Faqja në Facebook me emrin “Korneri.net” ka publikuar dje (26 shtator) një postim me pretendimin se Besnik Hasi pritet të emërohet trajner i përfaqësueses së Kosovës në futboll, pas largimit të trajnerit aktual Alain Giresse.
Këtë pretendim, kjo faqe mundohet ta ndërlidhë me dorëheqjen e trajnerit aktual Giresse, duke pretenduar se askush nuk është i kënaqur me të arriturat e tij në FFK, andaj Hasi do ta marr në dorë Kosovën për kualifikimet e ardhshme evropiane që nisin në muajin mars.
Megjithatë, këto pretendime nuk bazohen në fakte ose burime relevante që do ta mbështesnin atë.
Postimi i publikuar në faqen Korneri.net në Facebook:
Super ekskluzive.
Po ju sjellim një lajm të padëgjuar deri tash në asnjë medium vendor dhe ai ndërkombëtarë.
Besnik Hasi, pritet të emërohet përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës në futboll, menjëherë pas largimit të Alain Giresse.
Trajneri francez në mënyrë indirekte paralajmëroi largimin (dorëheqjen) gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me Qipron, por pavarësisht këtij fakti, askush në FFK-së, nuk është i kënaqur me të arritur e tij, andaj Hasi do ta merr në dorë Kosovën për kualifikimet e ardhshme evropiane që nisin në muajin Mars.
Vegëza e artikullit të publikuar në faqen “Korneri.net” në Facebook:
Pas raportimit se ai do të jetë përzgjedhësi i ardhshëm i Kosovës, Besnik Hasi në një përgjigje të shkurtër dhe ekskluzive për Kanal10, është shprehur se “nuk mund të flasë asgjë për momentin, nuk di për asnjë lajm”. (shih këtu)
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe gazetari Alban Lumi, i cili në llogarinë e tij zyrtare në Facebook e ka mohuar një gjë të tillë duke u thirrur në burime të mirë informuara brenda FFK-së. (shih këtu)
Reagimi i Alban Lumit:
Një lajm, që po qarkollon në disa portale kinse Besnik Hasi, do te bëhet trajner i Kosovës nuk është aspak i vërtetë.
Giresse e ka mbështetjen e plotë të FFK-së, burime mirë të konfirmuara brenda federatës mohojnë zërat e turbulencave në bankinë.
Momentalisht përqendrimi është vetëm tek ndeshja e nesërme, që do ta zhvillojmë ndaj Qipros.
Nuk është hera e parë, që në prag të ndeshjeve të tilla zëra, që nuk ia dojnë të mirën Kombëtares së Kosovës, mëtojnë të prishin atmosferen në radhët tona.
Pretendimi i “Korneri.net” se Alain Giresse në mënyrë indirekte ka paralajmëruar dorëheqjen në konferencën para ndeshjes me Qipron, nuk qëndron. Ai gjatë kësaj konferencë tha se është i fokusuar të fitorja dhe është i kënaqur me kushtet e punës, dhe ka nënkuptuar se trajnerët nuk i përgatisin dorëheqjet e tyre për shkak se asnjëherë nuk mendohet humbja e ndeshjes. (këtu)
Pjesë nga konferenca e trajnerit Giresse:
“Sa i përket përvojës sime te Kosova, deri më tani jam i kënaqur me kushtet e punës që janë shumë të mira. Synimi im është të përparojmë dhe të ngrihemi në nivel tjetër, por edhe të sjellim lojtarë të rinj. Kur e përgatisim një ndeshje, e përgatisim për ta fituar, sepse askush nuk dëshiron humbje. A po mendoni që shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre? Fillimisht asnjë trajner nuk mendon ta humbë ndeshjen” , ka shtuar Giresse.
Ky pretendim i bërë nga “Korneri.net” ka zënë vend edhe në disa media tjera në gjuhën shqipe. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Analiza:
Faqja në Facebook me emrin “Korneri.net” ka pretenduar pa fakte se Besnik Hasi do të jetë trajner i Kombëtares së Kosovës në futboll.
Gjithashtu, kjo faqe pretendon se trajneri aktual Alain Giresse në mënyrë indirekte ka paralajmëruar largimin nga bankina e Kosovës, por që këtë pretendim nuk e argumenton me asnjë fakt ose burim relevant.
Në anën tjetër, Besnik Hasi në një përgjigje të shkurtër dhënë për emisionin “Kampionët” në televizionin “Kanal10” është shprehur se “nuk mund të flasë asgjë për momentin, nuk di për asnjë lajm”.
Ndërsa gazetari Alban Lumi e ka hedhur poshtë këtë pretendim të “Korneri.net” duke e quajtur si të pavërtetë. Sa i përket trajnerit Giresse, thotë që ai ka mbështetjen e plotë të FFK-së dhe burime mirë të konfirmuara brenda federatës mohojnë zërat e turbulencave në bankinë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të “Korneri.net” si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.