[email protected]
Mediumi në gjuhën serbe pretendon pabazë se Kurti dërgoi një terrorist për të krijuar kaos në Serbi
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Në mëngjesin e së enjtes (18 korrik) në Lloznicë të Serbisë është vrarë një polic i këtij shteti, dhe dyshohet se në të ka shtënë me armë zjarri Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës.

Mediumi në gjuhën serbe, “Srpski telegraf” ka publikuar artikull me pretendimin në titull se “Kurti dërgoi një terrorist për të krijuar kaos në Serbi!”

Edhe pse dyshohet se Faton Hajrizi e ka vrarë policin, pretendimi se ai është dërguar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të krijuar kaos në Serbi, është i pabazë.


Vegëza e përmbajtjes së publikuar nga “Srpski Telegraf”:

https://www.republika.rs/vesti/srbija/564818/aljbin-kurti-terorista-naslovna-strana (archive)


Çka dihet për ngjarjen:

Një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë, Serbi, sipas konfirmimit të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq. Daçiqi tha se në vendngjarje u gjetën pasaporta e një kosovari dhe një dokument gjerman, duke dyshuar për Artan Hajrizin ose vëllain e tij, Faton Hajrizi, i cili u arratis nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik.

Fillimisht u dyshua se vrasjen e kishte kryer Artan Hajrizi, por ai mohoi akuzat në media dhe dëshmoi se ndodhej në Gjermani, duke shtuar se vëllai i tij, Fatoni, i kishte vjedhur dokumentet pas arratisjes dhe disa prej tyre u gjetën në vendngjarje.

Deri më tani, janë arrestuar tre persona: taksisti që po transportonte të dyshuarin për vrasjen në Serbi dhe dy të tjerë në Republikën Serbe të Bosnjës, të dyshuar për organizimin e arratisjes së Hajrizit në një vend të tretë.

Serbia e fajëson pa fakte Kosovën

Zyrtarët serbë thanë se sulmi ishte i planifikuar nga “strukturat e Kosovës”, duke i fajësuar ata për ngjarjen. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se po punojnë intensivisht për të identifikuar nëse vrasësi i policit në Loznicë është Artan Hajrizi apo vëllai i tij Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik, duke pretenduar se vrasja mund të jetë një sulm terrorist i përgatitur nga “strukturat e Kosovës”. (këtu)

Edhe në mediat në gjuhën serbe u ndërlidh Kosova dhe e kaluara e Faton Hajrizit me ngjarjen e fundit. Disa prej mediave e quajtën aktin si terrorizëm, e disa Hajrizin e quajtën si “krimineli, terroristi i UÇK-së”.


Kosova: Të mos politizohet rasti

Kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje Serbisë të mos e politizojë vrasjen, duke thënë se autoritetet po mbledhin informacionet. Ai kërkoi që të ndiqen komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme, duke theksuar se çështja duhet trajtuar nga këndvështrimi i sigurisë, ligjor dhe profesional.

“Organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”. (këtu)


Analiza:

Nuk faktohet pretendimi i mediumit serb, “Sprski Telegraf” se i dyshuari për vrasjen e policit në Serbi, Faton Hajrizi, është dërguar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të krijuar kaos në Serbi.

Kurti ka kërkuar që rasti të mos politizohet dhe se janë në mbledhje të informacioneve për ngjarjen në fjalë, edhe pse zyrtarët dhe mediat serbe e interpretojnë pa fakte si të organizuar nga strukturat e Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimin e vlerëson si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »