[email protected]
Rishikimi i javës: Clickbait me deklarata të Ramës, dezinformata, lajme të rreme dhe përmbajtje të paverifikuara lidhur me konfliktin ndërmjet Hamasit dhe Izraelit
shape
shape
shape

Dezinformatat, lajmet e rreme dhe përmbajtjet e paverfikuara kryesisht të publikuara në mediat sociale  janë tri kategoritë që e kanë dominuar ekosistemin keqinformues në Kosovës gjatë javës së kaluar.

Dezinformatat ishin publikuar nga faqe në mediat sociale ndërlidhur më konfliktin ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, duke publikuar imazhe dhe video-materiale të vjetra me pretendimin se paraqesin gjendjen aktuale. 

Clickbait artikujt janë publikuar nga media reale me pretendimet se edhe Aleksandër Vuçiq së bashku me Radojçiqin është në listën e zezë amerikane, si dhe një deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për homologun e tij kosovar, Albin Kurti.

Lajmet e rreme janë publikuar në mediat sociale nga faqe të ndryshme, ndërlidhur me konfliktin Hamas-Izrael, armatosjen e FSK-së nga Turqia, dhe se Serbia do ta sulmojë Kosovën me 15 tetor.

Në TikTok është publikuar një video-material mashtrues më imazhin e Elon Musk duke folur në gjuhën shqipe.

Edhe përmbajtjet e paverifikuara të publikuara në mediat sociale kishin të bënin me konfliktin Hamas-Izrael, duke publikuar video-materiale të ndryshme me pretendimin se paraqesin gjendjen aktuale të këtij konflikti.

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Edhe Aleksandër Vuçiq së bashku me Radojçqin në listën e zezë amerikane”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se artikulli i publikuar paraqet një opinion, por që një gjë e tillë nuk është bërë e qartë nga publikuesi. Në bazë të titullit nënkuptohet qe listës së zezë së ndalimeve të Shteteve të Bashkuara, i është shtuar edhe Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë. As në titull e as në fotografi nuk është saktësuar se artikulli paraqet një opinion, çka mund të nënkuptohet se artikulli përbënë lajm. (këtu)

Portali informativ “Albanian Post” ka publikuar në Facebook një artikull me titull “Rama: Kurtin e kam më shumë mik se sa Haradinajn, neveri për trokitjen e tij të gotave me përfaqësuesit e Listës Serbe”. Në bazë të titullit të këtij artikulli nënkuptohet se Edi Rama, kryeministër i  Shqipërisë, ka komentuar veprimin e Ramush Haradinajt, ish-kryeministër i Kosovës. Por pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtuar se Rama ka komentuar shpërndarjen e një videoje, siç e cilëson ai propagandistike, në të cilën shfaqet ish-kryeministri Ramush Haradinaj duke cakërruar gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe. Një gjë e tillë bëhet e qartë edhe në përmbajtjen e vet këtij artikulli, në të cilin është publikuar edhe deklarata e plotë e kryeministrit shqiptar rreth kësaj çështjeje. (këtu)

Dezinformatë

Disa portale informative kanë publikuar një artikull me pretendimin në titull se është shtyrë ndeshja futbollistike në mes Kosovës dhe Izraelit. Edhe pse në titull pretendohet që ndeshja Kosovë-Izrael që pritet të zhvillohet me 15 tetor, është shtyrë, në njoftimin e UEFA-s thuhet se do të pritet edhe disa ditë për të vlerësuar nëse ndeshja mund të luhet në datën e planifikuar apo do të duhet të shtyhet. (këtu)

Faqja në facebook me emrin “Fshati Strellcë” ka shpërndarë në këtë rrjet social një video-material marrë nga TikTok. Mbishkrimi në video pretendon se Cristiano Ronaldo, futbollisti i kombëtares portugeze ka shprehur mbështetje ndaj Palestinës duke e shpalosur flamurin palestinez në një ndeshje. Megjithatë hibrid.info ka hulumtuar faktet dhe ka gjetur se video-materiali shfaq një futbollist tjetër, e jo Cristiano Ronaldon ashtu siç pretendohet nga faqja në fjalë. (këtu)

Portali “Kosovapost.net” ka publikuar me 9 tetor në faqen e tij zyrtare në Facebook një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin mbështetësit pro-palestinezë që u tubuan të dielën dhe të hënën në Chicago të SHBA-ve para konsullatës izraelite kundër qeverisë së Benjamin Netanyahu-t. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet e paraqitura në material janë të vjetra dhe video është realizuar në maj të vitit 2021, gjatë protestës në mbështetje për Palestinën pas ngjarjeve në Sheikh Jarrah në Jerusalem. (këtu)

Faqja në  Facebook me emrin “Rruga Drejt Islamit” ka publikuar një video-material në të cilën shfaqen pamje të shpërthimit të disa objekteve. Mbishkrimi i publikimit pretendon se video-materiali shfaq momente të bombardimeve të forcave izraelite ajrore në Gaza. Por që pas verifikimeve të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se pamjet e shfaqura janë të vjetra dhe se nuk pasqyrojnë situatën aktuale në Gaza. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar me datë 12 tetor një video-material me përshkrimin Beduinët egjiptianë shkojnë në kufirin e Gazës me makinat e tyre dhe kërkojnë që kufijtë të hapen në mënyrë që të mund t’i bashkohen luftetareve per liri”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video është e vjetër, e publikuar në vitin 2021. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok me emrin “mrgame.ks” ka publikuar një video-material me mbishkrimin “Momenti kur parashutistët e armatosur Palestinez vijnë si zogjtë nga qielli ne territorin e Izraelit”. Verifikues të fakteve nga platforma indiane “Boom” kanë vërtetuar se pamjet nga ky video-material nuk paraqesin parashutistë palestinezë në territorin izraelit gjatë konfliktit të vazhdueshëm midis organizatës ekstremiste palestineze Hamas dhe Izraelit, por se videoja është xhiruar në Kajro, Egjipt. (këtu)

Llogaria në TikTok me emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material me mbi shkrimin që pretendon për një deklaratë të kryeministrit belg Alexander De Croo. Video-materiali përmban imazhin e shoqëruar me mbishkrimin që pretendon se kryeministri belg është deklaruar se: Albin Kurti është i jashtëzakonshëm, ai meriton të jetë lider i Europës. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, nuk janë gjetur burime të besueshme që e mbështesin pretendimin e publikuar. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar një video-material teksa shfaqen momente të rrëzimit të dy helikopterëve. Në mbishkrimin e publikimit nuk bëhet i qartë pretendimi por duke u bazuar nga aktiviteti i kësaj faqe në Facebook, nënkuptohet që video-materiali pretendon të shfaq momentin e rrëzimit të helikopterëve izraelitë. Materiali i publikuar është kontrolluar nga kontrollues të fakteve të cilat kanë verifikuar se pamjet e shfaqura janë marrë nga një video-lojë. (këtu)

Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar me datë 11 tetor një postim me mbishkrimin “Turqia dhuron FSK 10 helikopter luftarak Apachi. Këta dot jenë në mbykqyrje të Natos ku mandatin e merr presidenca e Turqisë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info përmes makinave online të kërkimit, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në media kredibile që pretendon se Turqia i ka dhuruar Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) 10 helikopterë luftarak “Apache”. (këtu)

Llogaria në TikTok “babajaga454” ka publikuar më datë 2 tetor një video-material me mbishkrimin ku pretendohet Serbia do ta sulmojë Kosovën me 15 tetor sipas raporteve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës “CIA”. Megjithatë hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka arritur të gjejë dëshmi që vërtetojnë pretendimin e publikuar nga llogaria në fjalë. (këtu)

Llogaria në TikTok me emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material me imazhin e Edi Ramës, kryeministrit shqiptar. Imazhi përmban mbishkrimin “Aleksander Vuçiqin e kam më mik se Albin Kurtin”, deklaratë e cila nuk specifikohet se ka ardhur nga kryeministri Rama, por si e tillë nënkuptohet se është thënë nga ai. Por pas verifikimit të fakteve, “hibrid.info” nuk ka arritur të gjejë burime të besueshme që e mbështesin pretendimin e publikuar. (këtu)

Mashtrim

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material në të cilën paraqitet Elon Musk, themelues i kompanisë SpaceX. Në këtë video-material dëgjohet se Musk është duke folur në gjuhën shqipe. Por përmes aplikacioneve për ndërhyrje në video-përmbajtje që njihen si aplikacione deepfake, është vërejtur se materiali është manipuluar. Përmes kërkimit dhe verifikimit të fakteve, përmes programit të automatizuar online “InVID”, hibrid.info ka gjetur video-materialin e publikuar në tetor të vitit 2022 nga një kanal në Youtube, në të cilën qartësohet se është një video (deepfake) e bërë si “test me software”. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Një faqe në Facebook ka publikuar një video-material ku shfaqen pamje lufte, nga mbishkrimi i së cilës lë të nënkuptohet se bëhet fjalë për luftimet e ndodhura këto ditë në Izrael. Megjithatë, hibrid.info pas verifikimit të fakteve ka vërtetuar se pamjet e shfaqura në video-materialin e publikuar nga faqja në fjalë, janë të vjetra të publikuara qëllimisht me tendencë që të paraqiten si aktuale. (këtu)

Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar me datë 9 tetor një video-material me pamje të një shkarkimi të artilerisë luftarake me pretendimin “Hamasi vazhdon të godasë Izraelin”. Kontrollues faktesh nga Reuters kanë verifikuar faktet e paraqitura në këtë video-material, duke vërtetuar se pamjet janë të vitit 2020 në Siri. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar me datë 8 tetor një video-material në të cilën shihen flakë të kuqe dhe fishekzjarre që lëshohen nga çatitë. Këtij video-materiali, faqja e lartcekur i ka vënë mbishkrimin “Vazhdojnë përleshjet e armatosura në Rripin e Gazës”. Kontrolluesit e fakteve nga Reuters e kanë verifikuar këtë video duke përdorur imazhet satelitore, dhe kanë konfirmuar se ajo është realizuar në Algjeri. (këtu)

Portali informativ në gjuhën shqipe “Open-tv.mk” ka publikuar me datë 11 tetor një artikull me pretendimin se kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i ka premtuar nga 200 mijë euro për secilin futbollist të kombëtares nëse e fitojnë ndeshjen ndaj Çekisë. Ky portal informativ pretendon se “për t’i dhënë motiv futbollistëve, presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka vendosur një premi marramendëse nëse arrijnë fitoren e “çmendur” ndaj çekëve. Open-TV merr vesh se kryetari Duka i ka premtuar nga 200 mijë euro për çdo lojtarë”. Megjithatë, pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion zyrtar të publikuar në lidhje me këtë premtim të Dukës. (këtu)

Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar me datë 13 tetor një video-material me anë të së cilës pretendon se pamjet shfaqin qytetarët libanezë që përpiqen të kalojnë kufirin izraelit për të mbështetur palestinezët. Ky video-material është verifikuar nga kontrollues faktesh nga Reuters, e që është vërtetuar se video është realizuar në maj të vitit 2021, në murin kufitar Izrael-Liban gjatë protestave në solidaritet me popullin palestinez. (këtu)

Share With Others

Translate »