[email protected]
Biden nuk është shprehur se “Bjellorusia është vendi ynë i preferuar i NATO-s”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden është deklaruar se “Bjellorusia është vendi ynë i preferuar i NATO-s”.

Pretendimi është publikuar në Facebook (28 qershor) nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”, me anë të një video-materiali shkëputur nga debati ndërmjet Donald Trump dhe Joe Biden, kandidatë për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Çka tha në të vërtetë Joe Biden?

Në bazë të asaj që shihet e dëgjohet, Biden ka folur për rrezikun që sipas tij paraqet Vladimir Putin për Ukrainën e vendet përreth, si Polonia e Bjellorusia.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “Investiguesi Shkrimor” në Facebook:

https://www.facebook.com/100092945134138/videos/777186674608422


Deklarata e presidentit Biden nga video-materiali

“Fakti është se Putini është një kriminel lufte. Ai ka vrarë mijëra e mijëra njerëz. Dhe ai e ka bërë të qartë një gjë: Ai dëshiron të rivendosë atë që ishte pjesë e Perandorisë Sovjetike. Jo vetëm një pjesë, ai dëshiron gjithë Ukrainën. Kjo është ajo që ai dëshiron.

Dhe pastaj a mendoni se ai do të ndalet këtu? A mendoni se ai do të ndalojë kur ai – nëse ai merr Ukrainën? Çfarë mendoni se do të ndodhë me Poloninë? Çfarë mendoni për Bjellorusinë? Çfarë mendoni se do të ndodhë me ato vende të NATO-s?”


Për të konfirmuar saktësinë e fjalëve që dëgjohen, hibrid.info ka hulumtuar, dhe me anë të makinave të kërkimit ka gjetur transkriptin e debatit në mes Biden dhe Trump, të zhvilluar më 28 qershor në televizionin amerikan, CNN (shih këtu).

Po ashtu, duke kërkuar me anë makinës së kërkimit, “Google”, hibrid.info ka kërkuar për qëndrimet e Biden për Bjellorusinë, por nuk ka gjetur të tilla që dëshmojnë se presidenti amerikan e konsideron këtë vend si të preferuar të NATO-s (shih këtu).

Kërkimet kanë gjetur se në disa media si për shembull “Russia Today”, deklarata e presidentit Biden, është interpretuar si pretendim i tij se ai e ka konsideruar Bjellorusinë si anëtar i NATO-s, në fjalën e tij (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se presidenti i SHBA-ve, Joe Biden është shprehur se “Bjellorusia është vendi ynë i preferuar i NATO-s”, është i pa saktë.

Biden në fakt ka lënë të nënkuptohet se ky vend është i rrezikuar nga Rusia.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Translate »