info@hibrid.info
Dezinformohet përmes titullit për paralajmërim rreziku nga tërmetet në Shqipëri
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është pretenduar nëpërmjet një postimi në Facebook se sizmologët kanë alarmuar për tërmetet në Shqipëri e se kanë paralajmëruar rrezik.

Publikimi u bë në Facebook nga faqja “Preferenca” më 2 nëntor.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve, del se titulli është dezinformues. Artikulli që hapet pas klikimit në vegëz, nuk ka përmbajtje që përkon me titullin. Aty sizmologu Rrapo Ormëni ka thënë se tërmetet që janë ndier në Shqipëri gjatë tetorit janë lëkundje të zakonshme dhe se nuk paraqesin rrezik për popullatën.


Kjo faqe ka publikuar në Facebook një imazh që tregon zonat e prekura nga një tërmet në Shqipëri. Mbi të ka vënë mbishkrimin “Sizmiologet ngrejne al•rmin! Disa termete ne Shqiperi, ja cfare pritet te ndodhe, do bjere nje”.

Vegëza e artikullit, e vendosur në koment, çon në ueb-faqen “moriviral.com”. Artikulli mban titullin e njëjtë si mbishkrimi në Facebook. Në përmbajtje raportohet për lëkundje të regjistruara ditëve të fundit në Shqipëri. Aty është cituar Rrapo Ormëni si sizmolog, që ka deklaruar se tërmetet deri në magnitudë 4 shkallë nuk shkaktojnë dëme.

“Unë them që në këtë rast nuk ka vend për asnjë lloj shqetësimi as në zonën epicentrale, sepse tërmete tek niveli 4 ose dhe 4.5 janë tërmete që bien në të gjitha pjesët e territorit të vendit tonë, sepse është vend me aktivitet sizmik, dhe këto quhen tërmete të vegjël ose mikrasizmise, të cilët nuk paraqesin asnjë problem për popullatën, për dëmtime, por që bëjnë mirë që çlirohen në formën e tërmeteve të vogla”, citohet të ketë thënë ai.

Hibrid.info ka verifikuar përmbajtjen dhe ka gjetur se e njëjta ishte publikuar më herët në ueb-faqen “newsbomb.al” që i ka vënë titull “Disa tërmete brenda tetorit/ Sizmiologët shpjegojnë sa të rrëzikshme janë dhe çfarë na pret”.


Artikulli trajtohet për shkak të ndikimit që ka pasur në publikimin në Facebook. Publikimi ka marrë 23 komente, në mesin e të cilave ka që kanë kritikuar publikimin për alarmim e shqetësim.


Analiza:

Nëpërmjet publikimit të një imazhi me mbishkrim, është pretenduar për alarmim nga sizmologët për tërmete në Shqipëri.

Publikimi i faqes “Preferenca” në Facebook çon te artikulli i ueb-faqes “moriviral.com”. E titulli i publikimit në Facebook dhe në uebfaqen në fjalë, nuk përkon me përmbajtjen. Aty një sizmolog ka thënë se situata nuk është për shqetësim.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë titull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »