ndërpresin aktivitetin ekzistues, por jo edhe paralajmërimin për ikje nga Kosova.

Pretendimi në fjalë u demantua nga OEGJK dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendimin e vlerëson si “Përmbajtje e pa verifikuar” dhe “Gabim”.


Vlerësimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others