Disa faqe në median sociale Facebook kanë publikuar një artikull me datë 9 mars, lidhur me një vendim të qeverisë, ku në mbishkrim thuhet “Qeveria ndanë 2.5 milion euro per masen 2.1. Kjo kategori perfiton”.
Por, pas klikimit në vegëzën e ofruar në postim shfaqet një artikull me titullin e njëjtë, por i publikuar më 1 nëntor 2023 nga portali i dyshimtë “livenews10.com”.
Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërtetuar se pretendimi nuk qëndron dhe se ky vendim është i vjetër.
Vegëza e postimit të bërë në Facebook nga faqet “Live News”, “Gazeta Shqip”, “Info Shqip24”, “Lajme Shqip”, “Revista Javore” e “Portal Ditor”.
Gjatë hulumtimit, hibrid.info ka gjetur një postim nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati të bërë më 28 tetor 2023 në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku ka treguar për vendimin e Qeverisë e ndarjes së 2.5 milionë euro mbështetje për subvencionimin e kredive investuese, për prodhuesit vendor. (shih këtu)
Njëri nga postimet e fundit në profilin e Muratit, është ai i datës 2 mars, për subvencionimin e energjisë elektrike në kuadër të pilotimit të programit për mbështetjen e familjeve të cenueshme. (këtu)
Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2.5 milionë euro për subvencionimin e kredive investuese, për prodhuesit vendor.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është gjetur se ky vendim është i muajit nëntor dhe se në faqet zyrtare të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, dhe ministrit të kësaj Ministrie nuk ka asnjë postim aktual për ndonjë vendim të ri lidhur me këtë çështje.
Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.