Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh ku shfaqet fotografia e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, me mbishkrimin se i njëjti dje në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se duhet harruar e kaluara me serbët dhe se ka ardhur koha për paqe me shtetin serb.
Kjo përmbajtje është publikuar dje (20 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “fokusi.dites”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se një deklaratë e tillë nuk është bërë dje nga Kurti, në Kuvendin e Kosovës.

Në ditën e djeshme është mbajtur një seancë e përbashkët ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë, ku para deputetëve të të dy kuvendeve, kanë folur liderët shtetërorë të të dyja vendeve, në mesin e të cilëve edhe kryeministri Kurti.
Hibrd.info ka gjetur video-materialin me fjalimin e kryeministrit Kurti, për të vërtetuar që në asnjë moment, kreu i ekzekutivit nuk ka sugjeruar që të harrohet e kaluara me serbët.
Për të hedhur poshtë pretendimin e trajtuar, hibrid.info ka gjetur edhe fjalimin e plotë në formë të shkruar, të kryeministrit Kurti, nga ku mund të konfirmohet se deklarata e pretenduar, nuk ka ardhur nga ai, gjatë fjalimit të djeshëm në kuvend.
Gjithashtu, rezultatet nga hulumtimi përmes makinës së kërkimit, “Google”, nuk vërtetojnë se një deklarim i tillë të ketë ardhur nga Kurti.
Analiza:
Pretendimi se Albin Kurtit, kryeministri i Kosovës ka deklaruar se duhet harruar e kaluara me serbët dhe se ka ardhur koha për paqe me shtetin serb, dje në Kuvendin e Kosovës, është i rremë.
Hibrid.info ka gjetur se në fjalimin e tij të djeshëm, Kurti nuk ka thënë deklaratën e pretenduar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.