[email protected]
Mediumi rus konspiron se Qeveria Kurti ka nisur “fazën e fundit të mbylljes së gjithçkaje serbe” në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Edicioni në Serbi i medias ruse “Sputnik” (sputnikportal.rs), ka publikuar një artikull përmes të cilit pretendon se Qeveria në Prishtinë ka nisur fazën e fundit të mbylljes së gjithçkaje serbe në Kosovë.

Pretendimin, “Sputnik” e bazon në disa deklarata të ish-kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën, tash deputet, Millovan Drecun.


Vegëza e artikullit të publikuar nw “sputnikportal.rs”:

https://archive.is/vflPT


Çka thotë Drecun?

Arrestimi i mjekëve serbë, ngritja e akuzave kundër tyre, mbyllja e klinikave, barnatoreve, sekuestrimi i barnave që vijnë nga Serbia është pjesë e planit të Albin Kurtit për të integruar me forcë të gjitha institucionet serbe në të ashtuquajturin sistem të Kosovës. Perëndimi hesht për të gjitha këto, gjë që i jep dorë të lirë Kurtit për të mbyllur një nga një institucionet serbe në Kosovë dhe Metohi.

Kjo është një përmbledhje e deklaratave të Millovan Drecun, sipas “sputnikportal.rs”.

Artikulli flet për bastisjen dhe më pas mbylljen e një OJQ-je serbe më 31 janar të këtij viti e cila kishte funksionuar për vite me radhë në një objekt, aneks i Stacionit Policor Qendër në Prishtinë.


Çka gjeti Hibrid.info?

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt të këtij viti njoftoi lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024 në këtë objekt. Në njoftim u tha se bastisja ka ndodhur pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë – “është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme”.

“…në koordinim me Policinë e Kosovës – Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve”, ishte thënë në njoftimin e Prokurorisë. (lexojeni këtu njoftimin e plotë të PTh-së së Prishtinës)

Ndërkaq, më 3 qershor, portali “Dukagjini.com” njoftoi se është ngritur aktakuzë ndaj dy personave në lidhje me këtë rast.

“Konkretisht departamenti i krimeve të rënda, ka përfunduar hetimet sa i përket kësaj çështjeje penale dhe pas grumbullimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurave të cilët dyshohen se kanë kryer dy vepra penale, atë të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme mjekësore dhe të prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve të dëmshme mjekësore”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj. (këtu)


Analiza

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, u vërtetua se media ruse, edicioni në Serbi, “sputnikportal.rs”, ka publikuar përmbajtje informative të paverifikueshme në artikullin me titull “Prishtina ka nisur fazën e fundit të fshirjes – së gjithçkaje serbe”.

Këto pretendime paraqiten pa fakte si pjesë të një plani të kryeministrit Albin Kurti për integrimin “me dhunë” të të gjitha institucioneve serbe në sistemin e Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës së hibrid.info, këto pretendime bien në kategorinë “Teori konspirative”. 

Teoritë konspirative

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406