[email protected]
Rishikimi i javës: lajme të rreme dhe përmbajtje të pa verifikuar lidhur me tërmetin në Turqi, artikuj mashtrues për dhënie kredish dhe shitje të banesave
shape
shape
shape

Ekosistemi keqinformues medial në javën që shkoi u dominua nga artikuj të kategorizuar si “lajm i rremë”. Lajmet e rreme kryesisht kishin të bënin me tërmetin e 6 shkurtit në Turqi ku shpërndanë lajme të rreme lidhur me shembjen e ndërtesave që nuk kishin të bënin me tërmetin.

Përmbajtjet e pa verifikuara kishin të bënin po ashtu me tërmetin e 6 shkurtit në Turqi ku u publikuan artikuj me pretendime për shembjen e një hoteli të ndërtuar tre vjet më parë, apo pamje të shembjeve të ndërtesave që nuk kishin të bënin me tërmetin në Turqi.

Manipulim të fakteve kemi pasur nga mediat në gjuhën serbe të cilat kanë pretenduar se figura e tenistit serb, Novak Gjokoviq, që gjendet në Lagjen e Epërme të Rahovecit, është spërkatur me bojë muri nga huliganët (Ekstremistët) e Kurtit.

Clickbait artikuj lidhur me konkursin e shpallur nga Ministria e Financave dhe termin të vizave në ambasadën gjermane.

Artikuj mashtrues për dhënie kredish dhe shitje të banesave.

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa mediume në gjuhën shqipe kanë publikuar kanë publikuar një artikull me pretendimin se një hotel i ndërtuar tre vjet më parë u shkatërrua nga tërmeti. Kontrolluesit e fakteve nga Turqia bëjnë të ditur se objekti në fjalë është rrënuar nga tërmeti, por nuk është e vërtetë që është ndërtuar qe tri vite, por ekziston më së paku qe 20 vite. (këtu)

Disa media online në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pamjet e një ndërtese, të cilës i shkëputet një pjesë gjatë dridhjeve të tërmetit. Mediat e lartcekura kanë hedhur pretendimin (duke u bazuar në një video në Twitter), se pamjet janë nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pamjet janë nga tërmeti i vitit 2016 në Japoni. (këtu)

Fotografia e shpërndarë në faqen e saj në Facebook nga “koha.net”, duke u ndërlidhur me tërmetin e sotëm në Turqi, rezulton të jetë e vjetër. Fotografia që paraqet një vajzë të vogël duke shtrënguar dorën e shpëtimtarit pas shpëtimit nga gërmadhat të shkaktuar nga tërmeti, ka të bëjë me tërmetin e vitit 2020 në Izmir të Turqisë. (këtu)

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook dhe një llogari në Tik Tok kanë publikuar një video-material ku shihet një ndërtesë duke u rrënuar. Këtij materiali i është bërë një përshkrim i sajuar duke pretenduar se pamjet paraqesin momente nga tërmeti në Turqi që ndodhi gjatë mëngjesit të 6 shkurtit. Pas hulumtimit, hibrid.info ka arritur të gjejë informacion rreth këtij pretendimi të rremë, i bërë fillimisht nga kontrolluesit e fakteve nga Spanja “Maldita.es”, që qartësohet se pamjet janë realizuar në Arabinë Saudite. (këtu)

Mediumi online në gjuhën shqipe “Ntv.al” ka publikuar artikullin me fotografinë e një qeni, me pretendimin se imazhi është realizuar pas tërmetit të 6 shkurti që goditi Turqinë dhe Sirinë. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e vjetër, e realizuar nga fotografi Jaroslav Noska dhe e publikuar në agjencinë britanike të fotografive “Alamy” me datë 18 tetor 2018. Pra në këtë artikull, përmbajtja është e rreme që pretendon se fotografia është bërë diku në rajonet e prekura nga tërmeti në Turqi apo Siri. (këtu)

Portalet “Veriu.info” dhe “Kosovarja-ks.com” në faqet e tyre në Facebook kanë postuar fotografinë e një fëmije që shihet i ulur afër disa gërmadhave, duke pretenduar se është shkrepur pas tërmetit të 6 shkurtit në Turqi. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia nuk i përket kësaj ngjarje, siç pretendohet, por qarkullon në internet që nga 11 maji i vitit 2019. Gjithashtu, këtij postimi, faqet e lartcekura i kanë vënë përshkrim të rremë që pretendojnë se fotografia është bërë pas tërmetit në Turqi. (këtu)

