info@hibrid.info
Dezinformimi në Kosovë: Si polarizimi politik dhe rrjetet sociale ndikojnë në keqinformim
shape
shape
shape

Hibrid.info shënon Ditën Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve dhe diskuton për gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë

Prishtinë, [02.04.2025] – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve, e cila shënohet më 2 prill, platforma për verifikim të fakteve hibrid.info organizoi një konferencë për të diskutuar gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë me panelistët Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe Pajtim Gashi nga NDI.  

Gjatë konferencës, u shpallën gjetjet për situatën aktuale të dezinformimit duke përfshirë cenueshmërinë e shoqërisë, praktikat e keqinformimit dhe ndikimin e jashtëm.

Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID, theksoi se polarizimi politik, faktorët socio-ekonomikë dhe mungesa e edukatës mediale kanë krijuar një ambient të ndjeshëm ndaj lajmeve të rreme dhe manipulimeve. Ai gjithashtu prezantoi praktikat e keqinformimit, ku platforma kryesore të dezinformatave si Facebook dhe TikTok, janë burime të rëndësishme për shpërndarjen e lajmeve të rreme, teorive konspirative dhe manipulimit të fakteve. Edhe mediat tradicionale janë ndikuar nga praktika të tilla si clickbait dhe publikimi i informacionit të paverifikuar.

Rizanaj përmendi se temat kryesore të dezinformatave kanë përfshirë çështje të sigurisë, zgjedhjeve dhe politikës, duke përfshirë armatosjen e FSK-së, fushatën zgjedhore dhe çështje të tjera si pretendimet për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe hapjen e Urës së Ibrit. Ai gjithashtu foli për ndikimin e jashtëm, duke theksuar përhapjen e dezinformatave që krahasojnë Kosovën me Krimenë dhe lidhin zhvillimet politike në Kosovë me ato në Serbi.

Në panelin e diskutimit, Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), e vuri në dukje mungesën e një departamenti të veçantë nëpër media në Kosovë, me anë të të cilit do të verifikoheshin faktet para publikimit të përmbajtjeve nga gazetarët. Gjithashtu, Rexha përmendi mediat sociale si burim i publikimit të keqinformatave, për çka e vlerësoi, siç tha ai, punën e mirë të hibrid.info, në detektimin e përmbajtjeve që qarkullojnë në hapësirën digjitale.

Kryetari i AGK-së u rekomandoi gazetarëve që fillimisht të mos jenë ata publikues të lajmeve të rreme e pastaj të luftojnë keqinformatat.

Ndërsa Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në UP, foli për ndikimin e jashtëm në diskursin publik në Kosovë. Derisa përmendi rastet kur Rusia ka përdorur Kosovën për të arsyetuar politikat ekspansioniste në drejtim të vendeve të ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS-së), Zeneli tregoi se edhe audienca në Kosovës është target i ndikimit të mundshëm rus. Sipas profesorit universitar, Rusia përmes narrativave dezinformuese synon që serbët në Kosovë t’i mbajë larg institucioneve të Kosovës, ndërsa për shqiptarët ka për qëllim t’i largojë nga besimi në vlerat perëndimore.

Zeneli kërkoi që Qeveria e Kosovës të reagojë ndaj narrativave të jashtme dezinformuese ndërsa për mediat dha sugjerime që garën ndaj njëra-tjetrës ta bazojnë nga profesionaliteti dhe transparenca.

Të gjithë panelistët u pajtuan për nevojën dhe domosdoshmërinë e vendosjes së Edukimit Medial, si lëndë në shkolla, që nga arsimi fillor.

Gjatë konferencës u prezantuan rekomandime për të forcuar rezistencën ndaj dezinformatave, përfshirë: integrimin e Edukimit Medial në shkolla, krijimin e mekanizmave për adresimin e narrativave dezinformuese nga Serbia dhe Rusia, forcimin e kapaciteteve të mediave për verifikimin e fakteve dhe përforcimin e rolit të shoqërisë civile në monitorimin e dezinformatave.

Analiza e plotë e çrregullimit informativ

Share With Others

Leave a Reply

Translate »