Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Agim Veliu, deputet i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e ka asnjë mundësi ta mund Albin Kurtin.
Përmbajtja është publikuar me 15 dhjetor, në TikTok nga një llogari me emrin “kingalbinkurti”.
A është e vërtetë deklarata?
Hibrid.info ka vërtetuar se një deklarim i tillë i pretenduar, nuk ka ardhur nga Veliu.

Pas hulumtimit përmes makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur një video-material, të një interviste të ish-kryetarit të Podujevës, të publikuar (13 dhjetor) në kanalin zyrtar të televizionit “KlanKosova” në Youtube.
Veliu ka folur në këtë intervistë për zhvillimet e fundit në LDK, pas publikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga ky subjekt, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme në këtë intervistë ka folur edhe për gjasat e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Veliu ndonëse gjasat i sheh të vogla që LDK të dalë e para nga këto zgjedhje, nuk ka deklaruar ashtu siç pretendohet, madje as nuk e ka përmendur Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës (këtu).
Përgjigja e transkriptuar e Agim Veliut në lidhje me gjasat e LDK-së në zgjedhjet parlamentare:
“Gjatë gjithë kësaj periudhe të bërjes opozitë, unë personalisht nuk e kom pa kryetarin aktual, që ka luftu për vendin e parë. Nuk e kom pa asnjëherë që është angazhu fuqishëm për rrëzimin e Qeverisë, për opozitë ashtu sikur se duhet. Nuk e kom pa një gadishmëri dhe sinqerisht po të them, nuk e pres që LDK të jetë fituese e tyre”.
Analiza:
Pretendimi se Agim Veliu, ish-nënkryetari i LDK-së është shprehur se subjekti i tij politik nuk ka asnjë mundësi përballë Albin Kurtit, kryeministrit aktual, është i pasaktë.
E vërteta është se Veliu nuk pret që LDK të dalë fituese nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por arsyen e gjen te mosangazhimi i mjaftueshëm i lidershipit aktual të këtij subjekti politik.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.