Llogaria në TikTok “veqhajt.p” me datë 7 shkurt ka publikuar një video-material 6 sekondësh me pretendimin se Kosova është goditur nga një tërmet 4.7 shkallë në ora 13:12. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info në platformat online për raportime rreth tërmeteve, nuk është gjetur asnjë informacion për ndonjë tërmet në Kosovë gjatë ditëve të fundit. Gjithashtu, me datë 7 shkurt në ora 13:12, është vërtetuar se tërmet është regjistruar në Turqinë qendrore. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh të Hajredin Kuçit të realizuar në ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë, me pretendimin se ish-ministri i Drejtësisë ka filluar punën në mbrojtje të ish-ushtarëve të UÇK-së. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e publikuar në shkurt të vitit 2022, atëkohë kur Kuçi ishte bërë pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë. (këtu)

Faqja në Facebook “Rruga Drejt Islamit” ka publikuar një video-material të vitit 2017, e që pamjet në të paraqesin stuhi me dallgë të mëdha në plazhin e qytetit Durban në Afrikë të Jugut. Mirëpo, përmes këtij video-materiali, kjo faqe ka pretenduar rrejshëm se pamjet e paraqitura janë nga tërmeti që goditi Turqinë në mëngjesin e sotëm (6 shkurt). (këtu)

Manipulim i fakteve

Disa media në gjuhën serbe, duke u bazuar në një cicërim të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë pretenduar se figura e tenistit serb, Novak Gjokoviq, që gjendet në Lagjen e Epërme të Rahovecit, është spërkatur me bojë muri nga huliganët (Ekstremistët) e Kurtit. Bazuar në raportimet mediale, banorët e vendit kanë deklaruar se nuk i din kryesit e veprës dhe organet e rendit kanë arrestuar tre persona lidhur me rastin, duke theksuar faktin se dyshohet se vepra është kryes nën ndikim të alkoolit. (këtu)

Clickbait

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një person që është goditur me thikë në stacionin e trenit “Termini” në Romë. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali i dyshimtë “truenewsq.com” ka publikuar një artikull të vitit 2021, atëkohë kur Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, kishte njoftuar se vetëm personat e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 kanë mundësi të regjistrohen në listën e pritjes për caktim të një termini. Këtë artikull të vjetër, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual, kështu duke lënë vend për keqinformim te lexuesit. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar dje (5 shkurt) një konkurs për 100 praktikantë, të shpallur nga Ministria e Financave. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky konkurs është i vjetër, i publikuar në tëtor  të vitit 2022. Ndërsa faqet e lartcekura janë munduar ta paraqesin atë si aktual. (këtu)

Mashtrim

Faqja “Kredi personale” që numëron mbi 3 mijë ndjekës pretendon rrejshëm se ofron kredi online deri në 300 mijë euro për vetëm 45 minuta. Kampanjat që publikohen nga kjo faqe u takojnë institucioneve financiare në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat mundohet t’i përvetësojë, duke ua larguar logot autentike. (këtu)

Portali i dyshimtë “newslink4.com” ka publikuar një shpallje të rreme për shitje të një banese (4+1), me  pretendimin se ajo është urgjentisht në shitje për 49,990 euro. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka arritur të vërtetojë se përshkrimi i kësaj shpallje i përket një banese tjetër që gjendet në Tiranë, dhe jo asaj që pretendohet dhe mban çmimin 220 mijë euro. Ndërsa në fotografi gjendet shpallja e një banese tjetër që gjendet në Durrës, e cila është 50 metra katrorë dhe mban çmimin 50 mijë euro. (këtu)

Gabim

Portalet “Insajderi.org” dhe “Korrespodenti.com” kana publikuar intervistën e realizuar nga Ekonomia Online me drejtorin e Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, i cili ka folur rreth problemeve në këtë klinikë, e që një ndër to është edhe mungesa e anesteziologëve. Mirëpo, portalet e lartcekura, këtij artikulli i kanë vënë gabimisht titullin me pretendimin se në këtë klinikë ka mungesë të anestezionit. (këtu)

Share With Others

Translate »