info@hibrid.info
FSK-ja nuk u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç për t’iu bashkuar ushtrisë si pasojë e tensioneve në Ballkan
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një postimi pretendohet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë apel te të gjithë qytetarët e Kosovës që janë mbi 18 vjeç, t’i bashkëngjiten ushtrisë, pasi pritet të ketë destabilizim në Ballkan.

Ky pretendim u publikua me 15 shtator në TikTok nga llogaria me emrin “blerimahmedi”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një thirrje e tillë nuk është bërë nga FSK-ja.

Vegëza e artikullit të publikuar në TikTok nga llogaria “blerimahmedi” (shih këtu).


Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se ditë më parë (9 shtator) Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj të FSK-së. (shih këtu)

Mirëpo, në këtë konkurs, specifikohet se kandidatët duhet të jenë të moshës nga 18 deri 25 vjeç. (shih fotografinë më poshtë)


Pra, ky institucion nuk ka bërë apel për të gjithë personat mbi 18 vjeç që t’i bashkëngjiten ushtrisë, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur në TikTok.

Gjithashtu, në rubrikën e njoftimeve në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka asnjë informacion lidhur me ndonjë apel ndaj qytetarëve të Kosovë për t’iu bashkuar ushtrisë (shih këtu), siç thuhet në pretendimin e lartcekur me arsyetimin se “pritet të ketë destabilizim në Ballkan”.

Analiza:

Pretendimi se FSK-ja ka bërë apel te të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeçare t’i bashkohen ushtrisë, nuk është i saktë.

Hibrid.info ka gjetur se më 9 shtator, Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj të FSK-së, e që njëri nga kriteret e konkursit është që kandidatët duhet të jenë të moshës 18 deri 25 vjeçare.

Po ashtu, është vërtetuar se FSK-ja nuk ka thënë se pritet të ketë destabilimin në rajon, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur në TikTok.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »