info@hibrid.info
Çitaku nuk ka thënë se janë mashtruar pasi kanë shpresuar që Thaçi nuk do të akuzohet nga Gjykata Speciale
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një fotografi me mbishkrimin që pretendon se Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) është deklaruar në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale, duke u shprehur se janë mashtruar pasi që kanë shpresuar se Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, nuk do të akuzohet.

Kjo përmbajtje është publikuar sot (17 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “me.qeverine.kurti3”.

Çka nuk shkon me përmbajtje?

Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Çitakut është paraqitur në mënyrë të pasaktë në këtë rast.


Pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur një video-material që tregon Çitaku ishte e ftuar në një intervistë mbrëmë (16 dhjetor) në emisionin “DPT TE FIDANI” në televizionin “Klan Kosova”.

Hibrid.info ka gjetur ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

Në një tjetër video-material të shkëputur nga kjo intervistë e të titulluar “Çitaku për themelimin e Gjykatës Speciale: Jemi mashtru, sepse qëllimi ka qenë i mirë”, vërehet se Çitaku është shprehur se ndonëse e janë mashtruar sepse qëllimi i themelimit të Gjykatës Speciale ka qenë i mirë, Thaçi e të tjerët e kanë ditur se do të gjykohen nga ky institucion.


Deklaratat e transkriptuarta të Çitakut nga kjo intervistë në lidhje me Gjykatën Speciale:

“Edhe në vendet demokratike edhe në ShBA ku kam shërbyer shumë vite, shtatë vite, kur një gjykatë, kur një proces gjyqësor shkel procedurat, gjithmonë ngritet zëri edhe nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe nga institucionet relevante. Ne nuk po kërkojmë të ndërhyhet ne drejtësi, që të devijohet drejtësia. Ne po kërkojmë që të ketë drejtësi dhe fatkeqësisht deri më tani, kemi parë shumë pak drejtësi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi e kanë ditur shumë mirë koston e lartë, që do ta bartin personalisht në këtë proces. Hashim Thaçi e ka ditë shumë mirë që nëse miratohet kjo gjykatë në Parlamentin e Kosovës, caku i parë do të ishte ai. Mirpo për të, sikur se edhe në luftë ashtu edhe në paqe, fati i Kosovës është shumë më i rëndësishëm se fati i tij personal dhe e ka mbështetur themelimin e kësaj gjykate me risk personal, pikërisht për të shpëtuar Kosovën nga një inkuzim kombëtar.

Unë mendoj që jemi mashtru, sepse qëllimi ka qenë i mirë, kanë qenë disa akuza monstruoze dhe secili prej nesh ka kërkuar që ato akuza të hetohen, qoftë edhe përmes një mekanizmi të veçantë, sui generis e kështu me radhë”.   


Çka do të thotë se deklarata e Çitakut nga kjo intervistë, është paraqitur e manipuluar në përmbajtjen e trajtuar.


Analiza:

Deklarata e pretenduar se Vlora Çitaku, nënkryetarja e PDK-së është shprehur se janë mashtruar pasi që kanë shpresuar se Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, nuk do të akuzohet nga Gjykata Speciale, është e pasaktë.

Hibrid.info ka gjetur se në fakt, Çitaku ka thënë se Thaçi e ka ditur se do të jetë cak i Gjykatës Speciale, pas themelimit të saj dhe se ndjehen të mashtruar më atë që po ndodh në proces sepse qëllimi i themelimit të saj, ishte i mirë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »